Home Opinion I vetmi vendim i drejtë i mundshëm

I vetmi vendim i drejtë i mundshëm

Nga Skënder Minxhozi

Kryeministri Rama i dha një të prerë të fortë timonit të vendosjes së fashës kufizuese 800 kilovat për familjarët pas 1 tetorit, duke evituar kështu tkurrjen sociale te rradhës për shqiptarët. Në vend të një date fatale që do të prodhonte fatura të larta energjie, një tetori do të jetë gongu i fortë për të kursyer, në portat e një dimri që do të jetë ndër më të vështirët që mbahen mend në Evropë.

Ka qenë i vetmi vendim i drejtë që Edi Rama mund të merrte sot për xhepat e shqiptarëve. Një vendim që i thërret arsyes së thjeshtë se thika e krizës së çmimeve ka shkuar tashmë mjaft thellë në indin social të Shqipërisë. Kjo kthesë e minutës së fundit merr parasysh jo vetëm situatën hidrike në vend, por edhe efektin që ka pasur tek shqiptari i thjeshtë alarmi i 800 kilovatëve.

Prej javësh asistojmë në një maratonë mediatike në lidhje me temën, debate televizive, komentet ekspertësh, llogaritje shifrash, reagime njerëzish të thjeshtë që kanë nisur të numërojnë me gishtat e dorës kilovatët e lavatriçes, frigoriferit apo kondicionerit të shtëpisë. Një sport kombëtar i ri ekspertësh të sajuar të energjisë mbiu kudo në familjet shqiptare.

Energjia elektrike ishte një premtim solemn i Ramës pas fillimit të luftës në Ukrainë, kur çmimet e energjisë, karburantit, mallrave ushqimore e shërbimeve, kërcyen të gjitha në një kohë duke kolapsuar bursat e zbrazur xhepat e konsumatorëve kudo në botë. Kryeministri premtoi pas fillimit të luftës, atëhere kur nafta shokoi shqiptarët me kalimin e pragut 200 lekë për litër, se do të linte të ekspozuar rritjen e karburanteve, për të mbajtur nën fre energjinë elektrike. Shumëkush e pranoi me zemër të thyer asokohe këtë kompromis, duke menduar pasojat e frikshme që do të sillte rritja edhe e çmimit të energjisë elektrike.

Ne shqiptarët jetojmë prej thuajse gjysëm shekulli me “fetishin”e Fierzës. Jemi ndër të paktët popuj që dimë në çdo kohë nivelin e ujrave në këtë kaskadë, që dimë kapacitetin e digave të Drinit dhe që e shohim atë si serbatorin magjik të zgjidhjes së çdo nevoje për energji elektrike. Kjo qetësi që ka buruar rregullisht nga kjo arterie hidrike, ka bërë që në 30 vitet e fundit të mos investojmë thuajse asgjë në energjitë e reja të rinovueshme si era dhe dielli.

Më shumë se kaq, kjo qasje përtace ka bërë që prej 12 vjetësh t’i lejojmë vetes luksin fjala vjen, që të ndërtojmë me çelësa në dorë një TEC 100 megavat dhe ta mbajmë atë pa e vënë në punë, megjithëse ka kushtuar 100 milion euro dhe s’ka prodhuar ende asnjë kilovat energji, pasi ka një defekt! Marrëzi të tilla kanë ardhur sepse kemi qenë të qetë se “kemi Fierzën”!

Shqipëria ka kohë që e ka kaluar pikun e vetëfurnizimit me energji elektrike. Burimet gjeneruese nuk mjaftojnë më dhe na duhet t’i drejtohemi rregullisht importit. Do të ishte logjike dhe mëse e nevojshme që pasi të ketë kaluar ky dimër, qeveria të vihet në lëvizje për të rritur kapacitetet prodhuese të energjisë në vend, pasi bursat po e shohim sesa të paqëndrueshme dhe të shtrenjta janë.

Nga lufta në Ukrainë ka ç’të mësojë e gjithë Evropa, përfshirë Shqipërinë e vogël. Evitimi (për momentin) i fikjes së detyruar të ngrohësave dhe paisjeve elektroshtëpiake pas 1 tetorit, shpresohet të prodhojë një konsum më të përgjegjshëm të energjisë elektrike, por edhe një vetëdije të re kolektive se me energjinë duhet marrë jo vetëm kur vjen dimri apo zgjedhjet. E meqë ra fjala tek zgjedhjet, më mirë 800 mijë vota sesa 800 kilovatë!

Previous articleBerisha krahasohet me Milorad Dodik: Amerikanët atë e takojnë, po me mua çfarë dreqin kanë? Yuri Kim ta harrojë derën e zyrës sime
Next articleCOVID-19/ Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin ditor në vend