Home Portret GJECI & GJOCI, një takim befasues

GJECI & GJOCI, një takim befasues

 

 

Para 13 vjetësh, saktësisht më 1 qershor 2008.
Takim malli dhe dashuria.
Gjecin e mbaja mend herët, në fëmijërinë time, e kam ndjek duke u rritur, shkolluar, marrjen përgjegjësi të detyrave të vështira  të punës. Kisha miqësi me babanë e tij, Shukriun, bile kisha bërë një fotografi kur fillova punën në shtator 1959 si agronom në kooperativën e Brezhdan-Zdojanit, vendlindjen e tij dhe timen.
Gjocin e kisha shokë punë. I kishim zyrat pranë e pranë, në një kat, një mur na ndante. Kishim mbaruar të njëjtin universitet, Institutin e lartë Shtetëror të Bujqësisë, siç mori emrin e përveçëm në 10 vjetorin e themelimit, 1961, emër që e mbajti derisa u bë Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ia kisha pi rakinë në kullën e tij në Vajmëdhej. Edhe kafen e hidhur…
Takimi, pas 12 vjetësh ndarjeje ishte një befasi e këndshme. Na qeshte zemra. Shikoni fotografinë dhe do ta lexoni. Kam bërë një gabim që nuk ia fali vetes. Kam fotografuar dhjetëra mijëra njerëz, në udhëtimet e mia nëpër Dibër e në mërgim. Më vjen keq që nuk i kam kërkuar dikujt që ta shkrepte aparatin, bashkë me ta në një fotografi…
Tash kam filluar ta korrigjoj. Vonë, tepër vonë…
Në këtë rast, të tre bashkë, buzëqeshja dhe gëzimi do të ishte i trefishtë.
Dicitura do të ishte Gjeci – Ashiku – Gjoci… Dy Brezhdanas e një Muhurrak. Me siguri do më kishin futur në mes, do të më merrnin për krahu.
Ishte një rastësi që atë ditë parakalova mjediseve të “Shumicës”, asokohe në mjedisin e ish uzinës Dinamo.
Ishte një rastësi që sot, tek e gjeta midis dhjetëra mijëra fotografive, rastësisht, më solli mall e dashuri.
Nuk e di në se ata kishin krijuar firmën “Gjeci & Gjoci”.
Do të ishte një gjë e bukur…
Me siguri kishin krijuar dashurinë jetësore Hysni Gjeci & Rexhep Gjoci…
Sonte bën shumë ftohtë në Athinë. Frynë erë. Kohë bore…
Ky “takim” më ngrohu.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 12 janar 2022