Home Opinion Gazetarë apo telendarë?!

Gazetarë apo telendarë?!

Nga Denis Dyrnjaja

Skandali seksual i Librazhdit po nxjerr në pah çdo ditë e më shumë problemet e mëdha të nivelit profesional dhe etik të medias. Rastisa te shoh një video ku gazetarja e një emisioni investigativ në mënyrë krejt joprofesionale, jo etike, deri në veprime imponuese dhe brutale fizike i kërkonte familjarëve të cilët u përfshinë në intimidimin e nuses që u kap në flagrancë me te dashurin, të pranonin publikisht fajin, të kërkonin ndjesë dhe të pranonin madje edhe akuzat penale që gazetarja ia parashtronte si prokurore.

Kur sheh videon është aq gabim sjellja e gazetares sa të duken si viktima dhunuesit dhe të bën të ndjesh keqardhje për ta. Gazetarja e karikuar për të tërhequr me çdo kusht një reagim për lajm dhe klikime, thyen çdo kod profesional, në një qasje totalisht të rastit dhe për më keq, me sjellje populiste të tipit demaskues si në kohën e diktaturës.

Dashamirësisht një apel çdo kolegu që rend pas intervistave dhe lajmeve skup. Ju lutem përmbahuni. Misioni që keni dhe ndajmë së bashku në kontekstin e statusit që kemi lidhet me një profesion thelbësor, fisnik dhe jetik për shoqërinë nëse iu qëndrojmë parimeve. Por nëse parimet dhe etika shkelen, gazetari shndërrohet në një ekzekutor pa armë por me fjalë. Siç thotë edhe proverbi i famshëm, gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Kjo na shndërron nga misionar të çmuar, në aventurier të urryer.

Çdo kush prej nesh ka lirinë te bëjë çdo pyetje, investigim, apo të mbajë një qëndrim, por në çdo rast ai nuk mund të jetë apo shndërrohet ndaj askujt në imponim. Në të tilla raste kur kufijtë profesionalë të medias thyhen, atëherë ky është problem edhe më i madh se vetë problemi që një gazetar/e kërkon të trajtojë.

Media dhe gazetarët kanë si mision të sjellin në vëmendje fenomene, prova e fakte, por kurrsesi të kalojë limitet e të shfaqet intimidues dhe verbalisht të dhunshëm. Një gazetare po intervistonte vjehrrën e nuses që u bë tabelë qitjeje në publik, për tradhëtinë bashkëshortore. Ajo i kërkonte me insistim dhe me gjuhë prepotente që gruaja të pranonte publikisht se kishte kryer një krim.

Po me çfarë statusi një gazetar/e i bën pretencën një shtetaseje/i kur në këtë sistem që jetojmë sado faj dhe çfarë do krimi te kesh kryer ke te drejtën te mos flasësh dhe të mos i japësh llogari akujt përveç ligjit dhe ligji në këtë rast është drejtësia e cila përfaqësohet nga gjykata. Madje e drejta dhe prezumimi i pafajësisë të rezervon të drejtën të mos flasësh edhe para gjykatës. Në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe për më tepër të shtuar po shohim gazetarë që flasin e sillen si prokurorë. Shpesh herë kjo është aq e dukshme dhe e gabuar sa fillon të ndjesh keqardhje për ata qe në fakt janë shkaktarë të abuzimit vetëm e vetëm se gazetarët tejkalojnë limitet profesionale.

Etja për lajm, për skup, por qoftë edhe për të zbuluar të vërteta nuk duhet të kalojë caqet etike profesionale. Intimidimi dhe sugjestioni janë të ndaluara në gjykatë e jo më në një komunikim publik. Media nuk mund te shndërrohet në “hanxhar publik” për shkak të joprofesionalizmit të disa individëve që kanë mare detyrën dhe statusin e gazetarit . Në këtë drejtim editorët dhe drejtuesit e redaksive kanë shumë për te bërë pasi fenomeni është i përhapur gjerësisht, sidomos në emisionet investigative.

Trajnoni gazetarët te sillen me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje. Është zotësi më vete të gjesh mënyrën e duhur të kryerjes se detyrës për të informuar publikun pa cënuar lirinë e askujt e për më tepër pa u kthyer e shndërruar në abuzues me statusin që te jep detyra e shenjtë e gazetarit që gjithnjë e më shumë po shkon drejt profilit të telendarit.