Home Opinion Falënderoni Alfred Pezën që konkurroi për drejtues në RTSH !

Falënderoni Alfred Pezën që konkurroi për drejtues në RTSH !

Nga Kristo Mërtiri 

Kur po binte muzgu dhe po bëhesha gati të hidhja këto shënime në ballkonin tim të hapur nga vapa te Brryli, ndodhi një befasi e pakëndshme : Dy-tre karkalecë jo të vegjël hynë si me furi brenda dhe kërcenin sa nga një cep në tjetrin, duke goditur si me minitokmak dyshemenë, muret e xhamat ! Jo në livadh. E as në rrugë. Aty për aty, më shëmbëllyen me mjaft portale në ditën e tretë të javës që shkoi, që zbrazën “pisqollat” drejt Radiotelevizionit publik, duke e puthitur thepin dhe shqekëzën për Drejtorin e ri të Përgjithshëm, gazetarin e mirënjohur Alfred Peza.
Paralajmërimi serioz për të mos bërë, sipas tyre, “shkarkime masive”  nga puna, sikur të prishte më keq edhe gjumin e prishur të këtij korriku. Na ruaj o Zot nga mizëria me karkaleca, se nga mushkonjat po presim tenderin e pambyllur në Ministrinë e Brendshme! …Sa për “shkarkimet” e vërteta qëndron ndryshe : Janë vetëm “ 7 ndërprerje të marrëdhënies së punës për mosparaqitje në punë(prej kohësh), shkelje flagrante të rregullave në punë…Të gjitha, përmes një procedure strikte ligjore nga cdo pikëpamje”. Për kaq bëhej gurguleja në portale !
Po të mos kishin hyrë ata karkalecat e cartallosur, nuk do e filloja kështu shkrimin. RTSH-ja mua më ka dhembur e më dhemb. Edhe për arsye personale. Ka qenë një kombinat gjigand mediatik për brenda e jashtë Shqipërisë. Me kameramanë, gazetarë, regjisorë, montazhierë, folësa, telekronistë, teknikë etj mjaft të zotë e të talentuar. Në memorien e publikut, sot e kësaj dite ruhen emrat e tyre të nderuar. Por Politika në Pluralizëm ia futi thikat para dhe pas shpine ! Të përkëdhelurit e djeshëm të monizmit (sidomos ata që erdhën si me katapult nga jashtë këtij institucioni, në krye të drejtorive a departamenteve) jo vetëm që masakruan e larguan arbitrarisht mjaft punonjës “deri me urdhra nga SHIK-u famëkeq i Gazidedes”, por e kthyen në një oaz të thekur partie e qeverie. Shikueshmëria po merrte rrokullimën nga njëanshmëria vrastare nëpër Studiot e Lajmeve e gjetkë. Mercenarët e rëndomtë partiakë thyen dhe bënë copë e thërrime cdo kod etik, moral e profesional. RTSH-ja po mykej, plakej e myshkej edhe nga karakteret e fëlliqura që dinin të tundnin e shkundnin teserat blu si shamitë në vallen e pushtpushtetit. Nuk jepnin asnjë lajm ose shtrembëronin djallëzisht të vërtetat deri edhe për kolegët që bridhnin nëpër salla gjyqesh e rajone policie me akuza tragjikomike. Shkurt, qëllonin pa mëshirë “me hurin e fjalës” nga mikrofonat dhe ekrani. Pushteti dhe Partia mbi të gjitha ! Kur u arrit një majë zezonë në Informacion, duke hyrë direkt në Studio lajme të gatuara në SHIK, pa asnjë filtër publicistik e gazetaresk, filloi fundi i fundit përballë publikut të cmeritur e të zhgënjyer gjer në grykë. Faktet flasin dhimbshëm në vite, si njolla të zeza në historinë e medias shqiptare.
Dritëroi i madh, një nga patriarkët e publicistikës sonë, 29 vite më parë na foli shkoqur: RTV-ja nuk e ka mësuar ende demokracinë; është kthyer në një pasqyrë ku shikon fytyrën e qeverisë duke u krehur; është shndërruar në një transmetues shkel e shko të historisë së vendit; është ulur kultura e punës politike, ekonomike, sociale, letrare; u kalua në banalitet të padurueshëm sic ndodhi me fushatën e Referendumit me karikatura e butafori qesharake dhe me karagjozë të rroitur nga ethet partiake; censura është më keq se në regjimin e kaluar etj. Po kush dëgjonte nga ai vesh ?
Por koha i dha të drejtë poetit e gazetarit të papërsëritshëm:”…RTV nuk do të jetë një instrument në duart e demokracisë, por një qysqi në duart e antidemokracisë”. Dhe vërtet kështu u katandis ! Rrokullima vazhdoi gjatë nëpër këmbët e pushteteve. Njerëzia shkelte pultin e telekomandës te kanalet private…
Kur lexova shpalljen e kandidaturës nga Alfred Peza për Drejtor të Përgjithshëm, të jem i sinqertë, u gëzova. Por edhe rashë në mendime e dilema. Fredi është rritur në sytë e mi, si djalë e si gazetar. Megjithse ka provuar me sukses disa media të shkruara e elektronike, duke i ngritur nga hici, kur bëhej fjalë për RTSH-në edhe unë u stepa pakëz përballë atij guximi jo të zakonshëm. Mirëpo, i mocmi ka thënë se guximi shpesh është fillimi i fitores ! Aq më tepë kur ecën paralel me profesionalizmin e lartë. Pa ardhur nga lëndina të tjera të jetës sociale e ekonomike. Zgjedhja e tij në krye të atij gjigandi mediatik, nuk ishte rastësi. Për mua, më e goditura. Sepse atë institucion prestigjioz nuk e kam vlerësuar kurrë si “vend vakëf”. Përkundrazi. Është një barrë e madhe që kërkon shpatulla jo të vogla profesionalizmi e menaxhimi. Nuk pastrohet kollaj ndryshku e myshku i krijuar nga paaftësia, makutëria e papërgjegjshmëria. Sepse konkurimi i Pezës ka brenda edhe frymë atdhetarie të prekshme, pa llogaritur rehatinë e vockël personale. Aq më shumë kur pranon të kontribuosh pas një rrënimi profesional e financiar. Publiku taksapagues pret shumë pas atij zhgënjimi real e të pamerituar. Të paaftët, hajdutët e korruptuar, përtacët dhe dembelët, me siguri hidhërohen. Punë e madhe ! Janë po këta rondokopë, llafazanë e zabërhanë që përpëliten e jargaviten, betohen për të vërtetën dhe puthen me gënjeshtrën. Pastaj hidhen e përdridhen nëpër portale dhe ulërasin përtej gardhit për “shkarkime masive” !? Mjafton të mos bëjë firo portofoli a karta në bankomate dhe pa lëvizur nga Unaza e Kryeqytetit. Përshembull, ku janë telereportazhet me “bukë” nga krahinat e vendit tonë ? Jepen e rijepen ca emisione limonadë, për të mbushur boshllëkun e programeve dhe të transmetimeve radiotelevizive të vakëta e pa lëngun e jetës pluraliste në kulturë, ekonomi, art e politikë, shkencë e shëndetësi, në shërbimet e ndryshme ndaj qytetarëve etj.
Së pari, personalisht kam bindjen se Alfred Pezës nuk ia zenë dot kokën me derë, as servilët dhe as skuthët e intrigantët e regjur nëpër skalionet e Polit(h)ikës, biznesit e të kapitalizmit shqiptar. Aq më pak nga karkalecët e paemër mediatikë dhe sidomos nga karkanxhollët e përrallave popullore të veshur “me këmishë prej hekuri e që bënin cudira”! Dhe nuk e tjetërsojnë dot në urë e vig ku të shëtisin të mirë e të ligj…Së dyti, ai e njeh jo pak historinë dhe kulturën shqiptare e më tej. Dhe natyrshëm do të pengojë lulëzimin e antikulturës edhe si krijues. “Kultura jonë duhet të jepet në RTSH sic është krijuar dhe sic krijohet, pa dallime pikëpamjesh dhe idesh, pa dallime përkatësisht partie dhe botëkuptimesh”. E bukuar bën këmbë vetë ! S’ka nevojë hic për redaktime e retushime të shëmtuara. Vecse kokëtulët nuk mund të bëjnë dot ndryshimin që kërkohet nga taksapaguesit e opinioni i shëndoshë publik. Së treti, ngritja e një Tavoline të rrumbullakët këshillimore me ish punonjës të talentuar të këtij institucioni të nderuar dhe që e dashurojnë ende(jo thjesht nostalgji) e që kanë realisht dhembshuri, me siguri do i bënte mirë rritjes cilësore të programeve e emisioneve. Pa harruar jashtë asaj tavoline personalitete të spikatura nga fusha të ndryshme dhe pa shikuar vëngër bindjet e tyre politike. Sepse karkalecëve u vret veshët kjo lloj Tavoline. Ata nuk ka Ligj që i mbron, me përjashtim të Maliqëve… Së fundi, sikur Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u të veprojnë shpejt, thuhet se do të qelbet dynjaja nga abuzimet e shumta. A do të kakarisin vallë “kundërshtarët” përgjërues të “shkarkimeve masive” ?! Demek, janë hidhëruar së tepërmi, tamam si nëpunësit memurë pa shtyllë kurrizore që presin e përcjellin plot lëpirje varganin e drejtorëve pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë. Ata tromaksen nga kapja e demit prej brirësh !…
Alfred Peza, mendoj se nuk lajthiti aspak dhe as fluturoi me krahë euforie kur konkuroi për Drejtues në RTSH. Minimalisht, duhet falnderuar dhe mbështetur sinqerisht. Por pa u ngutur dhe pa u tutur. Asnjë alibi nuk pi ujë para Ligjit. Në fund të fundit, një e ligë është shumë, një e mirë është pak ! Sic na këshillojnë te mençmit, të mos arrish ata çapaçulë e hileqarë që “hanë bajga, pastaj protestojnë kur gjejnë një qime”….

Previous articleShuhet Vangjel Gjikondi, lamtumirë piktorit qeparotas! Miqtë: Ike po le pas një perandori me tablo
Next articleFirmosi dy herë në vendimin për t’i marrë vulën Bardhit, reagon Oriola Pampuri: Ishte keqkuptim, duan të heqin vëmendjen nga disfata e radhës