Home Aktualitet Hapet spitali COVID-2, ndërhyrje e parë kirurgjikale tek e prekura me koronavirus!...

Hapet spitali COVID-2, ndërhyrje e parë kirurgjikale tek e prekura me koronavirus! Të sëmurët te Sanatoriumi zhvendosen në Elbasan

Nga sot, spitali “Shefqet Ndroqi” është spitali i dytë COVID 19 në vend. Spitali i Sanatoriumit ka pritur pacientin e parë, një ndërhyrje kirurgjikale tek një e re e prekur nga COVID-19, ndërsa pacientët e këtij spitali janë zhvendosur në spitalin e Elbasanit, lajm ky që është bërë publik nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. 

“Kemi hapur edhe spitalin Covid 2, spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ka pritur pacientin e parë. Një rast suksesi i ekipit të kirurgjisë së këtij spitali, me mjekët kirurgë, anestezistë, infermierët dhe i gjithë stafi që kanë kryer me sukses ndërhyrjen kirurgjikale tek një e re e prekur nga COVID-19”, bëri të ditur Manastirliu e cila shtoi gjithashtu se pacientët e spitalit “Shefqet Ndroqi” janë transferuar në Elbasan, duke shtuar se në spitalin COVID 2, janë organizuar ekipet mjekësore që do të shërbejnë në këtë spital, ndërsa në spitalin infektiv po vijon trajtimi i pacientëve me COVID-19.

Ministrja e Shëndetëisë tha se kjo situatë do të kalohet duke respektuar të gjithë Paktin e Madh për Shëndetin.

“Ne do të vazhdojmë t’ju shërbejmë me përkushtimin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, epidemiologëve tanë të mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar me korrektësi dhe transparencë maksimale çdo ditë, çdo orë, për çdo zhvillim. Ndërsa JU, ju do të vazhdoni të zbatoni rigorozisht masat e higjienës dhe të distancimit social, si i vetmi mjet për të ndihmuar njëri-tjetrin në këtë betejë të përbashkë”, tha Manastirliu.