Home Bota I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Serbia nuk mund të anëtarësohet në...

I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të enjten se qëndrim i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pa e njohur Kosovën. Duke folur për gazetën serbe Nova, Sarrazin tha se hyrja e Serbisë në familjen e vendeve evropiane “nuk është e mundur as pa mediat e lira dhe demokraci”.

“Ne, nga Gjermania, kemi pasur gjithmonë qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – para përfundimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin.

Ai shtoi se një gjë e tillë “është diçka që Gjermania gjithsesi e pret”, dhe se “kjo është shprehur qartë nga kancelari Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Serbi, në qershor të vitit të kaluar”. Sarrazin tha se BE-ja është udhëheqësja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe se është e domosdoshme që palët të arrijnë marrëveshje sa më shpejt që është e mundur.

Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për Ballkanin Perëndimor, pasi kjo pozitë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.

BE-ja, ndërkohë, ka konfirmuar se, më 20 janar, përfaqësuesi i posaçëm evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëheqë një vizitë të diplomatëve evropianë dhe amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Delegacioni do të përfshijë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, si dhe një këshilltar të kryeministres italiane. Qëllimi i vizitës, sipas burimeve evropiane, është përgatitja për mbajtjen e një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Previous articleMoti i keq bën ‘kërdinë’ në Lezhë, ndërpritet energjia, evakuohen 3 familje
Next articleZbardhen 25 grabitje/ Arrestohen dy ‘skifterët’ shqiptarë në Spanjë, ja si i realizonin vjedhjet në banesa