Home Kulture “Himara International Music Festival” përfundon edicionin e parë, pesë koncerte me 11...

“Himara International Music Festival” përfundon edicionin e parë, pesë koncerte me 11 artistë

“Himara International Music Festival” përfundoi edicionin e parë. Muzika më e bukur xhaz, tango, klasike e kontemporane erdhi e performuar nga 11 artistë ndërkombëtarë. Në festival ishin pesë koncerte, me artistë nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Japonia, Kuba. “Himara International Music Festival” nga data 5 deri më 11 gusht u zhvillua nën drejtimin artistik të pianistëve Rea Veizi, e specializuar në piano, muzikë dhome e pedagogji, e cila jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj artistik në Paris dhe Endri Nini pianist e pedagog në konservatorët e Waimar, Rostock e Akademia Sibelius, me rezidencë në Hanover. Koncerti i fundit u zhvillua me muzikanten Ana Carla Maza, e cila e kishte vendosur Himarën si pjesë të turit të saj Europian ku prezanton albumin “Bahia”. Më herët, pianistja Rea Veizi tregoi se çdo koncert kishte një zhanër muzikor dhe një formacion artistik të ndryshëm nga tjetri. “Vizioni ynë për këtë festival ishte që të sillnim një aktivitet me karakter ndërkombëtar, ku të performohej një shumëllojshmëri zhanresh muzikore nga artistë shumë të mirë, e ku gjithsecili të mund ta gjente veten brenda programacionit që festivali ofron”, u shpreh Veizi. Festivali Ndërkombëtar i Muzikë në Himarë nisi me koncertin e parë “Paris Hora Zero”, me artistet Loanh Mirande (violinë, Francë) dhe Rea Veizi (piano, Shqipëri/Francë). Në koncertin e parë “Paris Hora Zero” ndërthurja e elegancës së muzikës franceze me pasionin e tangos së re, do të sjellë në Himarë atmosferën e Parisit të shekullit të XX. “Himara International Music Festival”, i cili u  realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Himarë dhe disa ambasadave të huaja u mbajt në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, në fshatin e vjetër të Himarës. Kjo kishë daton që në 1775, ndodhet pranë kalasë dhe përshtatej më së miri me dëshirën e dy drejtuesve të festivalit për të bashkuar muzikën me trashëgiminë kulturore të vendit dhe për të sjellë kështu pesë net magjike për publikun.