Home Politike Furnizimi me gaz nga terminali i Vlorës, nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit

Furnizimi me gaz nga terminali i Vlorës, nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit

Kryeministri Edi Rama dhe ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Overgas dhe Albgaz. Kompania Overgas, ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku shtoi se është një moment i shënuar për një nga projektet më të rëndësishme për gazifikimin e Shqipërisë duke iu referuar projektit të termocentralit të Vlorës të pjesës gazifikuese të portit lundures.

“Ne po hedhim një hap të madh duke e kthyer nga një projekt lokal në rajonal. Në javët e fundit pasi kemi publikuar përpjekjet me partnerët tanë amerikanë, kemi pasur shprehje dëshire për bashkëpunim nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova për tu bërë pjesë e këtij projekti. Këtij projekti i afrohen dhe partnerë të tjerë mjaft të njohur të naftës dhe gazit. Kemi nisur një punë paraprake, Albgaz është angazhuar për t’i dhënë një hap më tej këtij bashkëpunimi. Hapi që hodhëm me skepticizëm në fillim sot po kthehet në një nga projektet më të rëndësishme të rajonit për të gjithë Ballkanin”, tha Balluku.