Nga Artur Llana / Dy forcat më të mëdha politike, PD dhe PS në Durrës në përpjekje për të futur njëra tjetën në grackë, kanë rënë vetë brenda kur në fakt duhen edhe 90 ditë për të shkuar në ditën e votimit. Edhe pse mënyra e rënies në grackë është e ndryshme pasi njëra është në pushtet dhe tjetra në opozitë, fati i tyre i përbashkët është rënia në fund me “brinjë” të thyera dhe e gjitha kjo nga një luftë brenda llojit. Kam disa ditë që po ndjek disa deputetë në takime, majtas dhe djathtas, pa ju rënë në sy dhe madje as edhe pa i lajmëruar. Kjo natyrisht që është forma më e mirë e sondazhit që mund ti bësh atyre që këmbëngulin të mos largohen dhe atyre që përplasin këmbët se duhet të vijnë në pushtet. Dy “dinosuarët” e politikës që për fat të keq janë me shumë mbartje dhe mbeturina komuniste jo vetëm në Durrës po bëjnë një lojë të ndryrë për inat të njëra tjetrës, për të treguar dhëmbët ndaj njëra -tjetrës, por që në fakt është thjesht një konsum i madh energjie që koston të dyja do t’ja shohin me 23 qershor. PD-ja ka nisur një fushatë të turpshme që të kujton hyrjet në kooperativa bujqësore kur ato u themeluan sipas modelit Bolshevik. E ka nisur këtë po me njerëz të rinj, po duke mos e kuptuar se po bën një skemë që nuk ka për ti funksionuar, madje ka për ta zhgënjyer keq. “Kolektivizimi bujqësor” i partisë në pushtet që tashmë pa frikë mund të quhet një parti fshatare, po konsiston në anëtarsime me dhunë, në anëtarsime me kushte dhe aq më shumë me anëtarsime që kanë në thelb egzistencën në një vend pune, pra që do të thotë të hash apo të mos hash, ose të ushqehesh apo të mos ushqehesh. Për ta bërë këtë mënyrë janë vënë në shërbim drejtorët, me përjashtim të Ndreut që pasi e mësoi se nuk do të ishte në liste i mbylli gazetarëve edhe të vetmen gazetë që mblidhnin bukën në mëngjes pasi jepej falas. Të gjithë drejtuesit e tjerë, pa përjashtim janë mobilizuar duke thërritur në zyrat e mobiluara sipas shijes së sekretarëve të gjithë punonjësit dhe i kërkojnë të firmosin që do të votojnë për PD-në. Deri tani nuk rezulton asnjë punonjës administrate që e ka kundërshtuar, ndërsa në fakt, deri tani rezulton se në të gjithë këto firma 80 përqind e atyre që firmosin nuk ja japin votës PD-së. Duke dashur të mbajnë vendin e punës dhe aq më shumë duke dashur të japin statistika të asaj që kanë bërë për të qëndruar në pushtet. Nesër ata jo vetëm do të jenë rrugëve apo kazinove duke prishur paratë që kanë vjedhur, përjashtuar ato që duhet të paguajnë dhe avokatët, por do t’i vijë turp kur të takohen fizikisht me “firmëtarët” e partisë. Koha ka treguar se ata që mbledhin firma në këtë vend janë dallkaukë dhe të pabesë, gjë kjo që do të thotë se vetë disa nga drejtorët nuk do t’i qëndrojnë strikt firmës së tyre. Kam një foto personale me një grup nxënësish të shkollës “Naim Frashëri”, ku një mësuese (nuk po ja përmend emrin se më turpëron gazetën), shpjegon mësimin me flamurin e PD-së në tavolinë dhe aq më shumë me foton e drejtuesve të PD-së që ka mundur t’i bëjë në mitingje. Ajo ka bërë mirë që ka firmosur, pasi për turpin e saj dhe për krenarinë e nxënësve që i ka paisur me tesera partie që të mos i ndalojnë policët me makinë, është e para që duhet të shporret nga arsimi dhe me pak sforca dihet të punësohet në agjensinë e Filip Gjonçit. Drejtori i CEZ-it për Durrësin, apo zëdhënsa që janë shpërndarë në poste me urdhër për të mbledhur firma janë treguesi se ku është degraduar kjo PD dhe sa rëndë do t’i kushtojë asaj 23 qershori edhe nëse i vjedh zgjedhjet. Por edhe pse në një situatë tjetër PS-ja është zhytur në të njëtin batak, po jo duke mbledhur firma, po duke dërguar letra anonime. Të bindur se e kanë të sigurtë fitoren, gjë që nuk më rezulton e tillë, të paktën për Durrësin që e njoh mirë, në PS kanë marrë të gjithë lugën në brez. Shumë nga deputetët aktual kanë nisur fushatën, fushatë e cila ka koston financiare pasi po shëtisin fshat më sfhat apo lagje më lagje. Po kjo është gjysma e së keqes. Problemi më i madh është se ndërsa puna ka nisur, kanë nisur dhe letrat anonime apo emailet se mund të mos jenë në listë. Që i harxhojnë ca lekë nuk bëjnë keq, po problem më i madh është se duke krijuar idenë e të qenurit kandidatë në zona të caktuara dhe në një rast të mundshëm duke punuar për javë apo muaj dhe duke ngelur jashtë liste nuk humbasin ata po elektorati që çorientohet dhe aq më shumë që do të ndahet në dyshë duke bërë lojën e tifozit edhe për fat të mentalitetit dhe formimit politik që e karakterizon. Ndërsa Berisha po bën teste dhe presion me emra nën zë, Rama ka nisur merkaton me prezantime emrash që nuk i paragjykoj, po nuk kam pse ta pranoj si qytetar edhe pse për fat të mirë as njëri dhe as tjetrin nuk kanë për ta marrë votën time. KJo ka pak rëndësi, më shumë ka rëndësi që të dyja po mashtrojnë veten dhe një zot e di se çfarë do të shohin në kuti me 23 qeshor!