Home Kulture Filmi “Internimi” me ngjarje në vitet ’80-të, aktorja Sinani: Moza, një viktimë...

Filmi “Internimi” me ngjarje në vitet ’80-të, aktorja Sinani: Moza, një viktimë e asaj kohe të vështirë

Jeta e tre gjeneratave të një familjeje shqiptare gjatë regjimit komunist, shkatërrohet, kur një mik i familjes, i sapo riatdhesuar nga Amerika, arrestohet për spiunazh. Me skenar dhe regji nga Kast Hasa në filmin “Internimi” është Shqipëria gjatë sundimit komunist. Filmi i zhvillon ngjarjet në vitet ’80 dhe këto ditë publikun e gjen në kinematë e Tiranës. Moza është një personazh real i asaj kohe. Një viktimë e asaj kohe të vështirë. Personazh në film, që luhet nga aktorja Ioana Sinani. Një rol, të cilin siç tregon dhe vetë regjisori ia besoi që në takimin e parë. Aktorja Ioana Sinani tregon se ndihet vërtetë me fat, që regjisori Kast Hasa ia besoi rolin e Mozës. “Bashkëpunimi nisi nga një njoftim që më erdhi se do të realizohej një film me metrazh të gjatë. Sikurse të gjithë aktorët dorëzova CV dhe pas disa ditësh më konfirmuan se duhet të bëja casting për këtë rol. Ky personazh është histori reale treguar brez pas brezash si viktima e asaj kohe”, tregon aktorja. Diplomuar në regji-teatri në Akademinë e Arteve, Ioana Sinani këtë herë është pjesë e filmit “Internimi”. Në ekranin e kinemasë vjen me një personazh që siç shprehet dhe vetë gjatë xhirimeve kuptoi shumë për atë kohë të vështirë. “Moza është një viktimë e asaj kohe të vështirë edhe tragjike do thosha unë. E internuar, jeton në atë fshat me gjithë të tjerët. Operatori e shfrytëzon fizikisht edhe moralisht. Shet shpirtin edhe jo vetëm. Moza nuk ka ndjenja është e ftohtë e vuajtur. Dorëzohet sepse ka nevojë, por nuk do. Gjatë xhirimeve të filmit kuptova se sa e vështirë ishte ajo kohë edhe pse kam dëgjuar nga prindërit, por nuk e kisha imagjinuar kurrë veten në atë pozicion. Edhe pse lexova shumë më duhej ta jetoja, që ta besoja”, tregon aktorja.