Home Politike “Godisni majtas”, Kraja-Ramës: Nuk veprojmë me listë, por në bazë të provave

“Godisni majtas”, Kraja-Ramës: Nuk veprojmë me listë, por në bazë të provave

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja i është përgjigjur kritikave të kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar më herët se institucionet po godasin vetëm majtas. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kraja thotë se SPAK nuk vepron me listë, por në bazë të provave. Ai shton gjithashtu se në bashkëpunim me BKH-në kanë vendosur që të qëndrojnë larg komenteve të partive që flasin sipas interesit

I pyetur se çfarë është duke bërë SPAK për kreun e Partisë Demokratike, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur non-grata, Kraja thotë se kanë shumë çështje nën hetim, por nuk jep asnjë detaj konkret.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Ndaj Berishës janë vendosur sanksione për korrupsion, duket sikur perëndimi po bën më shumë sesa autoritetet shqiptare, cila është përgjegjësia e SPAK, cfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?

Arben Kraja: Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmëriusë së zyrtarëve të lartë. Për këtë në Shqipëri është bërë një reformë, kemi dy vite që punojnë për arritjen e rezultateve konkrete. Ne bashkëpunojmë me homologët për të luftuar këtë fenomen. Çështje penale SPAK ka shumë ne hetim dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund dhe për ti vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.

Pyetje: Ka kritika ndaj SPAK se nuk po veprohet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërkohë kryeministri thotë se ju po godisni vetëm majtas, a ju vë kjo përballë një trysnie?

Arben Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligje, opinioni publik dhe partitë kanë të drejtën të shprehen dhe secili e shpreh sipas interesit të tij. Problemi është që ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ne nuk veprojmë sipas një listë, por veprojmë në bazë të provave që administrohen nga hetimi. Kur provohet fajësia marrim masa për gjykim. Ajo që kemi rënë dakord të gjithë është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve politike. Secili prej prokuroreve ka dosjet para dhe është i pavarur.