Home Aktualitet Hapet Kopshti i ri Zoologjik në Tiranë, Rama dhe Veliaj inspektojnë ambientet

Hapet Kopshti i ri Zoologjik në Tiranë, Rama dhe Veliaj inspektojnë ambientet

Kopshti i ri Zoologjik ka hapur dyert sot, me një sërë surprizash për fëmijët e Tiranës, që do ta kthejnë vizitën në një eksperiencë të bukur për ta. Kopshti Zoologjik është konceptuar si një hapësirë ndryshe, jo vetëm për t’u njohur me kafshët, por edhe për të mësuar gjëra të reja për to në klasa të posaçme. Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj inspektuan hapërsirat e reja, të cilat ishin mbushur me familje të kryeqytetit.

Mëngjesin e sotëm Kryeministri ka publikuar foto nga ambientet e reja të Kopshtit Zoologjik të Tiranës, ndërsa shkruan se ishte një dhuratë e shumëpritur për fëmijët. Rama nënvizon se Kopshti i Ri Zoologjik është rilindur si një nga hapësita më moderne në rajon.

‘Mirëmëngjesi dhe me dhuratën e shumëpritur për të gjithë fëmijët, Tirana Zoo Park, që hap dyert sot, i rilindur si një nga hapësirat më moderne në rajon, për të njohur nga afër botën e kafshëve, por edhe plot ambiente çlodhëse për të vegjël e të rritur, ju uroj një fundjavë të bukur.’- shkruan Rama.

Ndërkohë, këtë të shtunë, qarkullimi në segmentin e rrugës “Liqeni i thatë” do të kthehet me një drejtim lëvizjeje, sipas sensit nga rruga “Hamdi Sina” në drejtim të “Kopshtit Zoologjik”. Përjashtim bëjnë veç mjetet e Transportit Urban, i cili do vazhdojë lëvizjen sipas itinerarit që ka realizuar deri më tani, dhe rezervojnë të drejtën për kalimin në dy senset e aksit rrugor.

Ndërsa, aksesi hyrës i kalimit të automjeteve për qytetarët, për pjesën e rrugës që kthehet me një drejtim lëvizje, do të bëhet nëpërmjet kalimit në Unazën e Madhe të Qytetit, si dhe duke e aksesuar zonën tek nyja e re, pranë Liqenit të Thatë.

Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë të tij. Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty.

Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.