Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris udhëtoi në Florida ndërsa kritikoi me forcë standardet e reja, për futjen në sistemin arsimor para universitar, të udhëzimeve që u mësojnë “historinë e shtrembëruar” lidhur me skllavërinë në SHBA.
“Këta liderë ekstremistë, të ashtëquajtur duhet të modelojnë atë që ne e dimë se është qasja e saktë dhe e duhur nëse investohemi në mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha Harris, në një fjalim në Jacksonville, duke kritikuar ata që qëndrojnë pas standardeve të reja, por duke mos përmendur Guvernatorin e Floridas, Ron DeSantis me emër. “Në vend të kësaj ata guxojnë të shtyjnë propagandë për fëmijët tanë. Këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk duhet ta bëjmë këtë”, tha Harris.
“Si është e mundur që dikush mund të sugjerojë se mes këtyre mizorive (të skllavërisë), ka pasur ndonjë përfitim për t’iu nënshtruar këtij niveli dehumanizimi?”, tha Harris.
Aktet e dhunës “kundër dhe nga” afrikano-amerikanët përmenden gjithashtu në planet mësimore të përfshira në ndryshimet e reja, raportojnë mediat e huaja.
Këto ndryshime vijnë pasi Legjislatura e Floridës miratoi ligjin “Stop-WOKE” të DeSantis, i përshkruar si një akt që krijon mbrojtje për studentët dhe punëtorët, duke i lejuar ata të mos ndjejnë “diskriminim bazuar në racë, ngjyrë, seks ose origjinë kombëtare”.
“Kur i dërgojmë fëmijët tanë në shkollë si prindër, duam të dimë se atyre po u mësohet e vërteta. Është një pritje e arsyeshme”, tha Harris. “Është një pritje e arsyeshme që fëmijët tanë të mos mashtrohen. Dhe kjo është ajo që është kaq e egër për atë që po ndodh tani”.