Nga Ilari Papa, (Instituti i Uashingtonit për Politikën në Lindjen eAfërt [Washington Institute for Near East Policy]
Në javën e parë të majit [2021], anija mallrave e marinës amerikane “USNS Bob Hope”, mbërriti në portin shqiptar të Durrësit në kuadrin e përgatitjeve për stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21”. Ndërsa NATO-ja zhvillon stërvitje vjetore për të rritur ndërveprimin dhe bashkërendimin e aftësive të anëtarëve të saj, “Defender Europe 21” qëndron larg për dy arsye: do të jetë operacioni më i madh në Evropën Juglindore që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm. Pjesëmarrja e Shqipërisë në “Defender Europe 21” nënvizon rëndësinë e saj në rritje me politikën e jashtme të SHBA në Ballkanin Perëndimor në dritën e konkurrencës së SHBA me ndikimin kinez në rajon.
Vendndodhja e rajonit – përgjatë Mesdheut dhe në kryqëzimin e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut – ofron një pikë hyrëse strategjike me vlera. Interesat e SHBA në Ballkanin Perëndimor përqendrohen në sigurinë dhe stabilitetin. Gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në fund të viteve 1990, Uashingtoni rriti angazhimin e tij në rajon duke udhëhequr “Operacionin Forca Aleate” të NATO-s, e cila ndaloi sulmin e regjimit jugosllav kundër shqiptarëve në Kosovë. Që prej asaj kohe, të paktën në letër, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në zgjidhjen e konflikteve (si ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), integrimin e rajonit në institucionet shumëpalëshe perëndimore dhe zbatimin e reformave demokratike. Sidoqoftë, politika e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti është karakterizuar nga neglizhimi që nga lufta në Kosovë. Uashingtoni ka investuar pak burime në rajon, duke u kënaqur me rolin e një vëzhguesi soditës. Në rastin e Shqipërisë, Uashingtoni ka pasur një rol të kufizuar, duke i dhënë përparësi ndihmës për zbatimin e reformave anti-korrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Politika e SHBA ndaj Shqipërisë
Tre zhvillime tregojnë rëndësinë potencialisht në rritje të Shqipërisë për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Së pari, Uashingtoni dhe Tirana kanë bashkëpunuar në sferën ushtarake dypalëshe dhe nën kujdesin e NATO-s. Trupat shqiptare kanë mbështetur fushatat e NATO-s në Afganistan, Irak, Kosovë, Detin Egje dhe Letoni. Më shumë se 3 000 ushtarë shqiptarë janë bashkuar me forcat amerikane dhe aleate në Afganistan që nga viti 2002, ku 99 prej të cilëve ishin në detyrë aktive në 2021 kur Presidenti Bajden njoftoi tërheqjen e SHBA-së. 1 343 trupa të tjerë shqiptarë morën pjesë në operacionin “Liria e Irakut”, duke fituar lavdërimin e gjeneralit Llojd Ostin (Lloyd Austin), i cili punoi me forcat shqiptare si komandant i Korpusit shumëkombësh dhe tani është sekretari i mbrojtjes i ShBA-së.
Përfshirja e Shqipërisë në “Defender Europe 21” dhe vlera e saj si një partner i SHBA buron si nga këto vite bashkëpunimi në sferën e sigurisë, ashtu edhe nga pozicioni strategjik i vendit në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Sipas Departamentit të Mbrojtjes, stërvitja “përfshin 28 000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 26 vende të ndryshme”, ndërkaq Shqipëria bashkërendon me 1 000 trupa dhe gjashtë baza ushtarake në të gjithë vendin. Përveç ndihmës së aleatëve për të modernizuar operacionet e tyre ushtarake, “Defender Europe 21” ka një vlerë simbolike, duke siguruar partnerët evropianë të NATO-s për angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e tyre, njëkohësisht i jep sinjal të fortë Rusisë, e cila së fundmi grumbulloi trupa përmes kufirit nga Ukraina.
Një tregues tjetër i rëndësisë potenciale të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara është bashkëpunimi perspektiv ekonomik midis Uashingtonit dhe Tiranës – megjithëse mbetet i kufizuar në krahasim me partnerët e tjerë tregtarë të Shqipërisë. Investimet e Uashingtonit në vend kanë filluar të rriten kohët e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, [investimet e huaja direkte (IHD)] dhe ato amerika u rritën në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020 me 48 për qind në krahasim me të njëtën periudhë të një viti më parë. Përveç kësaj, një memorandum mirëkuptimi 2020 SHBA-Shqipëri vendosi bazën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, kompanitë amerikane nënshkruan marrëveshje investimi në dy projekte të mëdha energjetike në Shqipëri: hidrocentralin Skavica dhe termocentralin e gazit natyror Vlorë. Nëse projektet në vazhdim në Skavicë dhe Vlorë japin rezultate të frytshme, më shumë firma amerikane ka të ngjarë të hyjnë në tregun shqiptar. Por në këtë moment Shtetet e Bashkuara nuk luajnë nrol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, përmes IHD-ve ose lidhjeve më të gjera tregtare. Shtetet evropiane kanë investuar shumë më tepër në vend dhe tregtia e SHBA-së është modeste në krahasim me importet nga lojtarët e tjerë të mëdhenj si Kina ose Rusia fqinje.
Së fundmi, lidhjet SHBA-Shqipëri po forcohen edhe në sferën diplomatike. Fuqia e butë amerikane ushtron ndikim të fortë mbi popullsinë e Shqipërisë – sondazhet e opinionit vazhdimisht tregojnë se pikëpamjet pro-amerikane janë përhapur gjerësisht dhe në sondazhin të vitit 2019 të Gallup-it, 67 për qind e shqiptarëve thanë se miratonin udhëheqjen e SHBA. Një diasporë e madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara, avokimi i Presidentit Woodrow Wilson për shtetësinë shqiptare në fund të Luftës së Parë Botërore dhe Operacioni “Forca Aleate” e NATO-s në 1999 kanë kontribuar në ndjenjat pro-amerikane të Shqipërisë. Kjo mbështetje midis popullatës ka lehtësuar përpjekjet e SHBA për të ndihmuar vendin në zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor që synojnë forcimin e gjykatave shqiptare dhe luftën kundër korrupsionit. Për më tepër, Shqipëria është bashkuar me “Clean Network”, nismë e nisur nga administratae Traumpit dhe që ka vazhduar nga ajo e Presidentit Bajden, që synon ndërtimin e një infrastrukture të sigurt 5G dhe standarde të privatësisë së të dhënave dhe kundërvënien ndaj dominimit të Kinës në tregun 5G. Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama ripohuan angazhimin e Shqipërisë për rrjete të sigurta 4G dhe 5G duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në Bruksel gjatë samitit të NATO-s në qershor 2021.
Shqipëria – së bashku me 38 vende të tjera anëtare të OKB-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara – dënoi gjithashtu shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina në Xinjiang, Hong Kong dhe Tibet. Ndonëse ndjenja e solidaritetit e popullsisë kryesisht myslimane të Shqipërisë me ujgurët myslimanë në Xinjiang motivoi pjesërisht denoncimin për gjendjen e të drejtan e njeriut në Kinë, është megjithatë një veprim i qartë po të kihet parasysh fakti që Shqipëria merr investime kineze nën kujdesin e Pekinit që ka ndërmarrë nismën “Një brez, një rrugë”. Për ta vënë çështjen në perspektivë, vendet me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme jo vetëm që janë frenuar për të akuzuar Kinën për për trajtim të ashpër të ujgurëve myslimanë, por, madje reklamojnë represionet e Kinës si si masa të efektshme kundër antiterrorizmit.
Shqipëria është solidarizuar gjithshtu me Perëndimin lidhur me një sërë përparësish të politikës së jashtme të SHBA, diçka që mund të jetë e dobishme për Shtetet e Bashkuara, ndërsa Shqipëria hyn në Këshillin e Sigurimit të OKB si anëtare jo e përhershme në 2022. Tirana iu bashkua vendeve evropiane dhe Uashingtoni, në përgjigje të helmimit të Skirpal-it në vitin 2018, duke dëbuar dy diplomatë rusë. Shqipëria gjithashtu u lavdërua nga Presidentit Trump kur dëboi ambasadorin e Iranit për arsye sigurie kombëtare. Ky vendim përkoi me fushatën e “trysnisë maksimale” të SHBAsë, e cila synonte bindte Iranin për te hequr dorë nga programi i vetë bërthamor dhe planet armiqësore në Lindjen e Mesme. Këto marrëdhënie të ngrohta duket se po vazhdojnë dhe me administratën e Bajdenit. Në një takim me Kryeministrin Rama në samitin e NATO-s, Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e Shqipërisë, përfshirë në stërvitjen “Defender Europe 21”, dhe shprehu shpresën për bashkëpunim të qëndrueshëm midis Tiranës dhe Uashingtonit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sidoqoftë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri u përballën me disa përplasje në kohën e Traumpit disa prej të cilave kanë vazhduar në epokën e Biajdenit. Tirana u bashkua me qëndrimin e BE-së dhe nuk e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit në një votim të OKB-së në vitin 2017. Vendi mbetet gjithashtu pjesë e Nismës“Një brez, një rrugë” të Kinës, pavarësisht nga skepticizmi i SHBA-së lidhur me përpjekjet e Pekinit për të investuar në infrastrukturën tokësore, detare dhe digjitale për t’u lidhur pjesën tjetër të botës në Kinë. Shqipëria synon të forcojë ekonominë e saj përmes investimeve të huaja dhe qeveria po shqyrton nismën “Një brez, një rrugë” si mundësi për rritje ekonomike dhe jo si aspekt i konkurrencës së fuqive të mdha.
Incidenti më i fundit negativ ndodhi në muajin prill [2021], kur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, akuzoi në mënyrë të rreme ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të vendit në favor të Kryeministrit Rama. Akuza erdhi pasi Kim-i dënoi thirrjet e Metës për dhunë nëse Partia Socialiste në pushtet e Ramës fitonte zgjedhjet. Departamenti i Shtetit i SHBA gjithashtu krijoi disa tensione në maj kur dyfishoi përpjekjet e saj për të ndihmuar fushatën e Shqipërisë kundër korrupsionit, duke bërë publik emrin e ish-presidentit dhe kryeministrit shqiptar, Sali Berisha si person të padëshirueshëm, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh gjatë tij koha kur ishte kryeministër. Ndërsa Presidenti Meta dhe Partia Demokratike e Berishës kritikuan shpalljen non grata nga SHBA-ja, ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë dhe pohoi se “askush nuk është mbi ligjin”.
Konkurrencë strategjike
Pavarësisht ulje-ngritjeve të herëpashershme, marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë forcuar në përgjithësi dhe rëndësia e Shqipërisë në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është rritur. Një nga arsyet e llogarive të SHBA-së është përqendrimi i Uashingtonit në konkurrencën strategjike me Kinën. Ndërsa tregtia dhe investimet e Pekinit në Ballkanin Perëndimor janë të ulëta në krahasim me rajonet e tjera me përparësi, ka arritur sukses në rajon. Kina u përqendrua kryesisht në Serbi, duke investuar gjithsej 10.53 miliardë dollarë në periudhën 2005-2020, mes tyre në 16 projekte të energjisë, telekomunikacionit, industrisë dhe infrastrukturës gjatë gjashtë viteve të fundit. Por ka blerë dhe aksione në portin grek të Pireut dhe ka investuar në të paktën shtatë projekte në Shqipëri, përfshirë HEC-in e Bushatit, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (megjithëse një kompani private shqiptare fitoi tenderin për përdorimin e aeroportit në vitin 2021) dhe ” rafinerinë më të rëndësishme të naftës në vend”. ”
Sa më shumë që Kina arrin të depërtojë në rajon, aq më i lartë është probabiliteti që vendet e Ballkanit Perëndimor do të varen nga Pekini dhe të bëhen të cenueshme nga përdorimi i levave ekonomike për përfitime politike. Në rastin e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vendosën t’i kundërvihen ndikimit kinez duke rritur ndërgjegjësimin lidhur me politikat grabitqare të investimeve, veçanërisht lidhur me teknologjinë 5G dhe duke mbështetur institucionet demokratike dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik për të forcuar aleancën e tyre me Tiranën si bastion kundër ndikimit kinez në rajon.
Në dallim nga Pekini, Uashingtoni nuk mund t’i drejtojë kompanitë amerikane të bëjnë biznes në Shqipëri. Por administrata e Bajdenit duhet të vazhdojë të lehtësojë investimet e SHBA-së në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës së vendit si alternativë ndaj nismës kineze “Një brez, një rrugë”. Po ashtu SHBA-ja duhet të vazhdojnë të ofrojë asistencë teknike për të ndihmuar Shqipërinë në zbatimin e reformave anti-korrupsion. Ndërkohë, Uashingtoni mund t’i kërkojë qeverisë shqiptare të vendosë mekanizma të rrepta të shqyrtimit të investimeve të huaja për të garantuar që bashkëpunimi i Shqipërisë me Kinën nuk shkakton probleme sigurie. Ndonëse marrëdhëniet amerikane-shqiptare kanë ende mjaft hapësirë për t’u rritur, strategjia proaktive e Uashingtonit për angazhimin me Shqipërinë mund të paraqesë model pozitiv bashkëpunimi me aleatët në dritën e konkurrencës së SHBA me Kinën dhe vendet e tjera revizioniste.