Home Politike Gjekmarkaj ironizon festën e ditëlindjes së PS: Babo gjeti kohë për të...

Gjekmarkaj ironizon festën e ditëlindjes së PS: Babo gjeti kohë për të gjithë!

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka ironizuar festën e ditëlindjes së 31 të Partisë Socialiste.

REAGIMI

Babo tanimë u kthye në Lider historik !!
Shqipëria mbrëmë pat ziafet të madh. Shteti dhe partia pas tridhjetë vitesh u bënë një si dikur motit. Evolucioni cilësor shihej edhe me sy. Nga Sejfulla Maleshova tek shoku Kajmak përfundoi ai. Liri Belishova e sotshme është Bora. Profesorët e dikurshëm që të rrokanisnin kokën ishin bërë def nga sytë. Nuk gjeje një për be. E kujt i duhen?! Trazovaçë të mëdhenj kanë qenë! Çoç u dukej vetja me librat e tyre e shkollat në Francë. Tani një libër ka partia e vendi ” Kurbanin” ! Luam ai qe di të bëjë thesar nga leximi i tij.

Nga PS e dikurshme ishte vetem Gramozi i cili vjen nga tabani popullor ku lançimi e linçimi nuk bëjnë diferencë të madhe, por edhe ai i mvrenjtur. Babo e tërhiqte përpara, Gramo merrte pas me yxhym. Tërhiq njëri e hiq tjetri më në fund fitoi Babo.
Në vend të Profesorve në krye të rreshtit për të pritur Babon u shfaq Damo si krushk me kostum e atlete, pak i skuqur nga emocionet dhe shëndeti. Ai mbajti një fjalim historik plot erudicion me një fjali “të rrojë Partia të rroni ju”, pas tij Blerina me ngjyra furfullitese feste vuante padurimin e pritjes , Lali me gëzimin e përhershëm, intelektuali i shquar Alket Hyseni përlotej, Tigrushit një lezet i madh i kishte pushtuar fytyrën megjithëse tërë pasditen kishte bërë sanduiçer, Tezja e cila harenë e shfaqe me këmbe e duar edhe pse kishte larë e fshirë sheshin që nga mëngjesi e kështu me radhë. Ajo herë pas here u tundua t’ja merrte një kënge me Tërmetin kushtuar Babos.

 

Tao ishte më i terhequr dhe i buzeqeshur me masë. Fjalimi i Damos i dha lajtmotivin e mandatit të tretë dhe e preku thellë në zemër. Evisi me sytë nga Edona që shihte Zeusin dhe kësisoj ndriçohej. Klosi me në fund dukej si Karl Marksi me mjekrën e rritur e të dendur. Edhe me Fahron nuk piqet më.

 

Mjergulla mbuloi praninë e Presidentit Bake xhani. Disa thanë nuk erdhi, si ja bëri Babos këtë? Të tjere besuan se e kanë parë me Nikon pas një peme në periferi të festes duke biseduar për pronat e ushtrisë. Niko hante kërnacka e pinte birrë Korça, Bakja një ballë kazani Skrapari me shishqebap. Majko që në Parlament erdhi ngaqë Inceneratoret nuk dogjën mbeturina por Bllakon e gjorë i kishte kthyer shpinën Babos dhe qashtersisht bisedonte me Elisen e cila ndiqte me sy Babon mjekrra e të cilit po thinjej nga hallet.
Musai shpërndante supë nga ajo që gatuan Lali për të pastrehët që të ardhurit nga larg të paqtonin midenë. Shalsit i kishte rënë me e lehta punë! Në një qoshe mbushte kupa me akullore për ata që lypnin freski. Braçe nuk u pa në qender as Xhafa mbase druanin se mos ndonjë nga ministrushet e reja i pyeste po ju xhaxha kush jeni? Ditmiri nuk u pa se po punon per bukën e kalamaqerve me meditje në Europë, jep mend këtej e andej. Ishallah se merr vesh Babo se do mërzitet.

Ulsiu me modesti kishte punuar në akçihane gjithe pasditen! Me një perparse kasapesh veshur e me biçak kishte rrjepur nën blir desh e cjeper. Çuçi kishte qeruar patate e grirë sallatë po pa përtesë fare se Lideri tani që Opozita është rrëmujë e s’ka frikë prej saj keto punera i ka shumë per zemer. Garat e devocionit e gëzojnë pa mase por edhe e merzisin kur janë bajate se ai mbahet per kalores i estetikes dhe kodifikues i etikes. Braimllari i LSI shend e vere këpuste salsiçe me dhembe njëra pas tjetrës si shenjë besimi për nuancat e reja mes PS dhe LSI, teksa Xhixho nazuiste nje gotë ujë. Margeriti koka e se cilës kishte dalë mbi re studionte nga lart arkitekturën e Partisë në kohen e Babos. Etilda nuk u shfaq në vende te dukshme mbase per t’i shpetuar syrit të keq. Manastirliu e cila është lodhur por me sukses ka kryer fushatën e vaksinimit kuptoi që aty të gjithë kanë marrë vaksinën e dashurisë për Babon dhe u ndie mirë.

Babo gjeti kohe për të gjithë! Madje bëri një foto të ngrohte edhe me Kryetaren e Kuvendit duke shkaktuar jo pak xhelozi tek mileti po edhe për t’i thënë, mirë mirë u takove me Papen por unë jam Zoti. Kastriot Çaushi meqënese fondacioni “Qemal Stafa” humbi erdhi si tek filmi “Qortimet e Vjeshtes” per tu kujtuar idealet e medha ndonese Tigrushit ju duk si Vasil Laçi i dekoruar nga Meta që mund të bënte hatane. Mornica i shkuan mbi trup dhe u bë gati ti hidhej persiper. Babo nuk foli. Pertoi. I daroviti të gjithë nga pak pa perkushtim të madh dhe pastaj iku tek Zaho që po e priste në shtepi. Teksa hipte në makinë Laçko admironte Ali Pashanë e vet! Rrugës mendonte 24 vjet në Pushtet, 17 në krye të PS. Unë jam lider historik jo Nano që detyrohem ta kujtoj çdo vit me bezdi të madhe. Ai është lider historik në pension. Unë e Doktori në punë. Ne i japim përjetësi historisë./BW