( Parafjalë refleksionesh mbi romanin “Vendi diku midis” të Enkeled Lamajt )
Nga Vladimir Muça / Manipulimi i fantazisë drejt një racionaliteti
Romani ” Vendi diku midis ” që rastësisht më ra në dorë gjatë proçesit botues, i vjen lexuesit me risi që të befasojnë e të mbajnë në një fiktion që në kapitujt e parë. Ngjarjet e romanit zhvillohen në Tiranë e rrethinat e saj ku ishte ngritur “Parku i nëndë dëshirave” , diku fillimisht buzë liqenit artificial dhe më pas në Parkun Kombëtar të Dajtit me laboratorin e cyberias.
Personazhet kryesore Sindrit Kola dhe dy Anat , njera binjake dhe tjetra partnere shpirtërore e Sindritit lëvizin me pasigurinë e tyre sa në një vend në tjetrin , me fantazmën e gazetarit të ri Andrea Andoni, i cili u gjend i varur në një dhomë të qytetit Studenti , apo e Besnikut në vdekjen ” aksidentale ” në rrugën për në Vlorë.
Në këtë roman lakuriqësohet bota shqiptare si në hapësirë dhe në kohën absurde të një tranzicioni beduinësh.
Roman fantazisto – horror por dhe i mbarsur dëngshëm me ndjesira shpirtërore , gjer në zanafillat e një dashurie blatimore, universale. Dashuria universale e dëshirat vinë në një luftë për jetë a vdekje me krimin shumëplanësh. Veprimet shtjellohen nën një iracionalitet të pritshëm shoqëror , lindur në mitrën e një racionaliteti të pritshëm shoqëror të përjetuar përditë nga autori.
Një punë kolosale , jo vetëm për të ecur në shinat e një stilistike të re , por edhe për të ndërtuar strukturën stilistikore të një romani post modern të natyralizuar në botën shqiptare , pa ato mbulesat e imazheve reklamative.
Eshtë më se e qartë se Enkeled Lamaj , i pakontaminuar nga ndikimet e soc- realizmit , duke u ndodhur midis një subjekti fantazisto- horror dhe realitetit të përjetuar pranon manipulimin fantazist, herë në tentativë drejt racionales, e herë në një intuitë ekzistenciale.
Për këtë qëllim ai përdor trillin horror dhe herë arshivimin e bumit gazetaresk. Një stilistikë kjo, krejt e veçantë nga romanet policeske , romaneve të Edgar Poes, ” Neveria ” të Zhan Pol Sartrit apo skenarëve hollivudianë të vrasësve në seri.
” Vendi diku midis ” mund të duket në aparencë dhe si romanet stereotipe , ku e mira përballet me të keqen, fëmija i dalë ” kaçak” përballet me prindin pedant, mësuesi me nxënësin arapçi. Nën këto dinamika të jetës , Enkeledi ka dhuntinë të na japë hollësitë e padukshmërisë të kësaj dinamike, si dhe pasojat në rrafshin social dhe moral.
Ndoshta kjo duket si stereotipe , nga që është një temë e nxehtë , e pa rrahur nga kritika në tërësi.
Nxënësi Sindrit Kola ( personazhi kryesor i romanit ) mbase do të bëhet dishepulli i parë i ” predikimit” të një letërsie të re. Me një personazh të tillë si dhe me ” dokumentimet ” e hollësishme, përshkrimet ireale drejt përqasjes në realitet ekzistencial , autori do t’ja dalë mbanë të fitojë zemrat e lexuesve , duke i bërë ato ekzigjente në realitetet e reja shoqërore.
Kjo do të ndodhë, sepse autori, i analizon në kënde të ndryshëm vështrimorë dajën, gazetarin e ri Andrea, policinë e korruptuar, biznesmenin e vjedhjes të dëshirave të fëmijve, shokun e klasës , komshijen e zemrës Ana, nënën birësuese e nënën biologjike…
Autori e zhyt personazhin kryesor Sindritin e personazhet e tjera në dilema morale; në ato pikëpyetje mbi varjen e gazetarit Andrea, mbi aktivitetin e ” Parkut të nëndë dëshirave “. Ndaj ky roman, vjen në plazmën e shoqërisë si tepër tronditës , por njëherësh zbulon universin e korruptuar të kësaj shoqërie për të cilën aspirojmë, ku ligji nënshtrohet nga antiligji e njeriu kthehet në një viktimë të një sistemi të tillë antishoqëror mbarsur me reminishenca nga e kaluara , ushqyer nga ithtarë të vazhdimësisë, në ato tunele e dhoma të errëta të diktaturës.
Në pluralizmin e sotëm krijues, mbas ç’bërjes të guackës mjegullore, ardhja e një romani fantazisto – horror, si një risi e prozës romaneske, është një eveniment . Ai vjen si një produktit i vetë gjendjes sociale, të shoqërisë shqiptare me atë horrorin e saj, ku më butë e ku më egër ndër shtresat shoqërore.
Anaforat dhe roli i tyre metaforik si një dezhavy
Jo vetëm anafora me nocione metaforike e titullit të romanit ” Vendi diku midis ” , por edhe sentencat anaforike të ” shumë – populluar ” si ” mos harro të mos harrosh ” të herëpashershme nëpër kapitujt e romanit bëjnë jo vetëm lidhjen organike të rrëfimtarisë, por rrisin valencat e kuptuershmërisë e të ideve, nga kapitulli në kapitull, drejt një grafiku në ngjitje të fuqive protonike të bërthamës së romanit.
Në këtë kontekst edhe futja e mediumeve, rrjeteve sociale në filozofinë narrative nuk vjen vetëm si një dukuri e elementëve të modernitetit , por është dhe një start i mirë në braktisjen e provincialit që vihet re , si dhe i arkaizmit tradicional në letërsi. Rrjetet sociale vinë si gjeneratorë të shoqërisë, risi kjo në prozaizmin shqiptar.
Ngjarjet vinë në plazmën e një DEZHAVY – je , me kuitzet e mendimit e të veprimit mbarsur me brutalitetin e një krimi që përfshin edhe subkoshiencën e njeriut si ftillesë e një horrori të pritshëm shoqëror.
Romani ” Vendi diku midis ” na vjen si një bashkësi trillesh horror, produkt i një “vrasësi në varg” , me simbolikat përfaqësuese të gjithë shtresave shoqërore. Këto trille e simbole , të ndërthurura si një rrjet merimange , janë nga më të ndryshmet , por që kanë një ndërlidhje , një konvergim me njera tjetrën.
Kur kthjellohet qielli , ato enden nëpër hapësirën e kaltër si ato pezhishkat fluturake, bashkohen e mjegullojnë diellin metaforik të shumë e shumë dëshirave. Në këtë qiell, të dalë nga ” birat e dheut” ( varret, bodrumet, katakombet, bunkerat ) ata krijojnë komplekse rafinante me ndjellësi magjistricash me ndihmën e cyberias të kohës.
Në jetën e përditshme e familjare, ata duken të dashur e njerëzorë, me personalitet prej biznesmeni , por sapo futen në këto ” bira dheu ” ndryshojnë substancën e jetës së tyre, drejt një makabre të paskruptull. Ndaj autori këto trille – simbole i vendos jo vetëm në imagjinatën parashikuese të njëmijë e një të zezave por në këto rrjeta mjegullnaje i sjell si ato mbetjet asteroidi, të cilat kalojnë ozonin e hapësirave sociale të shoqërisë e vinë të frikshëm , me zjarr e tmerre, drejt vendlindjeve të hapësirave tona tokësore.
Me mjeshtri Enkeledi kundër kësaj mase jashtëtokësore ( jashtë shoqërisë që aspirojmë), krijon narracionin fantazisto – horror , ndërthurur me dëshirat e prevaluara të shoqërisë, brenda stilit të tij. Ai thyen komplekset e një horrori klasik , na sjell një format të ri ku me një kondra-përgjigje, ndjehet dhe vitaliteti i forcave kundërshtuese të shoqërisë, si në hapësirë dhe në kohë.
Kjo është dhe risia që sjell autori në romanin e tij , modern, ekzistencial: veçanësia e stilit ku fragmente të jetës shoqërore ndërthuren , integrohen, kapërthehen me njera tjetrën, në një luftë për ekzistencë , larg një përgjumje të narkotizuar , në luftën me të keqen kriminale, në kundërshtim me qëndrimet shtetare, të rendjes pas krimit, në ” drejtim të paditur”.
Autori evidenton rrezikun që vjen nga një qëndrim indiferent dhe jep shteg- zgjidhjet e mistereve në luftën pa kompromise me krimin. Kjo thirrmë e autorit, vjen si një proklamatë për të gjitha masat në luftë ndaj krimit e jo si një detyrë individuale e ” specializuar ” e tipit Sherlok Holms apo e një Ceni hollivudian.
Masat e gjëra sociale , duke filluar nga Andrea , Sindrit Kola, Ana duhet e do ta bëjnë këtë histori lufte dhe për jetë a vdekje në këtë shoqëri të dëshiruar pa kurrë fare ndjesie inferioriteti. Kjo e bën dhe romanin aq shumë të domosdoshëm e indikativ për shoqërinë e sotme shqiptare, e bën tërheqës, ndjellës me misteret që mbart.
Në këtë kontekst, unikë janë kapitujt e parë dhe të fundit në lloin e vet ; me atë komplecitetin e dëshirave të pafundoi8me për jetën dhe dashuritë , ku ndjehet forca e një monologu dhe dialogu të Sindritit, Anës , si uvertura të një jete më komplekse.
3.Kur iracionalja shkon drejt racionales
Proza e Enkeled Lamajt, vjen disi e veçantë dhe në strukturën e prurjeve iracionale të figurave. Ajo është e mbushur me pasazhe e trille poetike e fantaziste gjë e cila i këndjell lexuesit duke i joshur me rrëfimtarinë e mëtejshme. Ai arrin të na japë rifinitura artistike me shumë mençuri dhe si derivate të shumë shqetësimeve. Shqetësimet për dritat, ujin, sigurinë e jetës , ekologjizmin , evidentohen si probleme fondamentale të shoqërisë.
Në këtë aspekt , iracionalja e fantazuar nga autori përkon e shkon drejt një racionaleje të përjetuar dhe nga autori në handikapet e zhvillimeve të sotme shoqërore ku krimi me potencilain e tij herë- herë gjunjëzon shtetin. Në gjykimin e autorit , në kuptimoren e këtyre zhvillimeve sociale, kjo paradigmë vjen si një thirrje përkushtrimore për rreziqet që mbart në zhvillimin e sotëm, ku shteti që duhet të na dalë zot në mbroje, hera- herës gjunjëzohet para një krimi të tillë.
Trafikimi i personalitetit , i dëshirave, si një vazhdimësi e totalitarizmit , vënia në shinat e një oligarkie shtetare , trafikimi edhe i subkoshiencës të adoleshentëve, organizuar e drejtuar nga një organizim i veçantë, gjer në vjedhjen e dëshirës për të shkruar, janë evidentimet më ogurzeza të një perspektive për një ” meshë të zezë” të një kronike të zezë.
Autori zbërthen zhvillimin e ngjarjeve tragjike si ” vetëvrasja ” e Andreas , ” aksidentit ” në rrugën për në Vlorë të Besnikut, mbytjen në Divjakë, djegien e ” Parkut të dëshirave” në Dajt dhe njëherësh të pesë shtëpive në Tiranë, në psikologjinë e një absurdi shoqëror duke shkëputur hallkat e cirkuitit jetësor të njeriut , gjer në braktisje të ambjentit shoqëror, eleminimin e dëshmitarëve , rendja mbas kriminelëve në ” drejtim të paditur” , një monotoni e post – krimit.
Por në kontrapunkt , autori nënvizon:
“Historitë janë si njerëzit dhe si të tilla , kanë nevojë që të qëndrojnë gjallë.Eshtë një luftë e vazhdueshme kjo ” sepse ” çdo histori qëndron në jetë në varësi të së vërtetës që ka brenda.”
Me anë të kronikave të zeza , autori , në këtë kontekst i bën epikrizën shoqërisë së sotme, me ato ngjarje e fenomene që e ndjekin atë; në konceptin psiko – analitik , i thotë lexuesve: – gjykojeni ju më tej i dashur lexues.Mos lejoni që në politikat sociale , të stimuluara nga grupe interesi të caktuar , në këtë kohë të cyberias të ju kthejë në robotë, duke ju vjedhur dëshirat, duke ju kthyer në qenie pa interesa sociale , skllevër modernë të një oligarkie të re skllavopronarësh-.
Me një sintagmë të tillë , të një panorame krimi të kohës, me një fanta-horror të përsosur i bëhet njëkohësisht autopsia një qeverisjeje antisociale, ku vjedhja e personalitetit vjen si nismëtarja e një seri krimesh të tjera. Në këto humbella horror, personazhet nga përtej jeta ( nga një iracionalitet ) vinë nëpërmjet një ferri të ri dantesk. Nuk ka se si të artikulohet më mirë në këtë luftë për prosperitet social ,të mirësisë e dëshirave të njeriut, se sa sjellja e nocioneve poetike në suazat e një romani fantazisto – horror.
Romani dhe poezia, Sindriti dhe Ana, rreshtohen në këtë luftë për jetë a vdekje kundër krimit të organizuar, suportuar nga segmente shtetërore , më refraktar se kurrë, me besim të patundur në vetvete. Moikom Zeqo një horrori të tillë apokaliptik i ka bërë poezinë ” Mesha e zezë” ku :
“Ç’retorikë funebre për njohjen e globit!
E ardhmja në kriptologjinë tani shtjellohet!
Shikimi si Meshën e vetë zotit , zotit
E bëjnë vrasësit, grabitësit, kriminelët. ”
Për apologji artistike dhe në romanin e tij, Enkeledi në kontekstin romanesk, me një “Meshë të zezë “moikomiane i këndon Te Deu-n horror të kësaj retorike funebre në ikje. Në ikje se prosperiteti social i takon popujve e jo ” çifligjeve” të Parkut të Madh të Dëshirave.
Jo më kot romani fillon me një psiko- analizë të një degresioni shpirtëror e shoqëror. Në konceptin Lakan dhe Jung, me një post- frojdizëm të letrarizuar ndërthuren konceptet e jetës dhe të vdekjes si prevalim i një shumie dëshirash që të çojnë në pangopësi. Futja e pasazheve eseistike, filozofikimi me një publiçistikë të letrarizuar, i ka dhënë jetësi rrëfimtarisë.
Në këtë proces krijues , autori ndjek me rigorozitet linjat e Kamysë, Borgesit, Umberto Ekos, të një prozaizmi modern , ku filozofikimi me intimitetet , vogëlsirat detajore, përbëjnë zanafillat e një veçorie të narracionit.
Autori operon shpesh dhe me retronë, me palimpsestet jetësorë si shtresa mbajtëse të ndjesive njerëzore e që janë zanafilla e një vazhdimësie të pandërprerë.
Një rol të rëndësishëm në këtë aspekt luan fantazmagoria dhe bota virtuale e kudo mbirë në prozën e Enkeledit të cilat vinë si element artistikë në proçesin krijues , si ushqyes i nje spiritualiteti , i një bote të mirëkonturuar siç e materializon në formë metaforike autori për Anën : ” Ana tashmë ishte banore e përhershme e mendjes sime.”
Siç luan me ngjarjet dhe fenomenet shoqërore në një fantazi , edhe me personazhet autori luan psikologjikisht me ndryshueshmëri. Portretet psiko – analitikë të personazheve janë dukuria themelore e tyre. Kjo ndjehet dukshëm tek personazhi kryesor Sindrit Kola, ku mbas plagosjes e daljes nga spitali vjen si mishërimi i një letrarizmi filozofik , një dukuri thelbësore e romanit të sotëm modern.
Qartaz kjo sintetizohet në sentencën filozofike ; “…të ndjesh është shumë herë më e sigurtë se të mbash mend “- filozofon autori. Apo metafora e peshqve të thellësive dhe të idevetë fjetura që shpërthejnë po njëlloj si këto peshq me fuqinë e mijra neuroneve dhe protoneve që shpërthejnë kujtimet.
4. Dashuria universale dhe vrasësit në varg
Ndjesitë e një dashurie universale janë bashkëudhëtare e pandarë e këtij udhëtimi fantazisto – horror. Kjo është një veçori tjetër që sjell risinë në këtë roman. Përpjekja e një irealiteti të ëndërruar i cili lufton me shpirt me një realitet të përjetuar. Jo vetëm në kapitujt e parë dhe të fundit , ku ndjehet më e fortë forca muzikale e një uverture në një ndeshje të tillë pa komplicitete , por gjatë gjithë romanit ndjehet lufta për jetë a vdekje në triumfin psiklogjik edhe atëhere kur gjithçka është “e varur në fije të perit” , del triumfi i arsyes mbi absurdin që solli një hapje të tillë pa kurrfarë porte.
Ky roman me gjithë këto probleme që shtron vjen si një ” detyrë shtëpie” , si një logaritmë filozofike në jetën sociale, të një vendi në një tranzicion shoqëror , në gjithë shtrirjen kohore , por dhe më tej në perspektivën e një prosperiteti.
Romani ndonëse mbart shumë maja të një jete adoleshente , vjen tejet rrënqethës, mbarsur me një jetë të trazuar , një rendje drejt një jete në një ” vend diku midis ” , por dhe rrokopuje, drejt një ferri pa kthim. Ndaj autori në këto rrugëtime , si suporte në trajtimin substancial vendos sentencën e Vilhelm Raiht se : ” Qëllimi ndodhet në majë të shtegut , ku që të arrish duhet të ngjitesh. ” (- Dëgjo njeri – e Vilhelm Raiht.)
Ndonëse në horror , Sindriti dhe Ana e të gjithë moshatarët do e kenë të hapur shtegun te ” vendi diku midis “. Një libër i guximshëm, një sagë ndërhyrëse në karaktere , psikologji, që lakuriqëson situatat kriminale, indoktrinuar nga lavazhe truri të cilët kthehen në makina vrasëse. Në këtë lakuriqësi del shembulli i një caku aq të brishtë në një shoqëri në tranzicion, aspirimi për një qytetari kundër barbarisë, mes njerëzillikut dhe monstruozitetit.
Mjafton që diçka e vogël të ” krisë ” të dalë nga udha e zotit ( prosperiteti shoqëror ) që fati i njeriut të marrë udhën e ferrit , të shkojë nga drita e ëndërruar në errësirë , nga ëndërra e bukur plot dëshira , në një kllapi në humbella danteske. Në këto koncepte të një irealiteti të shumë e shumë dëshirave në luftë me një realitet të përjetuar, autori siç duket e ka moto atë çka evidenton në këtë kontekst Wallas Stevens : ” Ajo çka na intereson është një proces i veçantë në mendjen tonë racionale që ne e perceptojmë si iracionale, sepse ai zë vend në mënyrë të pashpjegueshme ( fantaziste V.M.) ose më mire mund të thoja se ajo çka na intereson nuk është dhe aq proces hegelian , se sa ajo që rrjedh prej tij.” ( Revista ” Aleph ” Nr 15 , 2004 )
Enkeledi me anë të fanta- horrorit , në një rrëfimtari , zbërthen si në një mëngjez, të mjegulluar diskursin e Wallas Stevens – it në parametrat e jetës së sotme shqiptare , duke lëshuar një rrezatim diku ndriçues e diku verbues, thagmën që mbart në vetvete ky iracionalitet, që autori me fanta – horrorin e tij e përqas aq bukur në jetën e sotme shqiptare.
Rrëfimtaria romaneske në këtë sage do ta quaja në mënyrë metaforike , tenton pikërisht bërjen transparente me anë të një irealizmi drejt një realiteti që kriminaliteti i ngjarjeve dhe fenomeneve , fshehur nën zhgunin e një demokracie të ëndërruar , ushqen jo vetëm kriminalen e importuar , por dhe atë të trashëguar nga pasardhësit. Anamneza e kësaj shoqërie është tepër e qartë në këtë roman , lexuesi ta lexojë e të bëjë psiko- terrapinë e vetvetes, të luftojë edhe për shoqërinë.