Home Aktualitet Harta e re gjyqësore/ Manja dhe Çela pro, Maks Haxhia kundër: Ndërkombëtarëve...

Harta e re gjyqësore/ Manja dhe Çela pro, Maks Haxhia kundër: Ndërkombëtarëve të mos u vijë keq

U zhvillua sot mbledhja e përbashkët në Këshillin e Lartë Gjyqësor për diskutimin e shkrirjes së gjykatave në vend në kuadër të hartës së re gjyqësore. Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm Olsian çela, kryetari i Dhomës së Avokatëve Maks Haxhia dhe përfaqësues të tjerë.

Në fjalën e tij, Manja tha se projektligji për hartën e re gjyqësore është kryer me konsultim të ekspertëve të drejtësisë, KLGJ dhe specialistëve të Ministrisë së Drejtësisë. Ai theksoi se nuk mund të ketë gjykata të shkallës së parë me më pak se 7 gjyqtarë dhe gjykata të apelit me më pak se 10 gjyqtarë. Manja tha se tashmë do të dëgjohen konsultimet dhe sugjerimet e palëve të tjera për hartën gjyqësore.

Pas tij foli Prokurori i Përgjithshëm Olsian çela. Ai i dha rëndësi faktit se gjendja aktuale e sistemit gjyqësor nuk i plotëson dot nevojat e qytetarëve. Duke mbështetur hartën e re gjyqësore, çela nënvizoi se bashkimi i prokurorive do të eliminonte rrezikun e krijimit të dosjeve të pahetuara.

Kritik u shfaq kryetari i Dhomës së  Avokatëve Maks Haxhia. Ai tha se situata është bërë e vështirë si pasojë e dy reformave: ajo e drejtësisë dhe e hartës gjyqësore. Haxhia kërkoi reduktim gradual të numrit të gjykatave duke marrë për shembull gjykatat e apelit, të cilat sipas tij mund të zbresin nga 6 në 4 e në vazhdim. Me këtë kapërcim ekstrem, avokati i njohur tha se ndërkombëtarët duhet ta ndjekin me seriozitet dhe të kuptojnë realitetin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Në fund, Haxhia tha se është e pakuptimtë që të shkrihen gjykatat dhe të vendosen vetëm në Tiranë pasi tashmë po zhvillohen dhe qytetet e tjera si Durrësi, Vlora.

Çfarë ka ndodhur?
Qeveria shqiptare ka përgatitur një draft për ndryshimin e strukturës së institucioneve të drejtësisë. Sipas projektligjit do ekzistojnë 12 shkalla të gjykatës së parë, 1 gjykatë apeli dhe 1 administrative. Lidhur me gjykatat e shkallës së parë administrative, numri reduktohet nga 6 në 2 (Tiranë dhe Lushnje). Sipas skemës së qeverisë, në total në Shqipëri parashikohet të ketë 16 gjykata nga 36 që janë aktualisht.

Nisma është kritikuar nga dhomave avokatëve në Shkodër dhe Këshilli Bashkiak i Korçës dhe palë të tjera.