” Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik.” kështu është shprehur presidenti Ilir Meta ditën e sotme teksa priti në një takim Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Kreu i Shtetit u shpreh se “mirëpresim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri”. Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij shumë të rëndësishme në Tiranë, Presidenti Meta vlerësoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik, si dhe partner kryesor tregtar i Shqipërisë.
Më pas Meta është ndalur tek ndihma e dhënë nga Italia në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë ku ka shprehur mirënjohjen ndaj tyre si dhe besimin për vijimin e asistencës italiane edhe për rehabilitimin e zonave të prekura nga tërmeti.
“Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, “janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali”.
Kreu i Shtetit inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.