Home Histori Historia e lejes për librin mbi sportet gjatë pushtimit gjerman dhe kontributi...

Historia e lejes për librin mbi sportet gjatë pushtimit gjerman dhe kontributi i autorit në Durrës

  • Dy dokumente historike të Aleksandër Xhuvanit dhe drejtorit të botimeve në vitin 1944, Mazar Sopoti
  • Luigj Shala në kujtimet e Rruf Kazazit: në vitin 1945 instruktori i parë i sportit në Durrës, Kryetar i Komitetit të Fiskulturës, nisma për ndërtimin e parkut sportiv “N. Spiru”, trainimi i boksierëve të parë, mundjes, atletikës, vet Kazazit në 12-shen e botës të hedhjes së çekiçit etj., kampionit të botës nw boks, Hilmi Reka, si dhe dhjetërave mjeshtra ndërkombëtarë

Nga Mark Brunga | Bulevard News

Kopertina e librit “Sporti dimnuer i rrëshqitjes mbi borë” të Luigj Shalës, botuar në vitin 1944

Që sportet dimërore të rreshqitjes me ski dhe slita në Shqipëri kanë filluar të aplikohen që në vitin 1918, e mëson në librin e Luigj Shalës “Sporti dimnuer i rreshqitjes mbi borë”. Një libër mjaft interesant për historikun e sportit në Shqipëri, i botuar në vitin 1944, nga Shtypshkronja e Shtetit të asaj periudhe. Libri shoqërohet me 33 foto dhe skica teknike të ushtrimit të sporteve dimerore të rrëshqitjes. Nga parathënia mesohet që ky botim është libri i dytë rreth këtij sporti, pas botimit të librit ”SKI”, në vitin 1938, nga i njëjti autor,që përbën dhe autorin e parë shqiptar të librit për artin e rrëshqitjes mbi dëbore. Sipas autorit, ky sport po gjente përhapje të shpejtë veçanërisht në rininë shkollore e jashtë shkollore të Korçës e Shkodrës si dhe në disa qendra të tjera. Libri është njëkohësisht dhe një manual i përdorimit nga ushtarakët e Rojës Mbretnore të Kufinit në zonat malore të vendit.

Luigji dhe bashkëshortja

Kush ishte Luigj Shala

Njohjen e parë më Luigj Shalën ka qëlluar që ta realizojmë nëpërmjet këtij libri. Në vitin 1972, në një depo të grumbullimit, gjeta këtë libër të shitur për grirje. Atëherë shteti blinte letër hedhurinë me 16 lekë të vjetër kilogrami për ta përdorur si lëndë të parë për fabriken e letrës Kavajë. E mora dhe e ruajta me kujdes, megjithëse viti i botimit nuk ishte mjaft i preferueshem për propagandën e kohës. Një vit botimi si 1944 mund të shërbente në momente të caktuar si minë në bibliotekën e çdo qytetari.

Në vitin 2000, në objektet e një antikuari në Tiranë, gjej një sasi dokumentesh të Luigj Shalës, si një vërtetim të Drejtorisë së Shkolles Normale të Elbasanit, të nënshkruar nga vet drejtori i saj, Aleksandër Xhuvani. Vërtetimi mbante datën 5.7.1927. Në të Aleksandër Xhuvani, personaliteti, që në vitet e mëvonshme do të arrinte deri në shkallën e Kryetarit të Kuvendit Popullor, konfirmonte se “Luigj Shala, nxënës i klasës së katërt të Normales, bani për të gjithë vitin shkolluer 1926/27, punën e Prefektit në Shkollën Normale, me kenaqësi të plotë t’auktoritetit shkolluer”.

Në vitin 1931, sipas një dokumenti tjetër, që mban datën “20.NOI.1931 të Drejtorisë së Gjimnazit Shtetnuer Shkoder”, mësojmë se Luigj Shala është emëruar si mësues i edukatës fizike pranë këtij gjimnazi. Në vitin 1935, ai emërohet në komisionin për pranim dhe përmirësim të teksteve shkollore. Në komisionin e edukatës fizike krahas Luigj Shalës janë caktuar nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare edhe Gaqo Gogo, Eqrem Stërmasi e Taib Shiroka. Urdhri mban datën 31.XII.1935 dhe është nënshkruar nga Ministri  i Arsimit të Mbretërisë.

Interes paraqet dokumenti i datës 12.II.1944. Në këtë dokument njoftohet Luigj Shala për lejimin e botimit të librit “Sporti  dimnuer i rrëshqitjes mbi borë”. Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e botimeve ka vendosur që të akordojë lejen e botimit. Nënshkrimi është bërë nga Drejtori i Shtypit pranë Ministris së Kulturës Popullore, Mazar Sopoti. Gjetja e këtij dokumenti, që ligjëronte botimin e librit si dhe akordonte buxhetin për botim m’u dukën nje koincidencë interesante.

35 vjet pas librit, po gjeja një dokument autentik të periudhës së pushtimit, që bënte fjalë për librin e gjendur në vitin 1972. Nga ky dokument mësojmë se Luigj Shala punonte pranë Lyceut Shtetnor. Me dokumentet e cituara, antikuari më dha dhe një fotografi të Luigjit me bashkëshorten, dalë në vitet e tyre më të bukura.

Kontributi i Luigj Shalës në Durrës

Jo vetëm në botime sportive ai ishte i pari. Këto merita të të qenit i pari në themelimin e shumë disiplinave sportive, personaliteti pak i njohur i sportit në Shqipëri, Luigj Shala, i gëzoi edhe në qytetin e Durrësit kur filloi punë menjëherë pas çlirimit të vendit.

Në vitin 2005, duke biseduar me sportistin e talentuar durrsak, Rifat Kazazi, te ndare nga jeta para dy viteve,  e pyeta dhe për Luigjin dhe të dy u befasuam: ai nga dokumentacioni, që disponoja, ndërsa unë nga pasioni, me të cilin fliste miku i tij i rinisë dhe sportisti, të cilin Shala e kishte ndihmuar të arrinte majat e kampionatit botëror në shumë sporte. Arritjen e rezultateve të hyrjes në 12-shen botërore të hedhjes së çekiçiti Rfati  ia dedikonte  pikërisht Shalës, i cili e mbajti afër dhe i mësoi artin e arritjes së synimeve të mëdha edhe në sportet më të vështira.

Rrufi( Keshtu e therrisnin miqte)  kujtonte se si në vitin 1945 Luigji  erdhi si instruktori i parë i sportit në Durrës dhe që kryente të gjitha funksionet si Kryetar i Komitetit të Fiskulturës. Ishte nisma e tij ndërtimi i Parkut Sportiv të këtij qyteti, që për shume kohe mbajti emrin “Nako Spiru”. Kjo e ngriti nga hiçi këtë park që ai vetë, – tregonte Rrufi, – e ktheu në fidanishten e sportit durrsak, duke i dhënë famë këtij qyteti edhe ne aktivitetet e shumta ndërkombëtare, ku sportistët tanë korrën dafinat e trofeve të vendeve të para.Që në hapat e para Luigji ka filluar trainimet e sporteve. I përket atij trainimi i boksierëve të parë, mundjes, atletikës etj. Nga duart e këtij instruktori ka dalë kampioni i botës, Hilmi Reka, si dhe me dhjetëra mjeshtra ndërkombëtarë në boks, mundje, peshëngritje, atletikë etj. Rrufi shprehet se ringun e parë Luigji e ngriti në zyren e vet, pasi s’kishte terrene, ndërsa ekipi i mundjes klasike është stervitur fillimisht në bar të njomë. Pas vitit 1950 ai largohet në Tiranë.

Rifat Kazazi

Persekutimi

Rifat Kazazi është i shpallur nga superanketa e “Sportit” ndër 10 sportistët më të mirë të 40 viteve (periudhë, që përfshin vitet 1957-1997). Ai i qe mirënjohës mësuesit të talentuar Shala për arritjet që kishte patur. Dhe kujtonte me dhembje një fazë të jetës së Luigjit, kur arritën, duke zbatuar luftën e famshme të klasave, ta çonin deri në punëtor fushe. Ishte fati i tij që, kur ishte student në Romë, – shtonte  Rrufi – atë e njohu Spiro Koleka. Kur Spiroja e pa ku e kishin katandisur atë, ndërhyri dhe e dërguan si instruktor fiskulture pranë pallatit të pionierëve, pasi e njihte mirë se kush ishte realisht i “persekutuari” Luigj Shala. Për profesor Luigjin duhet shkruar shumë, tha ish-nxënësi i tij, që brezat të mos e harrojnë ketë gjigand të themeleve të sporteve shqiptare. Nuk duhet t’i duket kujt çudi, shton ai, që dhe në rezultatet e Mirela Manjanit, e cila doli kampione bote në hedhje shtize, është kontributi i Luigj Shalës. Dhe kjo, sepse ai ishte personi, që e bëri trainer të shkëlqyer të Manjanit të famshmin Enver Mysja.

Këto qenë disa copëza nga jeta e botuesit të librit të parë të sporteve dimërore, Luigj Shala, që në historikun e sporteve tona zë shume vende të para, që na u shfaqën, si nga arkivat, ashtu dhe nga kujtimet e nxënësve të tij, të cilët ditën ta ngrenë lart emrin e nderuar të profesorit të tyre, duke korrur trofe të shumta në garat kombëtare e ndërkombëtare.

Citim nga libri

Mbi disa nga zhvillimet e vjetra të sporteve me ski

Në Jokkomokk në Suedinë Veriore, më 3-4 prill1884 qe organizue një ndeshje thellësie dhe çmimin e parë e pat fitue Laponi Lars Tuorda në moshen 37 vjeç, që mbuloi largësinë 220 km n’orë 21-20’; gjithashtu edhe i dyti ka mbërrij një Lapon në moshën 40 vjeç, e konkuruesi i fundit pat dalë me një ndryshim nga i pari vetëm për 46’. Rruga që u ndoq në këtë vrapim ka qënë pothuaj  e rrafshët dhe gadi në të gjithë gjatsinë e saj kalonte nepër liqej të ngrimë.

“Shkodrasport” për Luigj Shalen

… Luigj Shala lindi në vitin 1900 në reljevet e larta veriore të Shalës së Dukagjinit. Profesor Luigj Shala studioi në Akademinë e Edukimit Fizik në Romë, punoi mësues në disa shkolla të vëndit sëbashku me dy-tre koleg të tij  është   themelues i  Istitutit të Lartë të Kulturës Fizike të Tiranës. Ka qënë drejtues i larë i sportit shqiptar, gazetar, etnograf, futbollist, atlet, alpinist, dhe gjyqtar futbolli e boksi.Luigj Shala është  bilibili i parë shqiptarë i FIFA-as që në vitin 1937. Me 1917 orgonizon skuadrën e parë të futbollit në Normalen e Elbasanit, qysh në fillim të viteve  njëzet është futbollist i “Studente Shkodra”, me 1932 luan me ”Bashkimin Shkodranë”.Në vitin 1932 shpallet kompion dhe rekordmen i Shqipërisë në vrapimin 110 metrave. Në vitin 1933 është bashkërekordmen i vëndit në stafetën 4 herë 100 metrave. Në turneun ballkanik të Stambollit fitoi medaljen e bronxtë në 110 metra me pengesa të parën në historinë  tonë të sportit të alletikës.Ka marrë pjesë si atlet dhe përgjegjës sporti  në tri Olimpjada Ballkanike (Athinë 1932, Zagreb 1934, Stamboll 1935). Është orgonizator i themelimit të kombëtarës së Shqipërise në futboll me 15 mars 1936 dhe njeriu që gjykoi ndeshjen e parë në ndeshjen themeluse midis kombëtarve A dhe B të Shqipërisë. Mbas çlirimit me 1945 zgjidhet në organet larta sportive të Shqipërisë, por që nga viti 1946 nuk zgjidhet më duke u  mënjanuar çuditrisht. Vdes përpara kohe në vitin 1967.(Besnik Dizdari;Kush është Luigj Shala? Broshurë e përgatitur nga Mëhill Shkëmbi me rastin e krijim të Çmimit Luigj Shala, Shkodër 2005.) Profësor Luigj Shala nuk pati fatin te linte asnjë trashigimtar.

Faksimile e dokumentit, të Ministrisë së Arsimit, viti 1944, që lejon botimin  e librit (Origjinali në në koleksionin privat të autorit të shkrimit)
Faksimile e dokumentit të nënshkruar nga ish-drejtori i Normales së Elbasanit, Aleksandër Xhuvani (Origjinali në koleksionin privat të autorit të shkrimit)

Previous articleAsnjë masë disiplinore dhe pasuri të ligjshme/ Del para vettingut zv/drejtori i SHÇBA-së
Next articleSHBA/ Bloomberg gati të kandidojë për zgjedhjet e vitit 2020