Home Bota Ish-presidenti Carter nën mbikëqyrje mjekësore në shtëpinë e tij në Xhorxhia

Ish-presidenti Carter nën mbikëqyrje mjekësore në shtëpinë e tij në Xhorxhia

Pas vendimit për të marrë kujdes shëndetësor në shtëpi, Qendra Carter, shoqata bamirëse e ish-presidentit Carter sot lëshoi një deklaratë, duke thënë se familja kërkon privatësi në këto momente. Ish-presidenti 98 vjeçar, së fundmi ka kaluar shumë kohë në spital për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.

Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter tani është nën mbikëqyrjen e mjekëve në shtëpinë e tij në Plains të Xhorxhias.

Qendra Carter tha përmes një deklarate se pas një numri trajtimesh në spital, zoti Carter “vendosi të vazhdonte trajtimet në shtëpinë e tij në vend së të vazhdonte t’u nënshtrohej ndërhyrjeve të tjera mjekësore. Ai ka mbështetjen e plotë të familjes dhe ekipit të tij mjekësor.”

Ndonëse ka bërë thirrje për privatësi, “familja e tij është mirënjohëse për shumë admirues të ish-presidentit që kanë shprehur shqetësimin e tyre” për gjendjen e tij shëndetësore, thuhet më tej në njoftimin e Qendrës Carter.

98 vjeçari Carter është presidenti amerikan me jetën më të gjatë. Ai është ndeshur me një numër problemesh shëndetësore në vitet e fundit, përfshirë një operacion për trajtimin e një thyerje të legenit në vitin 2019 dhe melanomën në vitin 2015 që ishte përhapur në mëlçi dhe tru.

Carter është i vetmi president amerikan nga Xhorxhia. Ai ka shërbyer në postin e Presidentit nga viti 1977 deri në vitin 1981.

Pas largimit nga detyra, Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij Rosalynn hapën Qendrën Carter dhe për punën e tij në këtë organizatë ai fitoi çmimin Nobel të Paqes. Ai gjithashtu njihet për punën e tij me organizatën “Habitat for Humanity”, e cila ndërton shtëpi për njerëzit në nevojë.

Presidenti Biden i ka dërguar një mesazh lutjesh ish- presidentit Carter dhe familjes së tij.

Pas diagnostikimit të tij me kancer në vitin 2015, Presidenti Carter kishte thënë se “kam bërë një jetë emocionuese, me aventura dhe të kënaqshme”./VOA

Previous articleGjendet i vdekur brenda “shtëpisë së barit” një shqiptar në Spanjë, policia zbardh detajet
Next articleJoseph: Njohja e Kosovës nga Ukraina mund të afirmojë rendin perëndimor në Ballkan