Home Aktualitet Fadromisti i ujësjellësit bën punën e kryeinxhinierit, përgjegjësit dhe teknikut

Fadromisti i ujësjellësit bën punën e kryeinxhinierit, përgjegjësit dhe teknikut

demtohet rrugaNga Xhevo Gradica / Ujësjellësi në Durrës ka nisur fushatën e gjobitjeve të paligjshme ndaj qytetarëve duke u fshehur pas zbatimit të një projekti të ri. Drejtori Doklead Ademi ka spostuar kryeinxhinierin, përgjegjësit dhe teknikët duke ua besuar këtë projekt fadromistëve dhe personave të pashkolluar. Konkretisht prej disa muajve ujësjellës-kanalizimet sh. a ka filluar të shtrijë disa tuba në lagjet periferike të qytetit të Durrësit me pretekstin se do të përmirësojë grafikun e furnizimit si dhe do të shmangë lidhjet e paligjshme. Por realiteti në terren ka treguar fakte e detaje të tjera të cilat nxjerrin në dritë abuzimet shumë të rënda që po bëjnë punonjës të ujësjellësit dhe vet drejtori Doklead Ademi. Qytetarët kanë blerë vet tubacionet, matësit, aksesorët e shumtë e të ndryshëm, kanë hapur vet e kanë mbuluar vet kanalin, kanë blerë me lekët e tyre rërën për të mbuluar tubacionet, kanë dhënën nën dorë për lidhjet, kanë paguar me hir e me pahir birra, cola, raki, meze me të vetmin kusht që të marrin ujë nga tubi ri, ndonëse kishin ujë pa qenë nevoja e rrjetit të ri, kanë paguar teknikët disa ditë vetëm të marrin ujin e ndërerë qëllimisht. Përgjithësisht zonat ku ujësjellësi pretendon se po zbaton një projekt të rëndësishëm ka pasur ujë madje prej më shumë se 50 vitesh. Kohët e fundit në pjesën me të madhe të zonës ku po shtrihen tubacionet e reja, janë shtrirë tuba mbi tubacione duke çuar dëm miliona lekë investime. Këtë herë, ndryshe nga si më parë, ujësjellësi pretendon se po e zbaton vet projektin, pra atë që duhej ta bënin firmat, e bën vet me njerëzit e besuar të drejtorit Ademi. Këta të fundit, bëjnë çfarë të duan. U lidhin ose jo banorëve ujin, u shtrijnë tubacionet nëse duan, u kërkojnë hesap qytetarëve për gjëra që nuk kanë lidhje me punën që bëjnë. Kështu në Spitallë, fadromisti Xhepi jo vetëm që bën të fortin por edhe urdhëron qytetarët të punojnë, ndërsa tekniku Agimi u tregon atyre që di edhe të gjuajë peshk. Punimet që po kryen ujësjellësi bëhen pa mbikqyrjen e teknikëve, pasi për inxhinier nuk bëhet fjalë. Kështu çdo gjë mbetet nëdorë të fadromistit që pasi hap kanalin nis e merret me qytetarët duke ushtruar presin për të siguruar përfitime të paligjshe. Xhepja, siç e njohin lagjja, është prezantuar si përgjegjës i punimeve dhe se ai nuk pyet as inxhinierin, as kryeinxhinierin, por vetëm drejtorin me të cilin bisedon pa ndërprerje në telefon, apo së paku bën sikur flet nëse nuk ka formuar numrin 141. Qytetarët thonë se ai dhe drejtori Ademi kanë lidhje, miqësi, ndaj është edhe i besuari drejtorit për të ushtruar presion. Konfrontimet me punëtorin që shtronte tubat në kanal, ulërimat dhe urdhërat që i jepte faturistes, ngritja e zërit deri në besdisjen e qytetarëve, mbledhja e librezave të ujit për verefikim, provokimet nëse ishin apo jo të rregullta kanë qenë treguesit më të plotë se Xhepi është personi i autorizuar nga Ademi për të bërë veprime të tilla. Saktësisht në zonën e Spitallës, përgjatë rrugës “Aleksandër Goga” dhe në drejtimet dytësore janë shtrirë tubacionet prej shumë vitesh. Vetëm në këto 5-6 vite ujësjellësi ka vendosur njërin mbi tjetrin tre tubacione të dimensioneve të përafërta, por me përbërje materiali të tubit të ndryshëm. Ujësjellësi në të gjitha rastet ka pretenduar se do të shtojë sasinë e ujit dhe do të ndëshkojë personat që kanë vjedhur linjën, në një kohë që çdo gjë është bërë për të siguruar përfitime të paligjshme nga tenderimet. Por si gjithnjë uji edhe në katet e para jo më shumë sesa 50 m larg nga tubacioni kryesor është bërë i mundur vetëm në saj të pompave, në një kohë që vet teknikët e ujësjellësit kanë bërë lidhje të paligjshme duke përfituar miliona lekë në mënyrë abuzive. Si para edhe pas shtrimit të tubacionit kryesor, rrugët, trotuaret dhe rrugicat janë çarë nga e para duke bërë lidhje të reja dhe të gjitha në pikë të ditës dhe të patrazuar. E njëjta gjë po ndodh edhe me këtë investim. Ujësjellësi pretendon se kjo është e treta e vërteta dhe këtë shprehje e ka artikuluar vet drejtori Doklead Ademi. Por realiteti është ndryshe. Dhjetra qytetarë me librezë në dorë dhe me faturë të paguar të ujit deri në muajin e fundit, pa asnjë lloj debie ndaj ndërmarrjes, vazdhojnë të sorollaten në sportelet e ujësjellësit. Shumë prej tyre kanë blerë vet të gjitha materialet edhe pse kanë pasur lidhje uji dhe kanë kontratë me ujësjellësin. Kjo kategori ka paguar lekë në dorë për të hapur kanalin, për të blerë tubin, për të shtrirë tubin, për të blerë matësin, për të blerë paisjet që u duhen teknikëve për lidhjen në bokse dhe së fundi janë lënë edhe pa ujë për të vetmen arsye se nuk kanë dhënë nën dorë. Teknikët kanë përdorur gjithëfarë marifetesh si ato të Xhep fadromistit, eksponentit të mashtrimit. Çdokush nga qytetarët që nuk jep nën dorë, që nuk bën atë që thonë këta përgjegjës të “graduar” nga drejtori Doklead Ademi,  mbetet pa ujë, paçka se ka pasur gjithnjë ujë dhe se qytetari ka paguar rregullisht faturën. Kanalet në rrugicat e lagjes, ashtu si kanali i kolektorit kryesor, hapet me fadroma të ujësjellësit. Në to shtrihen tubat dhe familjarët duhet të blejnë vet rërën për t’i mbuluar, ndryshe duhet të rrezikojnë duke e mbuluar me gurë e mbeturina të tjera. Drejtori ujësjellësit u ka thënë disa banorëve se do u bëjë lëshime dhe se me lekët e tij do u blejë tubat, në një kohë që ka vënë në lëvizje përgjegjësat e emëruar prej tij për të vazdhuar lojën e mbushjes së xhepave. Fadromisti Xhepe ka shkuar deri atje saqë të mos pyesë fare faturisten e cila ka të regjistruar qytetarët me kontratë e pa kontratë, të rregullt e të parregullt dhe të gjitha këto për të bërë abuzime në saj të favorizimit që i ka bërë drejtori ujësjellësit Ademi. Edhe sot ka dhjetra familje që enden sa tek inxhinieri, sa tek kryeinxhinieri e drejtori për t’u treguar letrat dhe faktin se janë të rregullt me ujësjellësin dhe se duan ta zgjidhin problemin e furnizimit me ujë si gjithë lagjja e rrugica e tyre. Së paku në Spitallë dhe në lagjen 17,18, ata që pyetën fare pak apo edhe hiç, janë inxhinierët, kryeinxhinieri dhe përgjegjësit pasi Ademi ka caktuar personat e tij të besuar në këtë fushatë. Edhe lidhjet në bokse kolektive janë bërë pa asnjë lloj ideje, sistemimi, projekti. Kështu teknikët kanë pasur mundësi të nxjerrin të tjera fitime në dëm të familjarëve. Kjo kategori punonjësish jo vetëm që vjedhin hapur qytetarët, por edhe bëjnë fushatë politike, duke thënë se investimi është shprehje e interesimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe njerëzve qark tyre.

Tekniku ujësjellësit të Durrësit, Agimi, i intervistuar

 

Çfarë duhet blerë për të bërë instalimin e ujit?

Ja i kanë blerë këta familjarët. Fashetë, deduksion dhe ato që janë shkruar në letër. Ia kam dhënë letrën një qytetari.

Qytetari duhet t’i blejë këto?

Po, qytetari.

Sa kushtojnë të gjitha këto?

Shko tek dyqani se të tregon vet ai. 9100 lekë.

Po kështu do të lihen tubacionet, pa u mbuluar me një shtresë rëre? Ka firmë që zbaton këtë projekt, ka përgjegjës të kësaj pune që po bëhet?

Rrudh krahët, nuk përgjigjet.

Ju të ujësjellësit Durrës jeni?

Po.

Banorët thonë se tubacionet e ujit jnë shtrirë mbi kolektorin e ujrave të zeza dhe mbi puseta. Pranohet teknikisht? Cili po e bën këtë investim?

Ujësjellësi.

Pra nuk ka projekt, preventiv,situacion. Punimet i ka marrë përsipër ujësjellësi. Po kanalin cili e hap dhe e mbulon?

Vet qytetarët, banorët. Do të marrin ujë 24 orë në 24 orë.

Ju jeni teknik i ujësjellës-kanalizimeve në Durrës?

Po.

Meqë jeni i fushës, si teknik, mund të lejohet të shtrohen tubacionet kështu, pa u mbuluar me rërë, pa u sistemuar, duke hedhur gur inerte mbi tubacione?

Nuk e di. Di me të thënë këtë që kjo linjë do të ketë 24 orë ujë dhe nuk kanë për të vuajtur më njerëzit. Pompat t’i harrosh sepse është prerë linja e vjetër. Në dhjetë metër tub ishin 30 lidhje pa leje. Është prerë tubi i vjetër dhe tani marrin ujë gjithësecili në sahat.  (Ndërhyn tek qytetarët të cilët janë grumbulluar tek boksi kolektiv ku po bëhen lidhjet e reja. U thotë atyre Lëreni të punojë. Ç’keni ju, do të rri deri në 2 të natës t’i lidh të gjitha).

Ka pasur lidhje të paligjshme?

Çfarë thua? Kemi hapur kolektorët në verë atje, ka një vit dhe janë dy kaseta bosh sepse njerëzit janë lidhur tek tubi atje (kupto, lidhje të paligjshme). Prit se po vinin njerëzit, nuk vinin. Kur u pre uji tani, shkojnë njerëzit për të bërë lidhjen.

Si e shpjegon teknikisht që tubat e ujit vendosen në kolektorin e ujrave të zeza dhe mbi puseta të fekaleve.

Gjithnjë tubi ujit shtrohet mbi kolektorin e ujrave të zeza. Nuk mund të shkojë poshtë ujrave të zeza. Po plasi tubi rrugës, hapet gropa. E gjen lehtë se tubi i çarë nxjerr ujë. Tubi dypolësh vjen deri në rrugicë, kurse lidhjet individuale janë F-20.

Për pagesën që bëjnë qytetarët, për materialet që blejnë, ju u jepni ndonjë faturë atyre?

Si rregull është kështu, nga kolektori e deri tek shtëpia të gjitha shpenzimet për tubacionin, paisjet dhe të gjitha shërbimet e trjera duhet t’i paguajë qytetari. Drejtori meqë ishin këtu familje me pagesë të rregullt të faturës së ujit të pishëm e ka blerë vet tubin. Me një fjalë u ka bërë njëfare kompensimi, meqë ishin të gjithë të rregullt. Unë kaq di, kaq po them.

Qytetarët kanë bërë disa herë shpenzime për ujin e pishëm dhe këtu ka pasur ujë. Atëherë përse duhet të blejnë ata këto paisje?

Nuk e di.

Po matësit (sahatët) që ka çdo familje pse ua kërkoni me detyrim qytetarëve t’i dorëzojnë, ndryshe nuk u lidhni ujin? Veç kësaj ju kërkoni jo vetëm matësit por edhe aksesorët e tij.

Na ka thënë drejtori i ujësjellësit t’ua mbledhim të gjithëve matësit. Ai që nuk e dorëzon nuk merr ujë, nuk ua lidhim matësin.

 

Previous articleFRD në qarkun e Durrësit në qershor me dy mandate
Next articleGodina greke paralizon investimin prej 160 milion lekë