Home Ekonomia Inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% brenda 2024-s

Inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% brenda 2024-s

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se inflacioni bazë pësoi një rënie të mëtejshme për muajin korrik dhe zbriti në nivelin më të ulët në një vit e gjysmë, në 4.65%, nga 5.18% që ishte në qershor. Niveli i korrikut është më i ulëti që prej shkurtit 2022.

Përveç rënies së inflacionit vjetor bazë, edhe rritja mujore e indeksit të çmimeve të inflacionit bazë rezultoi me e ulët, me vetëm 0.02%, rritja më e ulët mujore në dy vitet e fundit, shkruan “Panorama”.

Mbështetur në analizën e raportit të fundit të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet brenda objektivit prej 3% deri në fund të vitit 2024.

Këtë vit, çmimet e importit, leku i fortë dhe politika e shtrënguar fiskale i kanë mundësuar Bankës së Shqipërisë të mbajë kushte monetare relativisht të çliruara, krahasuar me Eurozonën dhe shumicën e ekonomive të tjera europiane.

Rënia e inflacionit bazë është një tregues i dobësimit të presioneve inflacioniste në ekonomi. Inflacioni bazë po ndjek tendencën rënëse të inflacionit mesatar në ekonomi, që në muajin korrik zbriti në 4.2%, edhe ai në nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022. Inflacioni i plotë i shportës së çmimeve të konsumit sidoqoftë ende paraqitet më i ulët se inflacioni bazë, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Megjithatë, gjatë muajit gusht çmimet e naftës i janë kthyer një rritjeje të shpejtë, që mund të rezultojë në në frenimin e rënies së inflacionit për muajt në vazhdim.

Në përgjithësi, këtë vit inflacioni në ekonomi ka shfaqur një tendencë rënëse, i nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet e huaja, efekti i bazës krahasuese, rritja e normave të interesit dhe nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor. Kjo situatë ka bërë që Banka e Shqipërisë të frenojë rritjen e mëtejshme të normave të interesit, megjithëse inflacioni ngelet ndjeshëm sipër objektivit prej 3%.

Previous articlePolicia Rrugore me ‘dorë të hekurt’, arrestohen 8 shoferë dhe dhjetëra të proceduar
Next articleGjermani, reshje të dendura dhe stuhia përfshijnë rajonin e Bavarisë