Home Aktualitet Gazeta “Bulevard” zbulon për herë të parë 23 emrat që kanë...

Gazeta “Bulevard” zbulon për herë të parë 23 emrat që kanë themeluar Teatrin e Durrësit me urdhër të Enver Hoxhës

teatriNga Xhevo Gradica / Arkivi i teatrit “Aleksandër Moisi” në Durrës ka nxjerrë në dritë fakte të reja të cilat tregojnë detaje pak apo aspak të njohura. Dosja numër 1 e arkivës ruan materiale me shumë vlerë që kanë të bëjnë me urdhërin e themelimit të teatrit, autoritetin që vendosi emërtimin e këtij institucioni kulturor, aktorët e parë, nismëtarët dhe themeluesit, premierën e parë e shumë detaje të tjera me vlerë. Përgjegjësi arkivës Luan Jaupi ka bërë të ditur se arkiva e teatrit është shumë e pasur dhe se ajo ruhet me shumë kujdes. Materialet e arkivit janë të sistemuara mjaft mirë në saj të një pune serioze dhe të përkushtuar. Tranzicioni demokratik në vitet 1990 e në vijim dhe trazirat e vitit 1997 nuk kanë cënuar asgjë në këtë arkiv falë vullnetit dhe këmbënguljes për të mbajtur e ruajtur me çdo kusht këtë pasuri shumë të çmuar. Në dosjen numër 1 gjendet shkresa e cila tregon urdhërin e datës 3 janar 1953 për hapjen e teatirit në qytetin e Durrësit. Shkresa është nënshkruar nga kryetari i shtetit shqiptar të kohës Enver Hoxha i cili gjithashtu ka vendosur t’i japë teatrit emrin e aktorit shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu. Kaq ka mjaftuar për aktorët dhe dashamirësit e skenës e të kulturës për t’iu përveshur punës në hapjen sa më parë të teatrit. Kështu me datë 11 janar 1953, vetëm 8 ditë pasi Enver Hoxha kishte nënshkruar shkresën, u krijua teatri në Durrës. Drejtues, aktorë, regjisorë, krijues të shumtë zgjodhën për të vënë në skenë pjesën dramatike “Vajza nga fshati” shkruar nga Fatmir Gjata. Puna për ta vënë në skenë nisi me 20 shkurt 1953 dhe u shfaq me 12 prill 1953 duke marrë shumë mbështetje nga dashamirësit e artit. Pjesa “Vajza nga fshati” u realizua nën kujdesin e pandërprerë të Pandi Stillu i cili më pas ia la vendin Panajot Kolos i cili sapo ishte diplomuar në Bashkimin  Sovjetik në artin dramatik. Vet Stillu kthehet në Tiranë në teatrit popullor duke marrë me vete kujtimet më të mira nga Durrësi, aktorët dhe publiku shumë dashamirës. Në dosjen numër 1 të arkivit të teatrit, gjendet një material që bën të ditur se shfaqja e parë “Vajza nga fshati” është dhënë në kinemanë “14 nëntori”, objekt që sot nuk funksionon më. Përgjegjësi ,Luan Jaupi, thekson se qyteti me një histori 2600 vjeçare e kishte pritur prej kohësh hapjen e teatrit me aktorë profesionistë. Durrësi kishte trupë amatore shumë vite më parë. Madje që në fillim të viteve 1900 në këtë qytet ka pasur lëvizje të grupeve të skenës dramatike. Këto lëvizje fituan simpati dhe respekt për shkak se vunë në skenë pjesë të autorëve të medhenj botëror të periudhave dhe rrymave të ndryshme kohore. Durrësi vinte me një kulturë të pasur, trashëgimi të manifestuar dhe emancipim të dukshëm duke u renditur në zonat me peshë të çmuar intelektuale për kohën. Kjo i dha shtysë të padiskutuar zhvillimit të teatirit i cili në gjysmën e parë të shekullit 20 mbijetoi me shumë dinjitet edhe pse me trupë amatore dhe me skena të improvizuara me shumë sakrificë. Me themelimin e teatirit “Aleksandër Moisiu” dhe krijimin e fizionomisë së plotë nisën me rradhë pjesët dramatike të ngjiteshin në skenën e teatrit. Fill pas “Vajza nga fshati” vjen premiera “Nderi i familjes”, “Era e lirisë”, “Martesa”, “Familja e peshkatarit” e me rradhë njëra pas tjetrës duke mos reshtuar për asnjë çast përgatitjet dhe shfaqjet. Në bilancin e saj të arritjeve 50-vjeçare mësohet se trupa e teatrit ka dhënë më shumë se 200 premiera,ndërkohë që numri shfaqjeve ka qenë shumë i lartë deri edhe i paparashikueshëm. Shumë prej tyre janë shfaqur deri në 45 herë, ndërsa pjesë dramatike si “Martesa” kanë qëndruar në repertor për mbi 30 vite duke kënaqur shijet e publikut artdashës. Me kalimin e viteve institucioni teatirit mori fizionomi të plotë pasi veç  stafit profesionist në skenë, u mundësua edhe shërbimi cilësor në prapavijën e saj, si mbështetëse dhe ndikuese në sukseset e njëpasnjëshme të trupës së aktorëve. Me teatirin e Durrësit e kanë lidhur jetën e tyre një numër mjaft i madh personalitetesh të skenës të cilët i kanë dhënë jetë dhe emër shumë të dëgjuar qytetit në përballjen me grupet më të mira të teatrove në Shqipëri.

Previous articleKryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako merr pjesë në ceremoninë e Ujit të Bekuar
Next articleBegeja do të vazhdojë të jetë trajner i Teutës