Home Kulture Filmi “The Albanian Virgin” në Festivalin Ballkanik në Romë

Filmi “The Albanian Virgin” në Festivalin Ballkanik në Romë

Në programin e ditës së 4-rt të Festivalit Ballkanik në Romë, organizuar nga shoqata “Occhio Blu”, u shfaq dhe filmi shqiptar “The Albanian Virgin”, i regjisorit Bujar Alimani. Prezantimin e filmit e bëri kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë z. Eduart Makri, i cili theksoi nevojën e forcimit të bashkëprodhimeve europiane në kinematografi. Alimani është padiskutim një nga regjisorët dhe skenaristët e suksesshëm të kinematografisë shqiptare.

Filmi “The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit më herët pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore. Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet.

Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. Në një reagim të saj më parë aktorja Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor atë të Luanës, ka treguar se është një projekt filmi që e ka për zemër.

Ky film është një prodhim i Elsani & Neary Media GmbH / Gjermani, Potemkino Port / Belgjikë, 90 Production / Shqipëri, Circle Production / Kosovë. Qendra Kombëtare E Kinematografisë e ka financuar këtë film në kategorinë Bashkëprodhime në Minorancë. Filmi gjithashtu është financuar nga: ZDF ARTE, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Kosovë, “Eurimages” dhe “Europe Creative”.

Previous articleFOTO: Rama i ulet në gjunjë kryeministrit të Luksemburgut
Next articlePresidenti Macron në Tiranë: Është e rëndësishme që të kemi solidaritet për energjinë. Do të kthehem për një takim dypalësh