Është ironia e fatit. Dhe mbi të gjitha, ironia e Champions League tani pa një skuadër franceze, por edhe paradoksin i PSG-së, që vazhdon të jetë jashtë kupës…
Sakaq, në garë janë ish-trajnerët, ata që nuk i përshtateshin sheikut të Katarit, që dikur shkarkoheshin, por shkëlqenin diku tjetër. Tuchel mbi të gjitha, me Chelsean, si kampionë në fuqi.
Por në mesin e tetë më të mirëve në Europë është edhe Real Madridi i Ancelottit, dhe për herë të parë në karrierën e tij edhe Emery me Villarrealin e papritur. Dhe për klubin poshtë Kullës Eifel, gjithçka që mbetet është gjetja e një pasuesi të Pochettinos.
“Ironia, – shkruan gazeta, – e preku PSG-në tri herë, si Benzema”, duke iu referuar humbjes 3-1 në “Bernabeu”. I pari që goditi ishte pra Ancelotti, trajneri i parë i sheikut, që u largua pas një sezoni e gjysmë kampionati, në vitin 2012. Carletto shkoi për herë të parë në Madrid, dhe fitoi “të dhjetën” e famshme. Te Reali, ai u rikthye verën e kaluar, për të larguar tani nga Champions League ish-skuadrën e tij.
Lamtumira në Paris i solli fat Tuchelit, i cili 14 muaj më pare u largua, për t’u ulur në stolin e Chelseas, ku fitoi edhe Champions League. Dje, me gjithë problemet që lidhen me sanksionet ruse kundër oligarkëve, blutë e trajnerit gjerman fituan një vend në çerekfinale ndaj Lille, e cila vitin e kaluar mohoi titullin kombëtar PSG.
Së fundi, është rasti Emery. Spanjolli që hyri në historinë pariziene për rikthimin e pësuar në “Camp Nou” në vitin 2017 (nga 4-0 në 6-1), nuk kishte arritur asnjëherë të kalonte pragun e turit të dytë të Champions League. E bëri dje me Villarrealin, duke eliminuar Juven, me një 3-0 që të kujton atë të “Bernabeut”.
Me pak fjalë, dështimi me PSG-në, është i mirë për karrierën e një trajneri kur është larg Parisit. Një ogur i mirë për Pochettino që duhet të largohet në qershor, për t’u rikthyer në Premier League. Ndërkohë, tashmë në Paris ka nisur gjuetia për pasardhësin, që më në fund mund t’i japë ëndrrën e Championsit sheikut të Katarit.
Përtej përparësisë Zidane, thashethemet për Conten, për Mourinhon apo Simeonen, nuk konfirmohen. “L’Equipe” propozoi dhjetë emra, duke përfshirë edhe Inzaghin dhe mbi të gjithë, Thiago Mottan, një ish që në thelb tashmë njeh çdo cep të klubit. Ndoshta ajo që duhet për të thyer magjinë.