Home Aktualitet Facebook i kthen shpinën gazetarisë online

Facebook i kthen shpinën gazetarisë online

Facebook ka inkurajuar mjetet e informimit që të jenë të varura nga platforma. Kur u propozoi që të përdorin Instant Articles, ato e bënë. Kur i inkurajoi të prodhojnë video, e bënë, duke përdorur para për këtë qëllim. Dhe tani, pasi shfrytëzoi besimin e tyre, Fejsbuku u kthen shpinën. Duke i dhënë më pak hapësirë gazetarisë në newsfeed, do të reduktojë ndjeshëm trafikun dhe paratë drejt mjeteve të informimit. Për mediat do të jetë një goditje e fortë, por do të jetë edhe një gjë e mirë. Dhe në një farë kuptimi, shtypi është i vetëdijshëm. Ka tronditur botën e gazetarisë, duke reduktuar në mënyrë radikale vlerën e reklamave digjitale, nga e cila varet tashmë mbijetesa e mjeteve të informimit. Ka ndikuar thellë në zakonet e leximit të lexuesve të tij, pra kavieve të laboratorit të eksperimentit të tij të madh, duke i manipuluar në mënyrë konstante dhe duke i ushqyer me një fluks të vazhdueshëm “llozhurash”, për t’i bërë të qëndrojnë më shumë në faqe. Në një farë mënyre ka dëmtuar edhe demokracinë në SHBA, duke bërë sikur asgjë nuk po ndodhte, ndërkohë që një armik i huaj përdorte platformën e tij për të krijuar një instrument efiçient, për të përhapur gënjeshtra dhe propagandë politike. Dhe tani, me vendimin për të hequr një pjesë të mirë të lajmeve nga neësfeed, ka vendosur të pështjellojë edhe faqen e vet. Por në vend që të hidhen sërish kundër Facebook, mjetet e informimit duhet ta falënderojnë. Facebook sapo u bëri një nder të madh. I detyroi të pranojnë faktin se reklamat dhe trafiku në internet nuk do të mbajnë kurrë gazetarinë, mbi të gjitha nëse ai trafik vjen nga kompani që duan të mbajnë për vete të gjitha paratë që vijnë nga reklamat. Gazetat nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet, por nuk duan të bëjnë përpjekjet që burojnë nga ky tranzicion. Dhe kanë të vështirë të heqin dorë nga ideja për të shfrytëzuar Facebook, që të kenë më shumë dukshmëri. Tani Zuckerbergu e përmbysi edhe këtë, duke i çliruar mjetet e informimit nga një iluzion, prej të cilit duhej të kishin hequr dorë shumë kohë më parë./Ingrid Domi, Bulevard News/