Home Kronika Historia e 3 “zotave” shqiptarë të drogës në Romë, çfarë e veçon...

Historia e 3 “zotave” shqiptarë të drogës në Romë, çfarë e veçon Elvis Demçen

Lufta për drogën në Romë ka qenë gjithnjë e fortë, me konkurrencë dhe lojëra tipike mafioze për marrjen e “pushtetit”. Në këtë garë të egër nuk kanë munguar as shqiptarët, të cilët e nisën duke shitur qese të vogla kanabisi nëpër lagjet e Romës, e deri duke u bërë bashkëpunëtorë të ngushtë të familjeve mafioze si “Ndranghetta” etj.

Një “vlerësim” për shqiptarët ka ardhur dhe nga vetë Massimo Carminati i cili më herët thoshte: “Ata janë të fortë, janë fëmijë të shqiptarëve që kanë punuar këtu dhe e njohin mirë vendin. Në krahasim me botën romake underground, ata janë më të këqij, nuk i shqiten askujt”.

Tre janë emrat shqiptarë më të përsëritur në dosjet e prokurorisë së Romës. Bëhet fjalë për Arben Zogun, Dorian Petokun dhe Elvis Demçen.

ARBEN ZOGU

I ashtuquajturi “Riccardino”, i cili tashmë ka grumbulluar një pasuri marramendëse me drogë dhe me lojrat e fatit. Ajo që e dallon nga të tjerët është se ka ditur të luajë mirë lojën, duke krijuar lidhje të forta me familjet e krimit. E gjitha falë burgut që bëri në Avellino, ku u njoh me kalabrezin Rocco Bellocco, të klanit Rosarno.

Në vitin 2013 – ai arriti të bënte turneun e tij diskret me ndihmën e vëllezërve Guarnera duke ripropozuar formatin dhe rutinën e grupit Camorra që deri pak kohë më parë drejtohej nga Mario Iovine, i klani “i Casalesi”. Arbeni bën biznes me të gjithë. Në momentin kur karabinierët kapin Massimo Carminatin duke u përqafuar me Arben Zogun, aty merr vëmendjen e “Guardia di Finanza”. Është viti 2015 dhe Arbeni është bërë djalë i madh. Pranë tij ka dy engjëjt mbrojtës: Dorian Petoku dhe Elvis Demçe.

DORIAN PETOKU

Futet në lojë, pasi Arben Zogu del nga burgu në 2005 dhe merr në dorë kreun e klanit. Doriani i lindur në vitin 1988 në Shqipëri, në Lezhë, merret me ata që e mbështesin të trafikojnë armë, njerëz dhe drogë. Kalimi nga Lezha në Romë, erdhi natyrshëm për të, duke qenë se po i përmbushte shumë mirë detyrat e lëna nga Arbeni.

Në vitin 2018, në rrjetet sociale ai pëlqen të shfaqë veten mes tufave të kartëmonedhave dhe armëve. Një vit më parë, hetimi “Grande Raccordo Criminale” dokumentoi se si ai bënte biznes me Fabrizio “Diabolik” Piscitelli dhe partnerin e tij, Fabrizio Fabietti që trafiku i drogës të lulëzojë në bregdetin e Lazios.

Megjithatë, ecuria e Dorianit është e shkurtër. E arrestuan në vitin 2019 në Shqipëri.

ELVIS DEMÇE

Në fund i erdhi radha Elvis Demçes, i vetëshpallur Zot i Romës, i cili ndërkohë i ka zgjidhur problemet me drejtësinë që të udhëheqë grupin. Ai ka gjithçka çfarë do i duhej një lideri të aktiviteteve kriminale: i uritur, i lirgë, i mprehtë dhe kontaktet e duhura. Doli nga burgu pikërisht kur Italia është nën kontrollin e pandemisë dhe në izolim të plotë. Me një bindje të rrënjosur thellë: Unë jam Zoti! Ai e shkruan në rrjetet sociale, duke përdorur pseudonimet e tij, “Spartacus” ose “Perseo”, të cilave u lidh një kuptim i fortë simbolik.

Në mungesë të tij, sheshet e trafikut të drogës u morën nga Ermal Arapaj, shqiptar si ai dhe drejtues i një organizate tjetër shumë të respektuar. Por tani që ai ka dalë nga burgu, pronari pretendon atë që ai e konsideron të tijën.

“Isis është jashtë,”-thotë Elvis, duke e krahasuar veten me kalifatin e zi dhe duke shpallur luftën. Elvisi përpiqet të eliminojë rivalin e tij, Arapaj duke e dorëzuar nën kujdesin e një komandoje prej katër vrasësish pranë Lanuvios. Ai synon të vrasë edhe dy magjistratë, madje donte ekzekutimin e tyre sapo të dilnin nga gjykata në piazzale Clodio.

Elvisi ka kontakte me Kolumbinë, Marokun dhe Ekuadorin, e punon me ‘Ndrangheta’, bisedon me kupolën e ushtrisë marokene dhe me “trashëgimtarët e Pablos janë ata të kartelit Medelin. E megjithatë për Elvisin, paratë nuk janë gjithçka. Kriminaliteti, për të, është një dimension ekzistencial, i vetmi që mund të imagjinohet.

Me Elvisin, Roma është e përmbytur me tonelata kokaine, të cilat kthehen në paleta parash. Por, në fakt, pasuria nuk mjafton. Ai ka nevojë për gjak.