Home Sport Gjimshiti garanci për Rejën, Sadiku shqiptari i parë që luan në kupën...

Gjimshiti garanci për Rejën, Sadiku shqiptari i parë që luan në kupën Libertadores

Kombëtarja do të grumbullohet në fund të kësaj jave për ndeshjet e marsit në kuadër të eliminatoreve të Botërorit “Katar-2022”. Në këtë grumbullim të radhës trajneri Edi Reja ka paralajmëruar ftesat për lojtarët më në formë, por edhe për disa të rinj, midis të cilëve ka përmendur vetëm emrin e sulmuesit Florian Kamberi. Në fakt, Kombëtarja ka disa sulmues, por në skemën e trajnerit nuk duket asnjëri që bën diferencë, pasi përfaqësuesja jonë nuk ka një bomber të fuqishëm. Në këto rrethana teknikut veteran italian i duhet të aplikojë atë lloj skeme që i jep mundësinë ekipit të sulmojë, të dalë para portës e pak rëndësi ka kush shënon. Emra si Balaj, Cikalleshi e Sadiku janë në listën e veteranëve, kurse Manaj, Uzuni dhe Kamberi në listën e të rinjve. Këtë herë të rinjtë kanë më shumë shanse të luajnë titullarë krahasuar me veteranët, nisur jo vetëm nga minutazhi në këmbët e tyre me skuadrat ku aktivizohen, por edhe intuita e Rejës që të rinjtë japin mbi 100% të kapacitetit të tyre, pra duan të lënë gjurmë. Gjithsesi, lojtarë si Sadiku, Cikalleshi e Balaj nuk duhen nënvlerësuar. Sa i takon elbasanasit Sadiku ai ka përfunduar në Amerikën e Jugut, ku luan me Bolivar në Bolivi, madje bëhet shqiptari i parë që luan në kupën “Libertadores”. Kurse Berat Gjimshiti, mbrojtës, arriti deri në 1/8 e finales së Champions League me Atalantën e tij dhe ka bërë një performancë fantastike, për të cilën kanë dhënë notë të lartë mediat sportive italiane dhe ato që analizojnë kompeticionin më të rëndësishëm të UEFA-s për klube.

Gjimshiti në momentin më të mirë, jep garanci për Kombëtaren

Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Berat Gjimshiti, si dhe Atalanta e tij e mbyllën rrugëtimin e tyre në Ligën e Kampionëve, teksa mbrëmjen e djeshme u mposhtën në Spanjë me rezultatin 3-1, ndërsa në Italia kishin humbur me shifrat 0-1. Në fushë ishte edhe mbrojtësi i kombëtares, i cili ishte një nga më të mirët për të tijtë, teksa në pjesën e parë bëri edhe një ndërhyrje shpëtimtare ndaj Vinicius. Në notat e “Eurosport”, performance e Gjimshitit nuk ka kaluar pa u vënë re, duke u vlerësuar me notën gjashtë. “Në pjesën e parë shpëton një gol dhe luan edhe këtë herë mes vështirësive. Një ndeshje e mirë dhe e bollshme nga ana e tij”, shkruhej në vlerësimin e “Eurosport” për Gjimshitin. Mbrojtësi kosovar i Kombëtares, Gjimshiti, pritet të mbajë peshën kryesore të repartit difensiv në tri ndeshjet e para eliminatore të Botërorit dhe Reja ka shprehur besim të madh ndaj tij. për momentin është lojtari më në formë i Kombëtares kuqezi.

Sadiku, shqiptari i parë që luan në Kupën “Libertadores”

Sulmuesi Armando Sadiku ka debutuar mbrëmjen e të mërkurës me ekipin e tij të ri, Bolivar. Sulmuesi është futur në fushë në minutën e 68, por nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës për ta bërë edhe më të veçantë debutimin, edhe pse mundësitë e shënimit nuk i munguan. Ndërkohë, Sadiku bëhet edhe shqiptari i parë që luan në Kupën “Libertadores”, duke qenë se Bolivar po luan ndeshjen e kthimit ndaj Uanderers. Ekipi i 28-vjeçarit ia doli të kualifikohej duke përmbysur humbjen në sfidën e parë (1-0), teksa realizoi plot pesë herë. Në ndeshjen e parë, Sadiku nuk ishte i gatshëm për shkak të një infeksioni në stomak, megjithatë tashmë gjithçka është lënë pas dhe në vazhdim, pritet që sulmuesi të gjejë më shumë hapësira në formacion pasi është transferuar me detyrën për të bërë liderin në ekip. Gjasat që Sadiku të ftohet nga Reja janë të mëdha, por vështirë se bomberi kuqezi do të merrte minuta në ndeshjet e radhës, kjo dhe për faktin e lojtarë si Manaj, Uzuni e Cikalleshi janë më në formë se ai, kanë shënuar më shumë gola dhe i përshtaten më shpejt skemës së Rejës në aspektin fizik. Gjithsesi, fakti që Sadiku luan me një skuadër cilësore mund ta nxisë Rejën t’i besojë atij në këtë grumbullim të radhës. Mbetet të zbulohet lista e lojtarëve për të mësuar se kush do të jenë bomberat e ftuar nga Reja për ndeshjet ndaj Andorrës, Anglisë dhe San Marinos.

SOURCEBulevard News
Previous articleDenoncimi: Agron Tufa mori 125 mln lekë nga Bujar Leskaj, 113 i futi në xhepin e vet
Next articleRama: Nuk jam i përsosur ama po luftoj për ju. Dua që djali im i vogël dhe fëmijët tuaj të rriten në Shqipëri