Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj e ka cilësuar një lajm të keq vendosjen e një gjobe 3.6 milionë euro Birrës Tirana.
Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Gjekmarkaj shkruan se kjo “gjobë edukative” ka ardhur për shkak të linjës editorale të mediave News 24, Balkanweb dhe Panorama.
Reagimi i Gjekmarkajt
Gjoba e rëndë mbi fabriken e Birrës Tirana në pronësi të Irfan Hysenbelliut në Tiranë është një lajm i keq për klimën e biznesit, për prodhimet “made in Albania”, një lajm i keq për qindra punëtorë të cilët rrezikojnë vendet e punës ne rast se kjo fabrikë shtyhet drejt mbylljes në pamundësi të përballimit të një gjobe të tillë.
Tregu i punës në Shqipëri nuk ka stabilitet dhe njerëzit emigrojnë teksa edhe aty ku ka siguri vepron represioni selektiv. Zbatimi i ligjit në një vend demokratik është pikë së pari detyrë e shtetit, e administratës, e biznesit, e qytetarëve e kështu me radhë.
Në vendet e zhvilluara shteti ndërhyn kur bizneset që ndikojnë në mirëqenien sociale janë në rrezik jo më ti rëndojë si në këtë rast si ky ku përfaqësuesit e kësaj kompanie pretendojnë që nuk kanë kryer shkelje. Me dhjetëra herë shteti italian ka ndërhyrë që “Fiat” të mos falimentojë e as të largohet nga Italia.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as Irfan Hysenbelliu, por as nën të. Një ndërtues në Tiranë ndërton kate pa leje, e për të mbyllet një sy. Zhbalancime kësisoj krijojnë dy standarde dhe mbi të gjitha tendencë.
Zbatimi i ligjit dhe tendenca kundërshtojnë njëra tjetrën. Lidhja mes këtij biznesi dhe medias News 24, Panorama Tv, Balkanweb, Gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare, me linjë editoriale kritike me qeverinë e kompromenton edhe më shumë këtë “gjobë edukative”.
I bëj thirrje qeverisë dhe administratës si shkop në duart e saj të kthehet tek arsyeja, tek mbështetja ndaj biznesit duke tejkaluar gjuhën e forcës, këtë gjuhë primitive që rri si vragë në fytyrën e demokracisë shqiptare.