Home Dossier Grekët lanë qindra të vrarë dhe morën turpin në provokacionet e gushtit...

Grekët lanë qindra të vrarë dhe morën turpin në provokacionet e gushtit 1949

Dan GradicaNga Xhevo Gradica / Grekët lanë qindra të vrarë dhe morën turpin në provokacionet e gushtit 1949

 Dan Gradica kujton pas 64 vitesh betejën e përgjakshme, disfatën e madhe greke dhe trimërinë e djemve shqiptarë në kufirin pranë Kapshticës së Korçës.

 Gusht 1949 Kapshticë, kufi. Provokacionet greke

Jeni dëshmitarë i luftës për ruajtjen e kufirit shqiptar nga provokacionet e gushtit të vitit 1949.

Isha i mobilizuar në detyrimin ushtarak. Me shërbim isha fillimisht në Bilisht të Korçës. Jam një nga dëshmitarët e gjallë të rezistencës së ushtrisë sonë kundër provokacioneve të gushtit të vitit 1949 në kufi. Isha ushtar në Korçë, repart këmbsorie. Na dërguan me urdhër nga reparti ynë në Kapshticë në mbrojtje të kufirit. Kapshtica ishte fshat kurse Bilishti qendër. Nuk i mbaj mend me saktësi vendet e luftimeve pasi kam harruar si quheshin kodrat, lugina e vogël, pylli por di se reparti ynë u vendos në Kapshticë. Më ishte besuar si armë mitralozi rëndë i markës “Gulinov” dhe u stërvita për shumë ditë. Shërbimin e bëra në fillim në regjimentin e këmbsorisë në Korçë dhe që atje na dërguan në thellësi pas informacioneve se greku do të tentonte të hyntë në tokën tonë.  Detyrimi ushtarak për ne ishte 3 vite. Dy vite i bëra në këmbsori dhe një në Bilisht. Komanda na tregoi që në fillim të vërtetën që kishte të bëntë më shpërnguljen tonë të detyruar duke bërë të ditur se gjendeshim përballë provokimeve greke në kufi. Qëndrimi në gatishmëri vazdhoi për disa ditë. Ishim në repart. Greku na rrethoi. Kishte hyrë në tokën shqiptare natën. Na sulmuan. E prisnim prej disa ditësh pasi kishte njoftime se greku do të na godiste. Saktësisht nuk e dinim se ku, por që do të ndodhte sulmi grek dihej dhe pritej nga të gjithë ne ushtarët e oficerët. Komanda na kishte caktuar secilit vendin e tij, pozicionin e luftimit, objektin dhe çdo gjë tjetër. Të gjithë dinim mirë se ishte koha e përballjes mes jetës dhe vdekjes. Sulmi grek ishte shumë i befasishëm dhe i rreptë. Na qëlluan me armë këmbsorie, me topa e me avion luftarak. Me të dëgjuar shpërthimet e para të artilerisë na kanë urdhëruar të marrim armët tona e të niseshim në front, në pikat e caktuara më parë. Gjithandej dëgjohej thirrja “Para, në front”, “Para, në sulm”. Nuk tërhiqeshim se po të ndodhtë tërheqja greku ishte gati. Terreni ynë ishte i hapur. Vetëm një kanal shërbente si fortifikim dhe vetëm kaq. Luftimet i bënim barkas dhe në vend të hapur, pra të pambrojtur. Greku e kishte zgjedhur qëllimisht atë pikë për të shkelur tokën tonë. Nuk kishte shkëmbinj, barrikada, pemë të mëdha, kodrina, objekte të ndryshme për t’u mbrojtur. Sa për fillim ditë më parë kishim hapur një vijë, kanal që shërbeu si vijë e parë. Më pas u hodhëm disa metra më pranë kufirit pasi ne nuk donim të lejonim që kufiri ynë të shkelej. Greku këtë kishte si qëllim, provokacionet e tij synonin të futeshin në tokën shqiptare.

Greku bombardoi me topa e avion tokën shqiptare dhe më pas futi këmbsorinë.

 Reparti ynë ishte 15-20 ushtarë. Të tjerët u shpërndanë në pika e vende të ndryshme. Kaq ishte reparti ynë në Kapshticë. Aty na kanë dërguar disa ditë para se të nisnin provokacionet. E prisnim se kur do të vinte greku për të na goditur. Sulmoi menjëherë. Erdhi Mehmet Shehu dhe na tha “Luftë, na sulmoi greku”.  U ngitëm e u shpërndamë nëpër pika. Zumë vijën e parë të sulmit. Në fillim ushtarët grek i kishim 100-150 metër larg. Nga atje edhe qëllonte, edhe na shante. Nuk linte gjë pa na thënë me sharje. Çfarë nuk na thonin. Shanin shqiptarët me fjalë të pista dhe me fjalor fyes për nënat, gratë, motrat, qeverinë, Enver Hoxhën.  Fillimisht ishim në vijën e dytë. Zumë pozicionet por pa hapur zjarr. Nuk kishim marrë urdhër të shtinim. Kishim zënë vend në pikat e caktuara më parë. I dinim të gjitha përmendsh pasi kishim bërë përgatitje prej disa kohësh. Prisnim urdhërin nga komanda për veprim. Distanca nuk ishte edhe e afërt. Mua më ishte caktuar një pikë në anë të një kodre të vogël, por gjatë luftimeve do e ndërroja disa herë sipas zhvillimeve të betejës. Me të përfunduar artileria, greku hapi zjarr me trupat e saj drejt vendit ku ishim ne. Për orë të tëra dëgjoheshin vetëm shpërthime, bombardime nga toka e ajri, tym, flakë, britma të ushtarëve grekë. Në të afruar nata greku na doli nga pas. U fut në tokën tonë. Shumë ushtarë grek kishin hyrë në Kapshticë. Ata mbulonin me zjarr krahët e tyre dhe kjo u dha mundësi të marrin fillimisht njërën anë të fshatit. Veç këmbsorisë e cila hapte zjarr në të gjithë drejtimet, grekët mbështeteshin nga topat. Ata bombarduan kuzhinën dhe repartin tonë. Gjithandej dilte tym e flakë. Era e barutit dhe e objekteve që digjeshin ndihej ngado. Sulmet e befasishme, të forta dhe të mbështetura nga armë të rënda dhe aviacioni grek, krijoi për pak kohë njëfarë zemërimi tek rradhët tona. Ne ishim të gjithë ushtarë, në moshë të re dhe të paprovuar me luftën. Komandanët dhe komisarin i kishim edhe të përgatitur, edhe me përvojë në luftë pasi kishin qenë në luftën për çlirimin e vendit. Ata e kuptuan gjendjen tonë psikologjike dhe duke kaluar pranë secilit ushtarë thonin se strategjia jonë do të ishte ajo e mësymjes në një kohë më të përshtatshme. Ata kishin një siguri të madhe se beteja do të fitohej nga ne. ndoshta ishte edhe përvoja, ndoshta shikonin se si lëviznin dhe vepronin grekët.

Secili kishte armën e tij në këtë mission mbrojtës. Çfarë arme kishe ti?

 Me mitraloz të rëndë GULINOV 12.7 mm. Ishim dy ushtarë që përdornim këtë armë. Ishte i rëndë dhe e tërhiqnim me vështirësi. Unë isha ndër ushtarët me shtatin me të vogël. Shoku i armës që shërbente si ndihmësi im, ishte një djalë i fuqishëm nga Mirdita. Kanë kaluar më shumë se 63 vite dhe e kam si para syve atë ngjarje. Më kujtohen shumë detaje, por më duhet të them se nuk mbaj mend emrat e ushtarëve dhe kam harruar edhe si quheshin komandanti e komisari. Ky i fundit ishte zotëri burrë, trim dhe i dashur. Qëndronte me ne në vijën e fronit. Na jepte forcë, s’i trembej fare syri. Kjo na bënte edhe në të ndiheshim të sigurtë e të fortë. Gjini, ndihmësi im, qëndronte gjithnjë në anën time. Ndiqte me shumë vëmendje veprimet që unë bëja dhe sa herë që përpiqesha të ktheja mitralozin në të majtë e në të djathtë, hidhej menjëherë dhe me focën e muskujve e bëntë mitralozin t’i bindej. I jepnim zemër njëri-tjetrit. Gjinin ma morën nga duart. Nuk e pashë më kurrë. E vranë. Ishte luftë e vërtetë. Plumbat fluturonin gjithandej. Topat lëshonin predhat ngado. Copa dherash dhe gurësh kalonin sa para, sa prapa nesh. Shkonin mbi kokën tonë. Ndodhte që të na godisnin copa të vogla. Mitraloz të rëndë kishim pak, ndërsa të lehtë po. Kisha shumë besim tek arma ime dhe kur na nxehej gjaku teksa derdhnim predhat, fishekët, herë e përkëdhelja mitralozin si të ishte fëmijë dhe herë flisja, e pyesja nëse do të fitojmë, e pyesja nëse kisha qëlluar në shenjë. Kjo na ngrohtë zemrën, qeshja unë, qeshte ndihmësi. Mitralozi është armë e sigurtë, e fuqishme dhe isha i bindur se nuk do të më linte në fushën e betejës.

Diçka lidhur me mobilizimin për të bërë rezistencën e gushtit të vitit 1949.

Në fillim grumbullimi ynë u bë në Bilisht të Korçës. Udhëheqja kishte informacione shumë të sakta për provokacionet greke, vendin ku do të kryhej sulmi grek dhe mjetet me të cilat do të sulmoheshim. Posta jonë afër Kapshticës kishte vetëm 15-20 vetë, por në të gjithë gjatësinë e kufirit kishte me dhjetra ushtarë si ne në mbrojtje të kufirit. Ishim të paisur me armatim të lehtë e të rëndë të këmbsorisë si dhe me topa. Pushkë, automatik, granata, mitraloz të lehtë e të rëndë, kundërajror, mina kundërtanke dhe kundërkëmbsorisë, flakhedhës deri tek murtajat e topat. Të gjitha i kishim. Ishim edhe të përgatitur. Komanda na kishte treguar se çfarë përgatitej nga ana e grekëve. Kjo na dha mundësi të njiheshim dhe të përgatiteshim për çdo variant sulmi. Nuk ishte e vështirë të dalloje përforcimet në kufirin grek. Por topat nuk dukeshin pasi ishte zonë e pyllëzuar dhe ata u lanë në një distancë jo shumë afër brezit të kufirit së bashku me forca të tjera të shumta greke.

 E mbani mend betejën, sa zgjati ajo dhe cili qe fati provokacionit grek në kufi?

 Lufta zgjati dy-tre ditë e netë. Fillimisht greku qëlloi vetëm me topa duke goditur jo vetëm pikat tona ushtarake dhe strategjike të armatimit e strehimit, por edhe popullësinë civile, shtëpitë, objektet e fshatit. Gjithandej vendi digjej. Ditën e dytë të luftimeve ne u rrethuam. Këtë e mësuam shumë shpejt. Avionët shkonin e vinin duke bombarduar mbi kokat tona, ndërsa ne me anë të artilerisë kundërajrore mbroheshim me të gjitha mundësitë e forcat. Vendi kishte marrë flakë ngado. Deri në thellësi të fshatrave ndëgjoheshin bombardimet greke. Popullësia përreth ishte shpërngulur më parë pasi provokacioni pritej nga çasti në çast. Megjithatë kishte në fshat shumë banorë që kujdeseshin për shtëpitë e bagëtitë, një pjesë erdhën në front me ne. Pasi shkelën në tokën shqiptare disa metër në brendësi grekët bën rrethimin tonë në formë patkoi. Duke qenë me Gulinov lëvizjet e mia e të ndihmësit ishin shumë më të kufizuara, më të pakta. Tërheqjet dhe lëvizjet ne i bënim me komandë, ndërsa mungesa e fortifikimeve e bëntë shumë të vështirë përballjen me armikun pasi ishim në fushë të hapur. Rrethimi ynë ndodhi në kohën që ne ishim afër me brezin e kufirit. Grekët lanë mesin e fushës së betejes dhe morën dy krahët tona për të na izoluar. U futëm në një gropë, vend disi i mbrojtur. Mbetëm aty. Armatim kisha mjaft. Nuk i trembesha asgjëje. Pastaj unë qëlloja me objektiv dhe jo kot më kot. Kështu ruaja sa mundja të mos shpenzoja më pa vend e pa shenjë armatimin. Përpiqesha të kapja shenjën. Natën e rrethimit greku nuk lëvizte por qëllonte e bombardonte pa u ndalur. Me të zbardhur mëngjesi situata ndryshoi, fronti u kontrollua nga forcat tona të ushtrisë. Formacione të reja nga Korça e Tirana erdhën në vijën e parë. Komanda jonë e frontit e kishte menduar se ne kishim mbetur në betejë pasi gjithë natën unë e ndihmësi qëllonim rrallë me mitraloz. Sulmi ushtrisë sonë erdhi nga vija e dytë në të parën, atje ku gjendeshim edhe ne me mitralozin. Ata nuk e dinin se ne ishim gjallë. Sapo pashë mësymjen e tyre unë e ndihmësi u ngritëm në këmbë. Shumë prej tyre na u afruan duke thërritur “jemi bashkë”,  “para të gjithë”, “jemi shqiptarë”. U bashkuam dhe morëm drejt kufirit që ishte vetëm disa hapa përtej vendit ku qëndrova gjithë natën. Sulmi ishte shumë i fortë. Greku u mundua të rezistojë, por pas gjysmë orë la të gjithë zonën e futur nën kontroll në mbrëmjen e një nate të kaluar dhe u tërhoq brenda kufirit të vet. Ishim lodhur pa masë. Uria na kishte këputur. Ishte dita e tretë që shkëmbenim zjarr me palën e ushtarëve grekë. Ata kishin nxjerrë jashtë funksioni kuzhinën e repartit. Në këto kushte ne shkonim me rradhë tek arat e misrit aty pranë, këpusnim misër të njomë dhe shuanim urinë e etjen në vend të bukës e të ujit. Ushqimin e kemi parë vetëm kur u kthyem në postë. Me ardhjen e përforcimeve, ushtarët tanë na morën në krah, na dhanë forcë e besim dhe morën armatimet e mitralozin tonë duke na ndihmuar për ta vendosur atë në pikën e duhur. Kjo na lehtësoi dhe për pak minuta pushuam të ulur aty në një anë të kodrës jashtë mundësisë së grekëve për të na qëlluar. Për ushtarët e komandën e repartit tonë unë e ndihmësi rezultonim të vdekur. Komanda kishte bërë përpjekje natën për të na kërkuar duke dërguar deri fare pranë nesh disa ushtarë me shpresë për të në gjetur e për të na thënë se duhej të tërhiqeshim. Por ne pa ditur gjë kishim hyrë në mes të grekëve. Natën qëlloja rrallë dhe në drejtime të ndryshme. Doja të gënjeja armikun duke dashur të tregoja se ishim shumë ushtarë në mbrojtje dhe në pozicione të ndryshme. Ata nuk qëllonin dot me top pasi kishin frikë mos godisnin forcat e veta, aq afër ishim. Megjithatë nata na ndihmoi për të mos u diktuar. Por më së shumti hapnim sytë se mos na vinte ndonjë ushtarë apo grup ushtarësh grekë e na kapnim apo na vrisnin pranë mitralozit. Në fund të fundit do të qëllonim deri sa të vriteshim. E sigurtë ishte se nuk binim të gjallë në duart e ushtrisë greke. Kishim bërë betimin dhe qemë të vendosur ta mbanim këtë betim si unë edhe ndihmësat e mi. Që ishim të rrethuar e kuptuar shpejt. Në mesnatë, lamë mitralozin dhe hapëm veshët duke pritur zbardhjen e ditës. Nuk bëhej fjalë për të vënë gjumë në sy.

 Pati shumë të vrarë nga rradhët e ushtrisë shqiptare?

 Një regjiment u vra në frontin e luftës kundër tentativës greke për të hyrë në tokën shqiptare. Repartet tona thuasje ishin shkatërruar plotësisht, Tek-tuk kishte mbetur ndonjë ushtarë gjallë. Erdhën përforcime edhe nga Tirana. Nuk e lëshonim frontin. Greku në fillim e mori lehtë. Mendoi se duke na bombarduar me topa dhe duke na luftuar edhe me avionë do e kishte të lehtë për të shkelur tokën tonë. Por nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Nga repartet tona në Bilisht e Kapshticë mbetën 4-5 ushtarë, të tjerët e vranë. Lufta përfundoi në përleshjen bajonetë më bajonetë. Një këmbsori e tëra u shkri për të mos lejuar grekun të na pushtojë. Për ne kishte shumë vështirësi në njohjen e ushtarëve tanë nga ata grek pasi uniforma ishte thuasje e njëjtë, me fare pak dallime, edhe ato të padukshme në një front lufte. Rrobat tonë e ato të grekut kishin gjyrë kafe. Beteja trup më trup u zhvillua në vijën kufitare. Ne bënë shumë përparim ditën e fundit të sulmit. Në çastet finale ne me mitraloz të rëndë kishim zënë pozicionet dhe qëllonim drejt kufirit për të mos lejuar që në vijën e parë të sulmit grekëve t’u vinin përforcime. Pjesa më e madhe e betejës u zhvillu në zonën e pyllëzuar në kufi. Greku la shumë forca, më shumë se ne pasi ata nuk e kishin marrë parasysh se ushtria jonë do të kacafytej trup më trup me ta. Hedhja në mësymje e forcave tona i çorientoi grekët. Shumë ikën dhe lanë frontin për të shpëtuar kokën, ndërsa të tjetër mbetën sit ë zënë në qark pasi ushtarët tanë u sulën me forcë shumë të madhe e të shpejtë duke mos u lënë kohë grekëve të ikin. Fusha, lugina e vogël dhe pylli u mbushën me të vrarë. Aq betejë e përgjakshme ka qenë sa edhe pas një javë, dy javësh gjendeshin e mblidheshin trupa të vrarë si nga ne edhe nga pala greke. Ditët e para e kishim të pamundur të kalonim pa prekur e pa shkelur të vrarët, aq shumë të mbetur në luftë kishte në atë betejë. Ushtria, shokët, prindërit mblidhin të rënët në këto provokacione të fashistëve grekë. Komandanti dhe komisari u vranë, jo në pikën ku isha unë po diku tjetër. U hidhërova shumë kur mësova për fatin e tij, të komandantit dhe shokëve të tjerë. Por kjo ishte luftë dhe atë e fituam, ndonëse me sakrificë. Grekët morën një mësim shumë të madh duke lënë në këtë provokacion qindra të vrarë.

Një pjesë e juaja e kishte për herë të parë përballjen me armikun, luftën dhe përgjithësisht ishit moshë e re. Kishit frikë kur mësuat se do të përfshiheshit në front?

Kisha mbushur 19 vite. Kaq ishte edhe mosha ushtarëve të tjerë, 19-20 vjeçar. Kishte sa të nxehej njeriu. Kur u nxemë në gjak nuk donim t’ia dinim nga shkojmë e nga vimë, me kë përballemi dhe cili jeton apo cili vdes. Të gjithë shikonim vetëm përpara. Nuk frikësoheshim se çdo të bëhej. Kujdeseshim vetëm për të ruajtur veten dhe për të sulmuar drejt objektivit që kishim. Lufta nuk njeh frikacakë. Këtë e dinim mirë. Po të ishim frikacakë do e humbisnim betejën. E fituam vetëm pse kishim moral të fortë. Grekët u tërhoqën vetëm kur panë se si ushtarët shqiptarë hidheshin në grykën e pushkës së tyre dhe kacafyteshin trup më trup. Çdo njëri nga ne llogariste të lante veten e tij, pra të vriste së paku dy armiq. Ne po mbronim tokën tonë dhe kjo na bëntë të fortë. Nuk dëgjohej ndonjë ushtarë duke bërtitur. Plagosej, rridhte gjaku, merrtë plagë në kokë, në sy, në gjoks, vritej dhe nuk dëgjohej njeri të kërkonte ndihmë, të qante apo të lëshonte zë. Jo, jo. Hiç. Fare. Nuk kishte mjek e infermierë. Kështu që ndihma jepej nga vet ushtarët, bashkëluftëtarët, për të plagosurit. Apo të paktën unë nuk kam parë ndonjë ndihmë mjeksore për të plagosurit. Ishin shokët që i tërhiqnin nga lufta duke i kapur për krahësh apo edhe në kurriz. Që andej dërgoheshin në Korçë. Në kohën që nisi përleshja me bajoneta, ushtarët tanë mbështeteshin tek njëri -tjetri dhe godisnin në të njëjtin drejtim, ktheheshin në anën tjëtër dhe bënin të njëjtën gjë. Me të dështuar provokacioni grek në kufi nisën të shpalleshin edhe ermat e të vrarëve. Në fillim emri im u shpall i vdekur. Nëna dhe vellëzërit e motra e kishim marrë lajmin e keq. Disa javë më vonë e kishin marrë vesh se unë jetoja. Me familjen jam takuar pas një viti, në kohën kur shërbeja në polici, pra tre vite e gjysëm pasi isha ndarë me ta për të shkuar në shërbimin ushtarak.

Pas mbarimit të luftës ju u kthyet në repart.

Unë dhe disa ushtarë që kishim mbetur gjallë nga fronti na futën në një dhomë në repart. Aty ishin 3-4 ushtarakë të lartë. Na pyetën se si e kaluam. Më pas u interesuan për zhvillimet në frontin e luftës, betejën, strategjinë e përdorur, shokët e rënë në luftë dhe të tjera të këtij lloji. Na pyetën edhe nëse kishim ngrënë ushqim në këto ditë të betejës me grekët. Pasi përfunduan pyetjet të cilave ne u jepnim përgjigje të thata ngase ishim shumë të dërmuar jo vetëm nga lufta por edhe nga vdekja e shumë ushtarëve, shokëve tanë, njëri prej oficerëve i drejtohet të tjerëve dhe u tregon se si kisha mbajtur vetëm frontin për orë të tëra me Gulinovin tim. Realisht pozicioni që unë kisha zënë me mitraloz nuk lejoi grekët të përparonin duke bërë që plani tyre të dështonte për të hyrë në thellësi dhe për t’i dalë forcave tona nga prapa kurrizit. Ai që fliste me kthehet e më pyet nëse e njihja ushtarakun me shtat të madh që qëndronte para meje dhe më ndiqte me shumë vëmendje rrëfimin tim natën e rrethimit. I them se nuk e kisha parë kurrë ushtarakun përballë meje. “Si nuk e njeh? E di se kush është ky? Komandanti. Enver Hoxha”,-më tha me shkëputje dhe ton oficeri që kishte ardhur nga Tirana. Mehmet Shehun e njihja pasi ishte me ne në rezistencën kundër provokacioneve greke dhe jepte urdhëra për çdo repart e njësi tonën. Enveri u afrua pranë meje dhe pasi më përshëndeti e më falenderoi për guximin e treguar në vijën e parë të frontit më dha një dekoratë të cilën e ngjitën në uniformën time. Më pyeti se si i kisha nga shtëpia por kur i tregova se kisha dy vite pa parë asnjë pjestarë të familjes më kthehet e më thotë se çdo gjë do të shkojë mirë dhe se ata ishin interesuar për shëndetin e familjes sime. Për herë të fundit isha ndarë para dy vitesh me vëllanë e madh, Avdiun. Ai përfundoi detyrimin ushtarak dhe unë shkoja ushtarë. Avdiu kishte qenë partizan. U mërzit kur më pa. Unë do e zëvendësoja vëllanë tim në Bilisht dhe reparte të tjera në Korçë. Ai e dinte se sa shumë vuajtje do të kishte për mua, ndërsa mendoi se të gjitha për ne i kishte hequr ai vet. Për disa ditë na lanë në repart të qetë. Kishim nevojë të e merrnim veten nga ajo betejë me shumë sakrifica. Të tjerët kujdeseshin për të vrarët dhe varrimin e tyre. Nuk vonoi dhe na transferuan. Unë u lirova nga ushtria në vitin 1950, një vit pas provokacioneve greke. Nuk shkova në shtëpi. Me detyrim na futën në polici. Na mblodhën në Tiranë në gazermat e Ali Rizasë. Të gjithë ne që morëm pjesë në mbrojtjen e kufirit nga provokacionet greke na veshën policë. Na bënë një mbledhje të madhe dhe na thanë se duhet të formohet patjetër policia e shtetit shqiptar dhe se ne ishim detyrimisht punonjësit e saj të parë. Gjashtë vite shërbeva me uniformën e policisë.

Cili ishte funksioni që kryente Mehmet Shehu?

Mehmet Shehu ishte në komandën kryesore. Ai ndiqte dhe urdhërontë për çdo gjë. Shkonte duke bërë zikzake në këmbë. Nuk e kapte plumbi atë. Ishte i veshur me një kapotë (pallto). E pabesueshme se si shkonte sa andej-këndej pa u trembur. Ecte e vraponte në këmbë, nuk e kapte plumbi. Nuk përkulej. Shkonte drejt kufirit, përballë grekëve që qëllonin në drejtimin tonë. Pas tij ishim ne ushtarët. Ecnim disa hapa dhe binim barkas. Kështu deri sa shkuam në vijën e parë të frontit. Gjatë kohës që isha ushtarë në Korçë si në këmbsori edhe në mbrojtje urdhërat komanda jonë i merrte nga Koçi Xoxe, ndërsa për rastin e luftës kundër provokacioneve të grekut në gushtin e vitit 1949 i gjithë fronti drejtohej nga Mehmet Shehu. Të paktën kështu e mbaj mend unë pasi atë e kam parë duke komunikuar me të gjithë. Ishte trim dhe i ashpër.

Si ndodhi që ndihmësi juaj u vra? Çfarë ngjau?

Atë e vranë. Unë gjithnjë kam dyshuar se e vrau Mehmet Shehu. Për më shumë se gjysëm orë nga nisja luftës, ne thuasje mbetëm pa komandë pasi nuk dëgjoheshin urdhërat. Vetëm predhat e grëkëve, britmat që ata lëshonin dhe plumbat që fluturonin mbi kokën tonë dëgjoheshin. Këto qenë momentet më të vështira të cilat sollën pasiguri dhe pakënaqësi. Në këto rrethana Gjini u ngrit në këmbë dhe lëshoi disa sharje duke thënë se na kishin lënë në front pa komandë. E qortova duke i thënë të mos flasë në atë mënyrë, por ushtarët e tjerë e kishin dëgjuar pasi nuk ishin larg nga ne. Ndonjëri prej tyre shkoi e i tha Mehmetit për atë që kishte dëgjuar. Mehmet Shehu ishte diku në anë të kodrës, jo shumë larg nesh. Erdhën dy ushtarë dhe e morën duke i thënë se e kërkonin në komandë. Saktësisht njëri prej tyre i tha Gjinit se e kërkonin në komandë. Më sollën një tjetër ndihmës. I pyeta se ku do e çojnë ushtarin duke u thënë se nuk e lëshoj pasi më duhej në mitraloz. Ndihmësi ishte i fortë dhe plot guxim si dhe besnik. Bashkë kishim zënë pikën tonë të frontit dhe nuk lejonim që grekët të afroheshin. Komanda ishte diku pas kodrës. Aty qëndronin ata që urdhëronin për luftën. Ishte e fundit herë që e pashë Gjinin. E vranë apo u vra nuk e di, megjithëse dyshoj se e vranë me urdhër të Mehmetit apo  ndoshta vet ai. Në atë kohë vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu njiheshin, kishin emër të madh. Kur u ktheva në Kapshticë pas përfundimit të betejës pyeta se ku ishte Gjini. Ushtarët dhe oficerët na kishin vënë para ushqim dhe na thonin “hani, hani. Lëreni atë, mos e përmend. Ka ikur në shtëpi, nuk vjen më. Ka mbarur ajo punë” dhe të tjera fjalë e veprime me kokë të cilat më lanë të kuptoja se diçka kishte ndodhur atë natë.

 

Previous articleXhaxhi miltanti deklaron publikisht autorin e vjedhjes së gjelit të Ed Bushit
Next articleÇmenden burrat, gratë denoncojnë bashkëshortët në polici