Në një postim në Facebook Ministrja e Kulturës Elva Margariti paraqet krijimin e Qendrës Kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublimi, produksioni, qeramike, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë.
Postimi i plotë:
Tashmë projekti për shndërrimin e hapësirës së ish-Kinostudios në një Park Arti, i mbështetur me fondet e Bashkimit Europian është gati. Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj , prezantuam sot vizionin tonë për këtë kënd të kryeqytetit.
Ka qenë një proces i gjatë dhe falë bashkëpunimit të frutshëm të studios projektuese “iRi”, kemi arritur të gjejmë balancën e duhur mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes hapësirave të gjelbra, parqeve dedikuar fëmijëve, hapësirave ekspozuese dhe krijuese, pasurisë së gjigantit të dikurshëm kinematografik, aparatura, makina, garderoba….
Bëhet fjalë për mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.
Ajo çka kemi tepër për zemër është krijimi i Qendrës Kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublimi, produksioni, qeramike, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë.