Home Opinion Falcone, kur u vra, nuk ishte as i larë, as i krehur

Falcone, kur u vra, nuk ishte as i larë, as i krehur

Nga Frrok Çupi

Gjykatësi, hero i kombit italian, u vra me gjithë ‘degë e rrënjë’, me gruan, fëmijë dhe tre truproja. I ishte përkushtuar misionit të tij. Bosi i bosëve, Toto Riina, përdori gjysmë ton eksploziv; në rrugën e aeroportit u krijua një gropë e hatashme sa mahniti botën.

Nuk dua të tremb prokurorët tanë; as prokurorin e Përgjithshëm, as prokurorin e SPAK. Por edhe sot prokurorët mund të vriteshin në këtë luftë të egër. Falcone nuk e kishte Amerikën pas vetes, këta e kanë. Pa Amerikën as që do t’ia kishim dalë kurrë; mafiozët tanë do të na kishin ‘hëngër me dhëmbë si lepuj’.

‘Inshallah’ as Olsi as Arbeni nuk kanë dëgjuar gjë në jetë  për Giovanni Falcone, ‘hero i jashtëzakonshëm i ndërgjegjes’.

Kur i shikoj, si njërin edhe tjetrin, besoj se nuk kanë pikë trishtimi, as pikë burrërie profesionale, as pikë frike. Të dy më duken si dy burra ‘aqua e sapone’, të sapodalë nga pika e vesës. Flokët të krehur e të lëpirë me kujdes, vetë të larë e të ndërruar si bebe, të veshur ‘spic’, me një lëkurë të bardhë e të kuruar sapo kanë dalë nga ‘spa and wellness center’. Nuk e dua këtë lloj burri, megjithatë e pranoj se janë në modë; jo si prokurorë sigurisht, por ndoshta si kamerierë a diçka tjetër.

Kur vdiq Falcone, maj 1992, nuk kishe ku t’i gjeje para të depozituara apo nëpër xhepa, as shtëpi luksi, as vilë, as ndonjë shënim për parfumet. Ai nuk jetonte në bllokun e zyrtarëve mafiozë.

Nuk është kjo çështja e tërë. Çështja është se si prokurori, si inxhinieri apo si gazetari…, me atë çfarë i shikon në bojë, atë do t’i kërkosh edhe në soj.

Puna është akoma më e thellë:

Sot ne ndodhemi në luftë kundër mafies; fatmirësisht me Amerikën në krah. Por lufta është e egër; gjeneralët janë prokurorët. Sa janë të dhënë prokurorët tanë në misionin e tyre kundër krimit? A janë me ne apo janë me mafien?

Pak më shkoqur: Sa thellë i fusin duart prokurorët tanë në gropat e zeza ku gëlon mafia, korrupsioni, vrasja, prostitucioni, trafiku, paratë e pista, vjedhja, mashtrimi…?. Sikur edhe vetëm një minutë kohë t’i kishin futur duart, si Olsioni ashtu edhe Arbeni, të jeni të sigurt se do të kishin ndodhur dy fenomene që nuk kanë ndodhur: E para, në këta tre vjet do të kishim të dënuar të paktën tre njerëz të ‘mëdhenj’ të korrupsionit dhe krimit. E dyta, me siguri do të kishim para nesh dy burra- por burra, me kostume të përdorura dhe të gjëra sa një thes ( dhe me mendere të gjëra), me flokë të shprishur, me sy të trimëruar. Ama, jo kështu; prokuroria më duket si pasarelë burrash.

A ka rëndësi vetëm ‘kostumi i gjerë dhe e folura si burrë’ e prokurorit?

Përtej kësaj ka një botë të tërë: Kush i përkëdhel prokurorët?

Kjo është çështja.

A mund ta pyesnim Falconen se ‘kush të përkëdhel?’. Jo! A mund ta pyesnim se ‘si ia bën nëse sapo të kthehesh në familje të kërkojnë vila dhe para nga korrupsioni?’. Jo, sigurisht. Sepse Falcone i ishte përkushtuar luftës kundër mafies, përkushtuar me gjithë shpirt e me gjithë familje. Falcone dhe gruaja e tij, gjyqtarja Francesca Morvillo, u vranë së bashku. Ai dhe familja e tij ishin më të pasigurtët në botë.

Prorkurorët tanë janë dy djemtë më të garantuar në botë: Iu mbrohet familja dhe banesa, fëmijët kur shkojnë në shkollë, këta vetë me disa trup- roja; iu mbrohet zyra njësoj si e Papës. I mbron edhe Amerika. Shumë mirë. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër është se këta mbrojnë veten: Kurrë nuk marrin rrugën si Falcone në gjueti të mafiozëve dhe kriminalëve; gjithmonë presin si ‘waiters’ që t’u vijë krimineli si klienti në restaurant. Rrallë herë dalin për një spektakël të vogël deri te shkallët e zyrës; publiku as i njeh, as i do, as i di. Kurrë nuk shfaqen në publik, nuk luajnë me fëmijët, nuk ecin më këmbë rrugës sonë. Ç’roje mund të jenë këta për ne; ne i ruajmë, ata jo?

Falcone, brenda një viti, nga 1986 deri 1987, çoi prapa hekurave 342 mafiozë. Këta këtu kanë tre vjet në rolin e komedianit: me lojën e heshtjes i bëjnë njerëzit të shqyejnë sytë, dhe këta zgërdallën: ‘Kur do të jetë në gjyq një i korruptuar i madh?’. Arbeni guxoi e bëri sfidën: ‘Harrojeni- tha-, as Meta, as Berisha nuk vihen në hetim!’. Ranë përtokë gjethet në bulevard.

Prokurorët tanë, si askund në botë, i mbron shteti në njërën anë, i mbron krimi në anën tjetër.

Nga shteti dhe individi nuk durojnë asnjë fjalë, sepse janë ‘të lirë’.

Falcone, i pa krehur dhe i pa përkëdhelur, me aktin e tij ndryshoi perceptimin e njerëzve për Mafien; këta çfarë mund të ndryshojnë nëse korridoreve të pastra të zyrave mërmërisin motivin ‘ruaj çfarë ruajte,  se ‘korrupsioni është legjenda’.

Nuk e di pse mu dha t’i krahasoj me Giovanni Falcone; apo ndoshta pse Shqipëria tani ndodhet në luftë kundër Mafies, njësoj si atëherë Sicilia.