Home Sport Jakupi: Do të kalojmë një tur në Evropë

Jakupi: Do të kalojmë një tur në Evropë

Akil Jakupi ne stervitje Teuta vijon pushimet, për të rifilluar pas disa ditësh përgatitjet intensive për dy ndeshjet e para të Europa Ligës. Megjithatë drejtuesit janë përqendruar gjatë këtyre ditëve në merkato, si edhe presin me padurim hedhjen e shortit për t’u njohur me kundërshtarin. Mbrojtësi Akil Jakupi është shprehur i sigurt se Teuta do të bëjë një paraqitje të mirë në këtë kompeticion, ndërsa shkon më tej duke theksuar se durrsakët janë në gjendje ta kalojnë një tur. “Kemi një skuadër mjaft të mirë, ndoshta më të mirën e viteve të fundit, e cila është në gjendje të përballojë çdo kundërshtar që mund t’i vihet përballë. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk do ta kemi të lehtë, pasi e provuam një vit më parë, por organika e skuadrës premton për një paraqitje të mirë në këtë kompeticion. Flitet që do të ketë edhe afrime të reja, çka do të thotë se do të bëhemi akoma më të fortë nga sa ishim në fund të kampionatit. Një tjetër motiv pse kam besim se do prezantohemi denjësisht këtë radhë, është që skuadra ka fituar eksperiencë. Realisht kemi mundësi për ta kaluar një tur, pasi edhe kundërshtarët që janë në fazën fillestare kanë të njëjtin potencial me ne. Personalisht kam besim se do t’ia dalim”. Duke vijuar më tej, Jakupi premton për një sezon të ri më të suksesshëm se ai që sapo përfundoi. “Këtë sezon e mbyllëm mirë, sepse premë një biletë për në Europë. Por, nuk duhet të themi se ishim perfektë, pasi gjatë rrugës bëmë disa gabime. E para: u eliminuam shumë herët nga kupa, e cila ishte objektivi ynë në fillim të sezonit; e dyta, lëshuam vendin e dytë. Duhet të kishim luftuar më fort. Kishim një skuadër mjaft të mirë, prandaj edhe rezultatet përfundimtare duhet të kishin qenë më të mira. Gjithsesi, tani nuk mund ta ndreqim gabimin, sepse sezoni ka përfunduar, por duhet të marrim masa për sezonin e ri. Do punojmë në mënyrë të pakursyer që të realizojmë një sezon më të mirë se ky që lamë pas. Në sezonin e ri do të kemi edhe më shumë pretendime, ndërsa do të bëjmë të pamundurën që të mos dalim pa trofe. Në skuadër mbizotëron një atmosferë pozitive dhe plot besim, çka është edhe arma jonë më e fortë”.

Previous articleMerkato, a do të ketë një rikthim të sulmuesit Cota?
Next articleRizvani: Do të bëjmë paraqitje dinjitoze në Evropë