Home Aktualitet Gati projekti i hekurudhës Durrës-Tiranë – Rinas, në qershor hapet tenderi...

Gati projekti i hekurudhës Durrës-Tiranë – Rinas, në qershor hapet tenderi ndërkombëtar

Pas shumë vuajtjesh dhe rrënimi masiv duket se në Hekurudhën shqiptare do të vihet më në fund dorë.  E vjedhur rregullisht në këta 27 vite të tranzicionit HSH është tashmë në gjendjen e saj më të mjeruar ndërsa nga buxheti i shtetit dalin miliona për ta mbajtur me frymë atë pak infrastrukturë që ka mbetur, ato pak lokomotiva dhe vagonë që shpesh përfunduan për skrap  në fushata për të financuar partitë. Kreu i kësaj Hekurudhe  që ka vetëm pak muaj që është emëruar Ani Dyrmishi është shprehur për bulevard news se tashmë është hapur drita jeshile për një nga segmentët më të rëndësishëm , ai që lidh Tiranën me Durrësin. Sipas Dyrmishit në fund të muajit maj përfundon proçesi i kualifikimit dhe në qershor pritet të hapet tenderi ndërkombëtar për këtë segment. Sipas tij nëse gjërat do të ecin mirë, pasi dihet që tashmë fondi është I siguruar në muajin tetor do të nisin punimet që do të fillojnë nga Durrësi dhe për afro 20-22 muaj ky segment do të jetë gati me një tren me shpejtësi  konkuruese. Ai ka thënë se në bashkëpunim dhe me bashkinë e Tiranës treni pritet ti afrohet në maksimum  vendit ku ka qenë më parë, pra ish stacioni i vjetër. Tirana falë një  vendimi të Lulzim Bashës kur ishte kryebashkiak është ndoshta kryeqyteti i vetëm në botë që nuk ju ka stacion treni. Por bashkëpunimi sipas Dyrmishit ka gjetur një zgjidhje që pritet ta ribëjë kryeqytetin  përsëri me stacion treni dhe me udhëtarë që lëvizin nëpërmjet tij. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim sapo i ka dhënë Shqipërisë një kredi prej afro 42.5 milion euro për rindërtimin e një hekurudhe dhe ndërtimin e një linje të re. Këtij projekti iu bashkua edhe Bashkimi Europian me një grant 42 milionë dollarë të tjera. Projekti përfshin rregullimin e 34 kilometër hekurudhë nga Tirana deri në portin kryesor të Durrësit, si edhe 7.5 kilometër të tjerë nga kryeqyteti deri në aeroportin e vetëm ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ndërtimi i fundit pritet të kushtojë rreth 90 milionë euro nga kryeqyteti në aeroport, një pjesë nga të cilat do t’i mbulojnë buxhetet vendore. Shqipëria ka trashëguar nga regjimi komunist një rrjet prej mbi 420 kilometër hekurudha, që lidhin qytetet kryesore të vendit dhe zonat ekonomike më të njohura, të gjitha bazuar në teknologji të vjetëruara motorike./ bulevard news