Home Slideri Jakupi: Do të luftojmë deri në fund

Jakupi: Do të luftojmë deri në fund

akil jakupiTeuta nuk është prezantuar ashtu si duhet në ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë kësaj faze përgatitore, por për mbrojtësin Akil Jakupi nuk ka vend për t’u shqetësuar. Ai e ka quajtur rastësi një gjë të tillë pasi, sipas tij, skuadra është kompletuar dhe po pret me padurim rifillimin e kampionatit për të shkëlqyer. Sipas Jakupit, kjo Teutë i ka të gjitha mundësitë për ta fituar kampionatin dhe se gjithçka është e hapur. “Skuadra nuk ka bërë një prezantim të mirë gjatë kësaj faze përgatitore, ku ka humbur thuajse pjesën më të madhe të ndeshjeve, por nuk ka ndonjë problem. Për ne kjo është normale, pasi ndodhemi në fazë përgatitore dhe skuadra nuk është në formën e saj më të mirë. Megjithatë, ne kemi mjaftueshëm kohë për të rikuperuar, madje kam besim se do të ndodhë një gjë e tillë. Duke vijuar më tej mbrojtësi Jakupi, shprehet se kanë shpresa për ta fituar titullin kampion. “Skënderbeu është shkëputur dhjetë pikë përpara, por unë dhe shokët e mi besojmë se do të rikuperojmë shumë shpejt, duke ulur kështu ndjeshëm diferencën e krijuar. Teuta është nënkampione dhe i takon të rivalizojë deri në fund, duke mos u dorëzuar për asnjë moment. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, për çka jemi të vetëdijshëm, por nuk ka asgjë të pamundur, aq më tepër që është edhe gjysma e rrugës për t’u përshkuar. Gjatë fazës së dytë të kampionatit kalendari është në favorin tonë, ndërsa dy ndeshjet e para do t’i luajmë në shtëpi. Këto dy takime duhet t’i fitojmë me çdo kusht, pasi është e vetmja mënyrë për t’u rifutur në lojën për titull. Në fakt, për mua gjithçka është e mundur, aq më tepër që me Skënderbeun do të kemi edhe ndeshje direkte”. Sa i përket Kupës së Shqipërisë, mbrojtësi i durrsakëve pohoi se ai është një trofe shumë i rëndësishëm, porse ecuria e tyre nuk ka qenë e mirë. “Kupa e Shqipërisë është një trofe shumë i rëndësishëm dhe më vjen shumë keq që nuk do të mund të ecim dot më tej. Skuadra nuk ka bërë një paraqitje të mirë në këtë kompeticion, ndaj i humbi shpresat për kualifikim. Gjithsesi, ne e respektuam deri në fund këtë trofe”, – përfundoi Jakupi. Gjatë merkatos së dimrit skuadra nënkampione e Shqipërisë, Teuta, është përforcuar ndjeshëm. Kështu, veç afrimit të emrave tashmë të afirmuar në futbollin shqiptar, durrsakët u kanë kushtuar një vëmendje të veçantë edhe lojtarëve të rinj. Ata kanë pikasur një talent, të cilin e përfshinë menjëherë në skuadër. Bëhet fjalë për sulmuesin 18-vjeçar Ermir Rezi, talent i zbuluar nga shkolla sportive në Durrës “Benardina Qerraxhia”.

Previous articleVolejboll Femra/Teuta luan mirë por nuk arrin të thyejë UMB
Next articleVolejboll Meshkuj/Teuta vazhdon me ritëm kampioni