Home Sport Hodo: Në Korçë shkojmë për të marrë pikë

Hodo: Në Korçë shkojmë për të marrë pikë

teuta_1Mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, ka pohuar se skuadra është e plotë dhe se po presin me padurim zhvillimin e superndeshjes me Skënderbeun: “Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë, e cila nuk ka nevojë për koment, por nga ana tjetër edhe ne kemi një ekip cilësor që ka treguar vlera në ndeshje të mëdha. Të gjithë e dimë rendësin e kësaj sfide, sepse nuk luhet vetëm për pikë. Në Korçë luhet për prestigj, prandaj ky takim merr përmasa të tjera. Luajnë dy skuadra që udhëheqin kampionatin, fakt ky që garanton spektaklin. Kësisoj, pritet një ndeshje që i ka brenda të tria rezultatet, por që ne do përpiqemi të marrim maksimumin prej saj. Skuadra po forcohet akoma më shumë dhe fakti që përpara kësaj sfide kishim 15 ditë në dispozicion për t’u përgatitur ka ndikuar pozitivisht. Pra, kemi kohë mjaftueshëm dhe mundësi për ta përgatitur në detaj këtë përballje. Ne po punojmë intensivisht, ndaj shpresojmë që të shpërblehemi. Përveçse duhet të japim maksimumin, duhet të tregohemi edhe tepër vigjilentë për të marrë tri pikët”. Hodo ka theksuar se nuk i trembet kundërshtarit, ndërsa shton rivalët duhet t’i kenë frikë. “Pa dyshim që përballja ndaj Skënderbeut do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe me rivalitet të lartë sportiv në fushën e lojës. Përballë do jetë një skuadër, që ka të njëjtin nivel me ne. Aktualisht jemi duke punuar në drejtim të kësaj ndeshjeje dhe fatmirësisht kemi në dispozicion ende kohë për t’u perfeksionuar ashtu si duhet, në të gjitha drejtimet. Në këtë duel, ne kemi pretendimet tona, edhe pse jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtij takimi. Mirëpo nuk duhet ta mbivlerësojmë më shumë se ç’duhet. Teuta ka treguar se është mjeshtre transfertash, ku ka korrur rezultate pozitive edhe në fusha më të vështira. Prandaj ne do të shkojmë drejt Korçës me qëllimin për të bërë një paraqitje të mirë, si dhe për të kërkuar maksimumin prej saj. Teuta ka kualitete në gjirin e vet, ndaj dhe pretendimet tona nuk janë të pabaza. Këtë sezon kemi pasur ecuri të mirë. Ruajmë për një kohë të gjatë vendin e dytë dhe kemi treguar se jemi një skuadër shumë e fortë. Dëshira ime për këtë sezon është që të shpallemi nënkampionë”. Duke vijuar më tej mesfushori theksoi se skuadrat janë pak a shumë në të njëjtin nivel dhe se nuk shikon ndonjë prej tyre të favorizuar. “Do të jetë një përballje shumë e fortë, pasi skuadrat janë pak a shumë të të njëjtit nivel, për më tepër që janë më në formë për momentin në Superiore. Ne kemi një skuadër kompakte dhe me shumë kualitete dhe detyrimisht në çdo sfidë hyjmë në fushë vetëm për 3 pikët. Edhe ndaj Skënderbeut kemi të njëjtin synim. Drejt Korçës do të udhëtojmë me ide të qarta, ndërsa do kërkojmë jo vetëm të zhvillojmë një lojë të mirë, por edhe për ta fituar këtë duel. Jemi të ndërgjegjshëm të gjithë se nuk do ta kemi të lehtë, por gjithsesi nuk i trembemi asnjë skuadre pavarësisht nivelit që ka ajo. Skënderbeun e vlerësojmë shumë si kundërshtar, por nuk është se ia kemi frikën”, – ka përfunduar mesfushori i Teutës, Bledar Hodo.

Previous articleAnsi Nika: Nuk e kemi frikë Skënderbeun, do të luajmë si të barabartë
Next articleNjeriu nuk është i përjetshëm, e pavdekshme është ajo thotë e ajo që bën