Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, i cioli u vu në pranga dhe u akuzua për shpërdorim detyre. Mësohet se gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni kanë rrëzuar rekursin e bërë nga Tushe, i cili kërkonte lirinë.
“Vendoset mospranimi i rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,”- thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës.
Më 28 korrik të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për ish-kreun e Bashkisë së Lushnjes. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u arrestua në tetor të 2021-ës pasi akuzohet për abuzim me tendera dhe shpërdorim detyre. SPAK mbylli hetimet në ngarkim të Tushes duke e akuzuar për përvetësimin e 24 milionë lekëve të reja, tender i zhvilluar në Lushnje për rehabilitimin e kanaleve të ujitjes. Ai u arrestua bashkë me dy zyrtarë të tjerë ndërsa u shkarkua nga kryeministri Edi Rama me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nga përgjimet u zbulua se Tushe furnizonte me karburantin e shtetit makinat e të njohurve të tij dhe mbante inspektorët larg një ndërtese pa leje.