Home Dossier Ilirjana Kërçuku, mjekja e pasionuar onkologe që bëri karrierë edhe në politikë

Ilirjana Kërçuku, mjekja e pasionuar onkologe që bëri karrierë edhe në politikë

ilirjana kercukuNga Xhevahir Gradica / Bluzat e bardha kanë privilegjin e veçantë dhe të madh të jenë gjithnjë të adhuruar nga qytetarët. Jo thjeshtë se afrojnë shërbim mjekësor, por edhe se sakrifikojnë shumë. Misioni i nxit të qëndrojnë pranë pacientëve në çdo çast, t’ua lehtësojnë dhembjet, t’u japin shpresë e besim për jetën. Vizita mjekësore të panumërta, shërbimi në urgjencë, nxitimi ditën e natën për tek pacienti u kanë dhënë dhjetra mjekëve në Durrës status që nuk mund të barazohet dhe as të krahasohet me asgjë. E tillë ka qenë edhe jeta e mjekes dhe doktoreshës Ilirjana (Vogli) Kërçuku. Për vite me rradhë stetoskopi, leksionet, praktikat dhe përvoja e fituar kanë qenë frutet e arritjes së suksesit të saj. Ishin vitet kur në Shqipëri punën e aparaturave të sofistikuara e bënin vetëm veshët, intuita, konsulta mes kolegësh, dispensat, leksionet. Karriera e saj nisi në Pukën e largët. Fare e re, 24 vjeçe. Më pas në poliklinikën e qytetit të lindjes, në Durrës. Emrin e mirë e krijoi me mundin dhe përkushtimin e vet. Fillimisht si mjeke e përgjitshhme dhe më pas onkologe. Specializimi do ia ngushtojë shumë mundësitë për të shërbyer dhe qëndruar pranë bashkëshortit dhe dy djemve. Megjithatë mundi t’ia dilte mbanë. Sëmundjet onkologjike ishin bërë serioze në një sërë ndërmarrjesh. Mjekja Kërçuku në kohën e debistimit vuri re se një numër shumë i madh grashë në këto ndërmarrje dhe të një moshe relativisht të re ishin prekur nga kanceri. Përkushtimi i saj shpërblehej me mirënjohjen dhe urimet që merrte. Por dr. Kërçuku do të guxojë edhe më tej. Si mjeke, nënë, grua, bashkëshorte, intelektuale guxoi të bëhej zëdhënëse e përpjekjeve për të emancipuar shoqërinë. Pasi bën karrierë në politikë, kohë që i dha mundësinë të miqësohej me politikanë e intelektualë të shumtë në të gjithë Shqipërinë, arrin të shkojë edhe më tej. Fiton mandatin e deputetes dhe bëhet pjesë e zhvillimeve politike në kohën që Shqipëria digjej, në kohën që krimi vriste në çdo çast. Nuk qe e vetme në këtë rrugëtim. Guxoi e fitoi duke krijuar fizionominë e vërtetë dhe të plotë të një femre që e do jetën, familjen, shoqërinë, vendin dhe përparimin.
Familja
Ilirjana Vogli pati fatin se u rrit nën kujdesin e dy prindërve të shkolluar. I ati, Ramazani dhe e ëma, Myzejeni, ishin të arsimuar. Të dy kishin kryer arsimin e lartë në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë. Për fëmijët e familjes një fakt i tillë nuk ishte pak ngase kjo u dha mundësi shkollimi. Suzana, fëmija i parë i famijes Vogli ndoqi hapin e prindërve dhe u diplomua në Ekonomik. Tivori në Inxhinieri dhe Ilirjana në Mjekësi. Ramazani ushtroi funksione të ndryshme drejtimi në ndërmarrje e institucione, ndërsa arriti deri në pozitat e kreut në ekzekutivin e qytetit të Durrësit. Edhe e ëma qe administratore. Këto detaje ndikuan shumë në formimin e të tre fëmijëve. Ilirjana e vlerëson jashtëzakonisht faktin se në krijimin e personalitetit të saj si femër e si intelektuale patën ndikim të fortë të dy prindërit. Nuk është se mban mend shumë përkëdhelitë, ndërsa ka kujtime pa mbarim të tryezave me prindër për ecurinë në shkollë e në fakultet. Ndonëse babë e nënë ishin arsimuar në Ekonomi, ata u krijuan fëmijëve të tyre një bibliotekë modeste dhe të pasur. Në kujtimet e Ilirjanës, vinë tituj të shumtë të librave artistikë të cilat prindërit ua këshillonin fëmijëve për lexim jashtëklase. Biblioteka pati ndikimin e vet pasi i dha mundësi Suzanës, Tivorit dhe Ilirjanës të zgjeronin botën e tyre. Vajza që më pas u bë mjeke, u rrit nën autoritetin e plotë të familjes. Jeta fëmijërore, gjimnazi dhe vitet si studente të Ilirjanës u shoqëruan me rregullësinë e kujdesshme dhe të programuar. Në shtëpinë e tyre kishte orar për të lexuar, për të studiuar, për të ngrënë, për të diskutuar, madje dhe për të fjetur e për t’u zgjuar. Miqtë dhe shoqëria e prindërve që hynin e dilnin në raste gëzimesh dhe festimesh të ndryshme familjare zgjeruan edhe shoqërinë e fëmijëve. Ilirjana u martua në derën e familjes Kërçuku. Ismaili, bashkëshorti i saj i ardshhëm, hynte e dilte në shtëpinë e vajzës së bashku me prindërit. Baballarët e çiftit të ardshhëm Ilirjana e Ismail punonin së bashku tek ndërmarrja pyjore. Ishin shokë e miq dhe lidhja të rinjve e forcoi edhe më tej këtë miqësi. Vajza e derës Vogli e njihte Ismailin disa vite para se ata të lidhnin kurorë, megjithatë ishte fjala dhe pëlqimi i prindërve që shkuan drejt vënies së kurorës. Ismaili shërbente si oficer në anijen “Vlora” dhe mundësia të rinjve për t’u takuar ishte e rrallë. Në kohën që Ilirjana diplomohet, emërohet mjeke në Durrës. Pikërisht në këtë kohë vjen edhe krijimi i familjes së re. Çifti Ismail e Ilirjana Kërçuku sollën në jetë dy djem. Ermali ka kryer studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, kurse Jergen në Fakultetin Juridik.
Shkollimi
Familja dhe shkollimi do të krijojnë fizionominë e plotë të Ilirjana (Vogli) Kërçukut. Filloren e kreu në shkollën “Maliq Muça” në qytetin e Durrësit, ku mësoi për mrekulli pianon dhe po aty edhe gjimnazin “Gjergj Kastrioti”. Ishte e para maturë e kësaj shkollë pas shkëputjes nga arsimi profesional. Rezultatet qenë shumë premtuese ndaj vajza e kishte të sigurtë të drejtën e vijimit të studimeve të larta. Nota mesatare në gjimnaz kishte ndikim të fortë pasi ishte mesatarja ajo që përcaktonte nëse maturanti mund të shkonte ose jo në shkollën e lartë. Rezultatet e larta të fituara krijuan bindjen tek vajza se në shtator të vitit 1971 do të ishte studente. Ilirjana i kishte rrugët e hapura edhe falë pozicionit të të atit, por gjithçka e fitoi dhe e meritoi me përpjekjet e veta. Vajza e kishte me shumë dëshirë të vazdhonte për mjekësi dhe për këtë arsye nga tri preferenca që duhej të shprehte studenti ajo plotësoi vetëm një, atë të mjekësisë. Kështu edhe ndodhi. Me të ardhur shtatori i vitit 1971 nisi të marrë leksionet në Mjekësi. Tre vitet e para shkollimin e lartë e kreu vajtje-ardhje, rrugëtim që ndodhte me pjesën më të madhe të studentëve të cilët banonin në Durrës. E mori me shumë dëshirë ndaj edhe iu përkushtua në mënyrën më serioze studimeve. Rruga nuk ishte edhe aq e lehtë. Duhej të zgjohej herët dhe të gjendej tek stacioni i trenit në para orës 6.30, kohë që nisej treni i studentëve. Zgjimin e përditshëm ia bënte e ëma e cila kujdesej edhe për t’i gatitur ushqimin. Ndërkohë që Ilirjana bëhej gati, e ëma rregullonte bukën për vajzën, ia paketonte në letër dhe ia fuste në çantë. Të gjithë nxënësit dhe studentët në atë kohë e merrnin ushqimin me vete. Kishte abone dhe kjo e ndihmonte të mos shpenzonte shumë. Bashkë me Ilirjanën udhëtonin, po me tren, për në Fakultetin e Mjekësisë edhe studentët e tjerë si: Roland Katroshi, Dhurata Qese, Valentina Kote, Naxhie Xaxa, Mira Zajmi. Nuk ishin shumë studentë nga Durrësi në këtë fakultet, ndaj ata nuk ndaheshin në vajtje e në ardhje. Kthimin zakonisht rreth orës 14, por shpesh e shpesh edhe në mbrëmje, apo me trenin e orës së fundit. Kjo ndodhte kur studentët kishin praktikë në kimi, fizikë, anatomi patologjike. Praktikat kryheshin në Faklutetin e Shkencave, ose në spital . Treni u shërbente për të bërë një sy gjum, për të përsëritur shënimet, për të diskutuar lidhur me leksionet e fundit e kështu me rradhë. Shfytëzonin shumë mirë kohën e udhëtimit, praktikë e përvitshme dhe e përhershme e studentëve të Durrësit. Dy vitet e fundit të studimeve 6-vjeçare për Mjekësi, Ilirjana Kërçuku i kreu në kushtet e studentes konviktore. Fjetina vajzave të mjekësisë ishte pranë spitalit. Në dhomë ishte me studenten nga Durrësi Valentina Kote. Nuk e kapte dot linjën e trenit pasi kishte shumë orë të zgjatura pasdite, kohë që i duhej të ishte pranë pacientëve së bashku me shefin e pavionit, apo edhe me pedagogun udhëheqës të praktikës. Praktikat ishin me rëndësi të veçantë. Nuk bëhej fjalë për t’iu shmangur. Fakultetit i kushtonte kësaj faze një rëndësi të jashtëzakonshme ngase nga aty studentët dilnin në jetë. Stetoskopi, marrje dhe përdorim anamneze për historikun e sëmundjes së pacientit që bënte regjim spitalor ishte pjesë e detyrimit të çdo praktikanti. Studenti në këtë periudhë të arsimimit të tij arrinte të bënte edhe plotësimin e kartelave të të sëmurëve, gjithnjë nën vëzhgim të plotë dhe të rreptë të pedagogëve. Edhe vet studentët i kushtonin vëmendje konsultave me mjekët specialistë dhe shefat e pavioneve apo reparteve të cilët orientonin me shumë vëmendje studentët. Pedagogët Pandeli Çina në kardiologji, prof. Gergji dhe Eglantina në okolistikë, apo prof Josif Adhami në sëmundjet e brendshme ishin shumë këmbëngulës në edukimin sa më profesional të studentëve. Nuk munguan edhe rezultatet. Vajza Ilirjana Vogli u nda shumë mirë me studimet dhe priste emërimin.
Emërimi
Asnjëherë nuk e kishte çuar në mendje se me të përfunduar studimet do të emërohej në qytetin e largët verior, në Pukë. I ati saj kishte jo pak njohje, shoqëri e miqësi për të ndikuar në këtë drejtim. Nuk e bëri i bindur se vajza do të ecte me këmbët e veta dhe pa asnjë ndihmë e shtytje, siç kishte ndodhur deri në përfundimin e fakultetit. Emërimi bëhej nga ministria dhe Ramazan Vogli nuk ndërhyri fare. E pranoi pa më të voglën mërzi emërimin e së bijës në Pukë, madje e shoqëroi vetë në udhëtimin e saj të parë drejt Veriut. Ilirjana mban mend atë udhëtim duke e cilësuar të gjatë, të lodshhëm dhe të vështirë. Rrugët ishin të këqia, me kthesa dhe gropa. Orë të tëra udhëtimi. U nis në të gdhirë dhe arriti në mbrëmje në Pukë. Qyteti gjallëronte. Atje gjendej edhe korpusi më i madh në Veri. Kishte shumë ushtarak, mjekë, arsimtarë, ekonomistë, inxhinierë, financierë nga rrethe të ndryshme të vendit. Vajza nga Durrësi ishte 24 vjeçe teksa bëhet pjesë e stafit mjekësor në spitalin e këtij qyteti. Kolegët Ilir Budo, dr. Ndroqi, Tahir Shazivari e të tjerë e pritën shumë mirë. Së bashku me vajzën e familjes Vogli drejt Pukës udhëtoi edhe mjekja e re Vasilika Rupi. Të dyja me nga një çantë druri, të mbushur me rroba e libra. Ato u sistemuan në një banesë e cila ishte në administrim nga seksioni shëndetësisë. Këtu nisi edhe karriera e mjekes e cila nuk do të ketë fatin e kolegut, Tahir Shazivari i cili qëndroi për shumë vite në atë zonë malore. Ilirjana mban mend se dimri atë vit erdhi shumë herët dhe veç borës së madhe, temperaturat shënuan deri në minus 15 gradë. Megjithatë ruan shumë mbresa të forta për mikëpritjen, sinqeritetin, ndershmërinë, bujarinë dhe zgjuarësinë e banorëve të zonës. Kujton familjen e Shuaip Kopani e cila kishte 10 fëmijë dhe mjeken e re e quanin fëmijën e tyre të 11. Me ta u miqësua shumë dhe vazdhon të ruajë edhe sot lidhjen e fortë.
Me bluzën e bardhë
Në korrikun e vitit 1977 Ilirjana dha provimin e formimit, të diplomës. Kështu ishte struktura në atë periudhë. Diplomimi vinte pas një viti punë. Me të mbrojtur diplomën, emërohet në Durrës, mjeke e përgjitshhme në poliklinikën e qytetit. Kjo është edhe koha që vajza njihet dhe fejohet me bashkëshortin e saj të arshëm Ismail Kërçuku. deri në vitin 1985 ka shërbyer si mjeke e përgjitshhme, si mjeke urgjence dhe mjeke në shkollë. Për shkak të nevojave dhe falë rezultateve të saj të larta në vitet e studimeve, përfiton të drejtën e specializimit. Për 20 muaj i shtrohet specialitetit të onkologes duke qëndruar pranë pedagogëve me emër të madh si Adelina Mazreku, Xhevdet Harasani, Shahin Kadare, dr. Kosturi etj. Ilirjana kishte dy fëmijë dhe të dy shumë të vegjël. Kështu që barra e kujdesit për ta ra shumë mbi bashkëshortin, nënën e të shoqit dhe nënën e saj. Edhe këto muaj specializantja për onkologji do i kryejë me sakrificë, duke shkuar e ardhur me tren Durrës-Tiranë. Njohuritë e fituara në saj të një vullneti dhe këmbëngulje të fortë iu vlerësuan më pas sapo mjekja përfundon specializimin. Kthimi në poliklinikën e qytetit ku shërbeu për disa vite e përcjellë në kabinetin e onokologjisë. Detyrë kryesore për të bëhet debistimi aktiv dhe parandalimi sëmundjeve kancerogjene, sensibilizimi i popullatës, afrimi i informacionit të rregullt dhe të bollshëm për sëmundjen e shekullit. Ilirjana Kërçuku e nis çdo gjë me verefikimin në terren. Kalon pranë çdo ndërmarrje për të parë kushtet e punës dhe për të debistuar. Durrësi kishte ndërmarrje e uzina të mëdha si kimiken në Porto Romano, plastikën, fabrikën e gomës, nish cigaren, kantinën e disa të tjera. Numri punëtorëve në disa prej tyre kalonte të 1800-2000 vetëve dhe afro gjysma ishin gra e vajza. Me këtë kongjent Kërçukut i lypsej të punonte shumë, së pari për t’i edukuar kulturën shendetësore dhe së dyti për t’i ndërgjegjësuar në debistimin e nevojshëm. Të dhënat që merr në terren do i shërbejnë edhe përgatitjes jo shumë kohë më pas të një studimi, shifrat dhe faktet e të cilit janë tronditës dhe shumë rrënqethës. Gra e vajza në këto ndërmarrje rezultonin të prekura nga kanceri. Thuajse asnjëra prej tyre nuk kishte bërë as kontrollin më të vogël mjekësor. Bëhej fjalë për mosha të reja. Ilirjana ka bërë të qartë se të prekurat nga kanceri ishin më së shumti 35-40 vjeçaret, por kishte edhe mosha të tjera. Ndotja e mjedisit, mungesa e masave mbrojtëse, kequshqyerja ishin shkaktarë kryesorë në statistikat alarmante. Mjekja ka parë vet se si gratë nuk e pinin qumështin dhe as nuk e hanin vezën e sheqerin që e kishin në racion të përditshëm në kuadër të trajtimit ushqimor. Gjendja shumë e vështirë ekonomike e familjeve i detyronte të punësuarat ta ruanin qumështin për fëmijët. Dr. Kërçuku mban mend se në atë kohë ishte e vështirë t’u tregohej femrave, grave, se ishin të prekura nga kanceri. Frika nga ndonjë veprim ekstrem i shtynte bluzat e bardha të ishin të kujdeshëm për të ruajtur jetën e pacienteve. Teknologjia e prapambetur që përdoreshin në këto ndërmarrje, lënda e parë, ambjenti ishin shkaktarë kryesorë të prekjes nga kanceri që tek gratë shfaqej më së shumti në organet e gjirit dhe në mitër, kurse tek burrat në mushkëri dhe prostatë. Propagandimi, sensibilizimi, diagnostikimi patën jo pak ndikim. Profesionit dhe misionit për të ndërgjegjësuar gratë në edukimin sa më të shëndetshëm shëndetësor, Ilirjana Kërçuku nuk iu nda edhe kur onkologia u zgjodh deputete.
Mjekja deputete
Ilirjana Kërçuku qe ndër intelektualet e para që iu bashkëngjit lëvizjeve politike të vitit 1991.Është ndër zërat e parë të forumit të shoqatës së gruas socialiste në Durrës dhe anëtare e komitetit të përgjitshhëm drejtues në selinë rozë në Tiranë për dhjetë vite. Së bashku me të, aktiviste femra me njohje të gjerë në qytetin bregdetar ishin edhe arsimtarja Amelika Veliu, inxhinierja Tatjana Bali, ekonomistja Linda Shani apo kolegja e mëvonshme e Kërçukut në parlament Natasha Paço. Për shkak të angazhimeve të tilla politike deri në forumet më të larta lokale e kombëtare, në vitin 1996 kandidohet për deputete, mandat njëvjeçar që pasoi me zgjedhjet e parakoshhme të përgjitshhme të vitit 1997. Ilirjana Kërçuku, Natasha Paço do të jenë dy zërat femëror që do i bashkohen korit të politikës në Kuvend në një periudhë të ngarkuar me episode dramatike e tragjike për vendin. Socialistët e Durrësit kishin marrë pesë mandate. Së bashku me Kërçukun e Paçon, në Parlament ishin edhe Bardhyl Agasi, Spartak Braho e Zihni Beqiraj. Mandati i asaj periudhe qe shumë i vështirë pasi pati zhvillime dhe ngjarje nga më të ndryshmet. Megjithatë Kërçuku nuk e pati të vështirë të ruante ekuilibret si dhe të përpiqej për të ndikuar në normalizimin e situatës. Duke qenë për vite të tëra në kupolën e lartë politike, mjekja onkologe që nuk iu nda profesionit edhe pasi u bë eksponent kryesor në politikë, pati miqësi të konsideruar me politikanë të kohës: Fatos Nano, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Spartak Poçi, Arta Dade. Për shkak të kulturës dhe edukatës Kërçuku pati miqësi edhe me politikanë të të djathtës si me Mela Mojsiu, Mira Kauri, Klodian Pajuni e të tjerë. Një ndër nismat e kësaj periudhe në aspektin e krijimit të imazhit të vendit është pjesmarrja e saj aktive në komisionin parlamentar për shëndetësinë. Po në këtë kohë së bashku me ministrin e Shëndetësisë Leonard Solis dekoruan Institutin e Shërbimeve Mjekësore në spitalin e Janinës për kontrbutin shumë të madh që dha në periudhën e vështirë të vitit 1997. Por më shumë rëndësi është bashkëpunimi saj me shumë aktorë të tjerë të politikës për të bindur qeverinë në zbatimin e projektit për ndërtimin e spitalit të ri të Durrësit. Me të mbyllur mandatin e deputetes në vitin 2001, Ilirjana Kërçuku emërohet këshilltare për mjekësinë në kabinetin e ministrit të Shëndetësisë Mustafa Xhani. Onkologia është një ndër emrat me peshë në tryezat e njëpasnjëshme të organizuara për shëndetësinë, luftën kundër dhunës ndaj gruas, luftën kundër prostitucionit apo edhe në auditore e konferenca mjekësore me peshë kombëtare. Për shkak të vullnetit dhe seriozitetit, bëhet pjesë aktive e organizatës ndërkombëtare ILOS që shërben për përcjelljen e zhvillimeve më të reja në fushën e mjekësisë botërore. Kështu në kuadër të këtij forumi intelektual mjekësor, dr. Ilirjana Kërçuku është bërë pjesë e shumë vizitave jashtë vendi për shkëmbim përvoje me klinika shumë të specializuara. Tani që përvoja e saj si mjeke dhe si onkologe është për t’u pasur lakmi, vet Kërçuku nuk resht së punuari dhe kryesisht në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për kulturën shëndetësore.