Home Ekonomia IPARD III, Krifca: Fituam besimin e BE, shtohen sektorët që do të...

IPARD III, Krifca: Fituam besimin e BE, shtohen sektorët që do të mbështeten

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se IPARD II, programi i Bashkimit Evropian për mbështetjen e subjekteve në zinxhirin nga ferma deri tek agropërpunimi dhe zhvillimi i zonave rurale në Shqipëri po rezulton i suksesshëm.

Krifca mori pjesë në takimin e I-rë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARDIII, 2021-2027, që u zhvillua në Pezë, të Tiranës, në një prej bujtinave të mbështetura nga ky program.

Takimi bëri bashkë përfaqësues të lartë të DG-Agrit të Komisionit Evropian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri, si dhe aktorë nga të gjithë sektorët e linjës dhe sipërmarrjes private.

Krifca e cilësoi këtë takim, një hap të ri dhe të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe të bujqësisë shqiptare drejt rritjes së produktivitetit, qëndrueshmërisë, rritjes së të ardhurave, sigurisë dhe standardeve evropiane.

“Me mbështetjen e programit IPARD sipërmarrjet në Shqipëri po ndërtojnë një realitet tjetër në ekonominë e tregut, duke modernizuar ekonominë e vendit dhe zhvilluar zinxhirin bujqësor, sipas standardeve të BE-së ku duam të aderojmë”, tha ministrja.

Krifca informoi drejtuesit e programit mbi ecurinë e zbatimit të IPARD II, sukseseve dhe vështirësitë e këtij programi dhe asaj që solli në bujqësinë shqiptare duke hapur perspektiva të reja.

Ministrja tha se, ka përfunduar tashmë puna përgatitore që edhe IPARD III të jetë po aq i suksesshëm, duke pasur në fokus masa të reja mbështetëse edhe për fermerët e rinj dhe gratë që të mos braktisin zonat rurale.

”Suksesi i programit IPARD ka në themel përpjekjen titanike të kryeministrit Edi Rama, i cili vlerësoi këtë program dhe pa që rezultatet ishin reale, janë investime të prekshme, të cilat përkthehen në buxhetin e shtetit shumë e më shumë, sesa ato vlera që ne i dedikojmë këtij programi”, u shpreh Krifca.

Ajo tha se qasja, orientimi i fermerëve dhe sipërmarrjeve që kanë zgjedhur të merren me një sektor të vështirë siç është bujqësia, drejt formalizimit, ekonomizimit dhe të bërit biznes sipas rregullave të BE-së, tregon se fermerët tanë, janë ata të parët që na kanë futur në BE.

Ishte pikërisht kjo bazë pozitive dhe angazhimi i qeverisë që ndikoi në vendimin e Komisionit Evropian më datë 9 Mars 2022, me një buxhet grant shtesë (BE dhe Qeveri Shqiptare) me 146 milionë euro ose rreth 52 milionë euro ose 55% më shumë sesa Programi IPARD II mbështetje për bujqësinë shqiptare.

Instrumenti do të ndihmojë që të gjenerohen më shumë se 79 milionë euro investime private, të cilat do të prodhojnë vlerë të shtuar në bujqësi, blegtori, agropërpunim.

Kjo mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, do të injektojë në total mbi 225 milionë euro investime nga 169.9 milionë euro që janë nën Programin IPARD II) në zonat rurale të Shqipërisë.

Ministrja e vlerësoi IPARD III-shin, mbështetje në ndërtimin e një rruge të sigurt zhvillimi, ku bujqësia shihet e integruar si pjesë e një ekosistemi, që ofron shërbime pozitive për zonat rurale dhe përbën një gur themeli në zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë.

Krifca tha se, objektivi ambicioz i qeverisë është zhvillimi i një bujqësie të qëndrueshme, nën moton e objektivave të BE-së përsa i takon Agjendës së Gjelbër 2030, ku ne kemi angazhime serioze për rritjen e prodhimit organik.

Lajtmotiv i IPARD II ka qenë vendosmëria për t’ja dalë me zhvillimin e këtij sektori.

“Fituam besimin e Bashkimit Evropian, ndaj dhe shtohen sektorët që do të mbështesim me IPARD III”, deklaroi ministrja.

“Përtej masave të aplikuara në IPARD II, në këtë program mbështesim dhe inkurajojmë aktorët ekonomikë që të përdorin raca autoktone, të rivitalizojnë agrosistemet tradicionale, si për shembull ullishtet tradicionale, të rrisin sipërfaqet e certifikuara apo të shfrytëzojnë në mënyrë të qëndrueshme kullotat, burimet peshkore dhe të akuakulturës”, u shpreh Krifca.

Këto masa, vijoi ajo, janë pjesë e strategjisë së re të bujqësisë, dokument i cili drejton punën tonë për shtatë vitet në vijim.

“Për herë të parë, përmes IPARD III, do të zbatohet qasja LEADER, një program që ka transformuar zhvillimin rural në Evropë. Gjithashtu IPARD III do të ndihmojë për herë të parë edhe investimet në infrastrukturën publike në zonat rurale për të sjellë më pranë produktet bujqësore me tregjet ekzistuese, apo të reja që mund të ndërtohen në kuadër të kësaj mase. Krahas masave të reja të përfshira në këtë program, janë parashikuar edhe sektorë të rinj, që marrin fokus kryesor të tillë si: sektori i Ullirit dhe vajit të Ullirit; bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit”, informoi ministrja.

Krifca tha se, “është detyrë e këtij komiteti që të detajojë hapat që këto mundësi t’i bëjnë sa më shpejt të mundura për t’u përdorur nga operatorët shqiptarë”.

“Sot vijmë përpara jush me rezultate mjaft pozitive përsa i takon përmbushjes së dokumentacionit të kërkuar lidhur me procesin e marrjes së besimit për zbatimin e buxhetit të Programit IPARD III”, deklaroi Krifca, teksa renditi edhe finalizimin me sukses të Marrëveshjes Sektoriale; përgatitjen dhe dorëzimin në kohë të paketës së akreditimit për Autoritetin Menaxhues dhe Agjencinë IPARD për masat që mbarten nga Programi IPARD II (masat 1; 3; 7 dhe 9) dhe përgatitjen intensive për masat e reja në IPARD III të tilla si: masa Agro-ambientale dhe bujqësia organike; Zbatimi i strategjive lokale të zhvillimit – qasja LEADER; Zbatimi në Infrastrukturën Publike Rurale; Shërbimi Ekstensiv dhe ngritja dhe mbrojtja e pyjeve.

Në këtë takim të rëndësishëm, fjalën e mori edhe Frank Bollen nga DG Agri i Komisionit Europian. Bollen e konsideroi një ditë unike takimin e Komitetit Monitorues të IPARD II, sepse siç tha ai, “është hera e parë që Komiteti i Monitorimit mblidhet në një zonë rurale dhe mund të shikojmë në realitet jetësimin e mbështetjes në investim”.

“Ju po vazhdoni të implementoni IPARD II me një ritëm shumë të mirë. Viti i kaluar nuk ishte vit i lehtë dhe kur kthejmë kokën pas, shohim ndryshimin dhe themi se po, ju ia dolët dhe ia arritët. Ky është një sinjal i mirëpritur. Ne besojmë se me angazhimet e përbashkëta do të arrijmë të implementojmë programin IPARD III me sukses. Ne do t’ju inkurajomë”, u shpreh Bollen.

Ndërsa Andea Vera nga Delegacioni i BE-së në vendin tonë, drejtues i programit të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, vuri në dukje se, “BE është donatori, mbështetësi dhe partneri më i madh i ekonomisë shqiptare dhe kjo është më e dukshme në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë dhe kjo falë programit IPARD, por edhe projekteve të tjera që kanë mbështetur start up-et në biznese apo programe të tjera”.

“Që nga viti 2018 kemi parë një implementim premtues dhe shpejtësia e zbatimit ka qenë më e shpejtë nga pritshmëritë. Faktorët kryesorë në këtë proces janë përfshirja dhe përpjekja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe padyshim përkushtimit të fermerëve”, deklaroi Vera.

Në takim e morën fjalën dhe sipërmarrës e fermerë, përfitues të mbështetja nga programi IPARD, të cilët përcollën eksperiencën e tyre të suksesshme në bizneset që kanë ngritur dhe por zhvillojnë në sektor të ndryshëm të ekonomisë rurale, falë granteve nge IPARD II dhe vlerësuan vijueshmërinë e mbështetjes së BE-së dhe qeverisë shqiptare për bujqësinë përmes Programit të ri IPARD III.

Previous article“Është vajzë e rritur”/ Kiara u “masakrua” nga opinionistët, Ronaldo tregon pse nuk e mbrojti: Brenda kishte Luizin që…
Next articleDeklarata e papritur e presidentit të Al-Nassr: Me Cristiano Ronaldon më kanë mashtruar