Home Ekonomia Fermerët humbin 25% të prodhimit për shkak të makinerive! Kreu i ‘Agrobiznesit’:...

Fermerët humbin 25% të prodhimit për shkak të makinerive! Kreu i ‘Agrobiznesit’: Bujqësia po përballet me mungesë punëtorësh

Largimi i të rinjve drejt qendrave të urbanizuara dhe emigrimi jashtë vendit, po kthehet në shqetësim për fermerët gjatë periudhës së vjeljes së prodhimit. Kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj në një intervistë për Report TV shprehet se mungesa e fuqisë punëtore po ul prodhimin.

“Tashmë po ndeshemi me mungesën e fuqisë punëtore në momentin e vjeljes për arsye sepse po shpopullohet zona rurale dhe shumica e të rinjve po largohen prej saj dhe mbetet vetëm mekanizimi si elementi kyç që ne të mos ulim ritmin e prodhimit dhe të mos lëmë pa shfrytëzuar potenciale që kemi. Në të njëjtën kohë është provuar që nëse nuk e vjelim në kohë prodhimin për arsye të mungesës së fuqisë punëtore 30% e tij humbet”, shprehet Rrapaj.

Problemi tjetër që çon në humbjen e 25 për qind të rendimentit të prodhimit të fermerëve, janë makineritë e vjetra që përdoren gjatë procesit të vjeljes.

“Mekanizimi është problem sepse flota e mekanikës bujqësore është e një moshe që i ka kaluar të gjitha parametrat që përdor Bashkimi Evropian porsa i përket jetëgjatësisë. Ne humbasim një rendimet me makinën e vjetër 25% të prodhimit. Ne humbasim një sasi të madhe prodhimi vetëm si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe mekanizimit në procesin e vjeljes”, thotë Rrapaj.

Ndërkohë vetëm në 6-muajt e parë të këtij viti, vendi ka eksportuar ushqime dhe pije-joalkoolike me vlerë174,9 milionë euro. Mbi 15.7 milionë euro sipas Institutit të Statistikave, ishin zarzavate, drithëra dhe fruta, vlerë qe do të ishte shumë e e lartë nëse makineritë bujqësore do të ishin të reja.

“Ne kemi produkte të sigurta, duke qenë se në vitin e kaluar dhe deri më tani ne nuk kemi asnjë kthim mbrapa porsa i përket mallrave nga vendet e rajonit që kanë një kontroll të imtësishëm. Ne kemi disa bimë që i kanë rezistuar kohës dhe me këtë ne çajmë tregjet për arsye të shijes shumë të mirë që ata kanë dhe për shkak të vlerave ushqyese që ato kanë”, tha kreu i agrobiznesit.

Ndërkohë sa i takon çmimeve të larta të produkteve bujqësore në treg, Rrapaj thotë se shkak janë grumbulluesit e paligjshëm, dhe fakti që në kryeqytet shpërndarja e frutave dhe perimeve bëhet nga një treg, duke bërë që çmimet të caktohen nga ky monopol.

“Janë grumbulluesit e pa-formalizuar që shesin me çmime të pakontrolluara dhe të parregulluara nga tregu. Ne na mungon një bursë dhe mungesa e saj bën që ne të mos kemi një çmim të unifikuar dhe një çmim të rregulluar. Shpërndarja e perimeve është e diktuar nga një treg dhe ka një dominancë edhe në vendosjen e çmimeve çka bën që ne të mos përfitojmë as nga luhatja e tregut dhe as nga tregu i lirë”, tha ndër të tjera ai.

SOURCEBulevard News
Previous article“Varianti Delta, virusi më i rëndë me të cilin do të infektoheni gjatë gjithë jetës”
Next articlePak e sulmojnë, por askush nuk e mbron!