Home Kulture Festivali “Vox Baroque” ndalon te kisha e Shën Nikollës, në Shelcan

Festivali “Vox Baroque” ndalon te kisha e Shën Nikollës, në Shelcan

Në muajin e trashëgimisë kulturore koncerti i radhës, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Vox Baroque” u zhvillua te kisha monumentale Shën Nikolla e Shelcanit. Pjesë e Ansamblit të Muzikës Baroke, sopranoja Ulpiana Aliaj, kitaristi Denis Bizhga dhe Jusuf Beshiri në klaviçembal luajtën për të pranishmit në këtë koncert, ku më parë ata ishin dhe në Tiranë. Tre artistë të vlerësuar me aktivitetin e tyre artistik nga publiku, ku koncerti këtë herë u zhvillua në një destinacion turistik, por dhe mistik në Elbasan, në kishën Shën Nikolla.

Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri, ku dhe këtë herë koncerti u përcoll me interes. Kisha në Shelcan të Elbasanit mbart vlera të jashtëzakonshme me veprat e saj. Kisha është një monument i trashëgimisë kulturore në Shelcan, rrethi i Elbasanit, shumë e njohur për rëndësinë e saj në trashëgiminë kulturore në vendin tonë. Kjo kishë është e njohur për afresket e piktorit të madh shqiptar të shekullit XVI, Onufri. Kisha është njënefëshe, me hajat të vonë nga ana jugore dhe ajo perëndimore.

Në naos hyhet nga ana perëndimore dhe jugore. Kisha është me pllaka guri të çrregullta, dhe e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Për sa i përket datimit, duke u nisur nga teknika e ndërtimit me dy dhe tre rreshta tullash horizontale, mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit XVI. Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque”, që mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit antik rigorozisht të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe inciativavës alternative promovuese të atyre artifakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. Festivali “Vox Baroque” ka disa vite, që zhvillohet në vendin tonë duke përcjellë një krijimtari të zgjedhur muzikore, e cila vlerësohet nga publiku. Edhe këtë vit përzgjedhja e programit në festival ishte menduar me muzikën baroke, ku nuk munguan dhe vepra premierë më parë për publikun. Jusuf Beshiri është themelues i festivalit ndërkombëtar “Vox Baroque”.