Home Aktualitet Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nuk pranon pezullimin nga detyra...

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nuk pranon pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të gjykatës së Apelit të Durrësit nën hetim për korrupsion

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nuk pranon pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të gjykatës së Apelit të Durrësit nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tre gjyqtarëve për të cilët u kërkua pezullimi nga detyra janë: Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Hetimi ka nisur që në janar të 2017 pasi dyshohen se ata kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil. Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre. Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore treguan se tre gjyqtarët kishim ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona. Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe është paguar prej tij. Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit. /Ora News