Home Kronika Enigmat e aksidentit tragjik ku humbën jetën dy të rinj, asnjë i...

Enigmat e aksidentit tragjik ku humbën jetën dy të rinj, asnjë i arrestuar në Vlorë

Klajdi, djali i vetëm i familjes Kaja u përcoll në banesën e fundit duke lënë dhimbje tek familjarët e miqtë. 28 vjecari nga Bubullima e Lushnjës punonte për ndërtimin e “by-pass” të Vlorës, kur kamioni me të cilin udhëtonte si pasagjer u aksidentua mesditën e së hënës.

Aksidenti tragjik, largoi nga dy fëmijët e mitur dhe Armand Beun, 32-vjeçarin nga Kavaja, i cili humbi jetën në pune. Familjarët jashtë kamerës treguan se 32-vjeçari kishte disa muaj që punonte me siguracione pranë kompanisë së ndërtimit “Biba X”. Ai ishte në drejtimin e mjetit të tonazhit të rëndë dhe lëvizte nga Kanina drejt Orikumit.

Përplasja ka qenë tejet e fortë siç shihet në pamje. Ende policia e Vlorës nuk ka një version të saktë për shkaqet e aksidentit fatal të kamionit të kompanisë së ndërtimit “Biba-X”, me dy të vdekur.

Ndërsa burime pranë grupit hetimor thanë se kamioni ishte mbushur me zhavorr të imët mbi kapacitetin e lejuar. Në dyshezë ka humbur kontrollin dhe është përplasur fatalisht me shkëmbin, ndërsa inertet kanë zënë poshtë të dy punëtorët.

Burimet thanë se mjeti i tonazhit të rëndë do ti nënshtrohet ekspertizës, pasi mund të ketë pësuar defekt në sistemin e frenimit. 24 orë pas ngjarjes, policia e Vlorës nuk ka shoqëruar asnjë drejtues të kompanisë “Biba X”, e cila punon për asfaltimin e rrugës, e kontraktuar nga kompania “Gener 2” që ka fituar tenderin për ndërtimin e by-pass-it të Vlorës./Shqiptarja.com