Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se procesi zgjedhor i ditës së djeshme në Bashkinë e Rrogozhinës është shoqëruar me parregullsi të shumta dhe vjedhje të votës nga ana e maxhorancës. Ai denoncoi sot me emra, personat që sipas tij kanë kryer akte antiligjore në fushatën e Rrogozhinës.
Ai tha se opozita disponon pamje të shumta filmike, që do i bëjë publike për mediat, të cilat tregojnë parregullsitë e shumta të regjistruara në qendrat e votimit.
Këtu janë përgatitur sekuenca nga dita e djeshme, ku dëshmojnë se në krye të bandës që terrorizoi qytetarët e Rrogozhinës dje, përveç Erion Veliajt, qëndronte Blendi Gonxhe, një nga hajdutët më të shpifur të kësaj administrate.
Afrim Qendro, hajdut me damkë, i njohur për vjedhjet e tij në rrugën Tiranë-Elbasan dhe shumë vjedhje të tjera.
Deputeti Agron Çela, edhe ky njeri që nga fryn era, nga i del biznesi, kthen flamurin.
Famozi Valdrin Pjetri, ish-kandidati i diskredituar i Shkodrës, Etjen Xhafaj, deputet-vegël e verbër e Erion Veliajt, Taulant Tusha, Nuredin Bushi, Blerim Shera dhe shumë të tjerë, të cilët kryen akte antiligjore në fushatën e djeshme.
Këtu i keni votimet kolektive, votimet me familje, deklaratat dhe prandaj sipas interesit, mund t’i ndiqni.