Home Editorial Hajde luajmë koalicionesh

Hajde luajmë koalicionesh

turiNga Artur Llana / Kreu i opozitës Edi Rama ka befasuar përsëri dy ditë më parë ndërsa ka ftuar në koalicion Aleancën KuqeZi, e cila sipas të gjitha gjasave pas mitingut të pardjeshëm do t’i bashkangjitet partisë më të madhe opozitare. Tashmë ka mbetur që frontit opozitar t’i bashkangjitet edhe PDIU-ja dhe PBDNJ-ja. E gjithë kjo lëvizje e kreut të opozitës i cili ka pasur shanset për të qenë i vetëm fitues po çon në një amulli jo vetëm elektoratin, por ka nisur një lojë të rrezikshme që duket se e ka mobilizuar akoma më shumë PD-në. Unë kam konstatuar këto ditë se Edi Rama më shumë ka humbur se sa ka fituar me LSI-në, ndërsa për të tjerat ende është shpejt për të folur edhe për faktin se ata duken parti që kanë peshë kur ndasia mes deputetëve është me diferencë të vogël. Nëse Rama do të ketë bashkë me LSI-në edhe partinë çame, atëherë bashkë më një stimul që të bën pushteti dhe me oreksin që ata kanë pasur dhe frikën e PD-së se mund të humbasë pushtetin, ai do të trashëgojë në gjirin e tij rreth 40 përqind të drejtorëve dhe adiministratës, shifër kjo e turpshme për një opozitë që kërkon vota ndëshkimi pë ata që duhen ndëshkuar. Unë e di që opozita ka një mllef ndaj kryeministrit që e ka lënë tetë vite në opozitë, por ajo që unë nuk kuptoj është se me çfarë e mbajti kryeministri këtë pushtet. Nuk ka nevojë për përgjigje, përjashtuar Gërdecin që ishte para se të shkonte LSI-ja. Të gjithë bëmat e tjera dhe vrasjet politike për të kërcënuar njerëz që protestonin në shesh janë vepër e partive aleate të PD-së në pushtet që u mbrojtën për interesa të mbrojtjes së pushtetit nga PD-ja. Nisur nga këto që thashë më sipër dhe nga kontaktet e shumta që kam me njerëz çdo ditë, të të gjitha bindjeve dhe aq më shumë të koalicioneve, problemi nuk qëndron te shkrirja organike mes PS dhe LSI-së, kjo pasi ata janë ndarë për pushtet dhe po bashkohen për pushtet. Elektorati që ka gjetur veten si i majtë ndihet mirë, ndërsa ata që kanë vjedhur në emër të PD-së kanë mbyllur telefonat sapo janë larguar nga puna. Tri janë arsyet që Edi Rama ka ftuar LSI-në në këtë qeverisje dhe kjo nuk ka më as më të voglin dyshim dhe konstatimi është edhe në elektorat, edhe pse analistët e kanë bërë të qartë disa herë se çfarë “trapllëku” opozitar ishte ky koalicion, ku vjedhjet e katër viteve në pushtet , do të shlyhen me katër javë opozitë . Nëse mëkati i pushtetit zgjat kaq shumë dhe për t’u falur do kaq pak kohë, e mira e Ramës do të ishte që të mbetej besnik i dhimbjes për ata që sakrifikuan për të marrë pushtet dhe jo kuzhinier i shijimit për ata që po i dhurojnë pushtet. Në të gjithë këtë zemërgjerësi të Ramës, ajo që bie në sy është LSI-ja. Arsyeja e parë duket se Rama nuk ka qenë i bindur në fitoren e tij dhe për ta bërë këtë sa më të sigurtë ka kërkuar ndihmën e pushtetit. Në pamje të parë kjo të duket një gjë normale. Nëpërmjet një loje të pështirë, ku është servirur presioni ndërkombëtar i Internacionales për këtë koalicion Rama ka siguruar veten dhe eletoratin se fitorja është e sigurtë duke marrë ca hajdutë administrate nga LSI-ja, por edhe duke garantuar ata ministra që nuk ka lënë gjë pa i thënë, se do të jenë në listë kur në një variant tjetër nuk kishin për të qenë kurrë. Për të larë m… me sh…, Rama po bën sikur po zgjeron frontin me parti të tjera me qëllimin e vetëm për të rrëzuar Berishën a thua se 21 janari pati Berishën protoganistë dhe jo bllokun e Ilir Metës. Arsyeja e dytë që diskutohet është një variant i mundshëm i pabesisë së Ilir Metës për të marrë një numër të konisderueshëm deputetësh të tij dhe në rast të një kufiri minimal për të qeverisur ai t’i bashkangjitet përsëri si lëvizje PD-së për hatër të integrimit dhe në antarësimit të Shqipërisë në BE! Ky është variant i mundshëm vetëm nëse shikon seçcfarë marrveshjesh bën Ilir Meta për të qenë në pushtet ose sipas variantit të “portokallisë” nuk i zë bytha vend pa pushtet. Po ka dhe një arsye të tretë që mund të jetë ngjizur ky koalicion i turpshëm. Në shumë qarqe intelektuale dhe aq më shumë në dy kampet është folur shumë prej muajësh një lloj marrveshje që kërkohej për t’u realizuar mes Berishës dhe Ramës. Në thelb ajo kishte lënien rehat pas dorëzimit të pushtetit. Pra atë që ka ndodhur gjithë këto vite tranzicioni ku askush nuk është ndëshkuar pas marrjes së pushtetit dhe kjo duke pasur si njësi matëse ndëshkimin politik që Berisha i bëri Nanon në vitin 1992. Nisur nga të gjitha këto çdo ditë e më shumë po krijohet qartë një bindje se kërkesat e Metës pë të pasur në listë të sigurtë ministrat e tij në koalicionin me PD-në, do të jetë e sigurtë se Rama, edhe nëse do të fitojë, edhe nëse nuk ka pranuar rrotacionin si mënyrë për të falur ata që abuzuan me pushtetin, të mos ketë mundësi ta bëjë këtë konkretisht, pasi në çdo dosje që do të hapet do të dalë ministri apo administrata e Metës. Berisha ka mundur të luajë lojën më të mirë që ai ka bërë në këto 20 vite. Ai i ka lënë Ramës kopilin në derë dhe këtë radhë jo kopil fizik, po politik. Rama sot nuk është duke bërë fushatë për të shporrur Berishën, po pë të bindur shqiptarët pse i duhej Ilir Meta. Ndërkohë që të gjitha lëvizjet e tij po forcojnë dukshëm të djathtën që e shikon tashmë këtë si përballje frontale mes kameve të majtë dhe të djathtë. Në këtë këndvështrim, çfardo që të ketë bërë pushteti i Berishës, të djathtët inatin e kanë me të majtën. Rama po mbledh rreth vetes kryetarë pa elektorat, ndërsa Berisha po bëhet kryetari i të gjithë elektoratit të djathtë edhe për një farë tifozllëku që egziston në shoqërinë tonë. Ai e ka futur Ramën në një grackë që i shkon për shtat politikisht lojës së fëmijëve që luanin doktorash, me një thënie të re: hajde luajmë koalicionesh.