Home Kulture Elma Doresi: Nuk mund ta quaj projekt një lexim të dramës shqipe,...

Elma Doresi: Nuk mund ta quaj projekt një lexim të dramës shqipe, e quaj të realizuar në momentin që është në skenën teatrore

Veprat teatrore shqiptare nuk duhet të mungojnë në skenat tona janë shprehur herë pas here autorë të ndryshëm të dramës shqipe në vend. Këtë muaj të parë të vitit 2023 edhe regjisorja teatrit Elma Doresi shprehet se duhet treguar më shumë vëmendje për dramën shqipe. Regjisorja thotë se nëse nuk vihen vepra shqiptare në skenat tona teatrore në vend, kjo sjell dhe problem për zhvillimin e dramës shqipe. Regjisorja e njohur Elma Doresi, e cila në aktivitetin e saj teatror numëron disa vepra kombëtare në skena të ndryshme teatrore, thotë se të paktën një herë në vit çdo teatër duhet të ketë një premierë shqiptare. “Padiskutim, që çdo teatër në vend duhet të ketë më shumë drama shqipe në skenë. Nëse nuk e vendosim ne dramën shqipe në skenat tona teatrore, atëherë kush do ta vendosë? Italiani apo francezi? Të paktën njëherë në vit çdo teatër në vend duhet të ketë dramë shqipe premierë”, shprehet regjisorja Elma Doresi këtë muaj të parë të vitit 2023, ku pritet që në vijim dhe në skenat tona të vijnë premierat e para teatrore. Regjisorja Elma Doresi thotë më tej se puna me dramën shqipe nuk është vetëm leximi, por quhet një projekt i realizuar kur vepra arrin të vihet premierë në një skenë teatri për publikun. “Deri tani nuk ka pasur sa duhet vëmendje për dramën shqipe. Nuk mund ta quaj projekt një lexim të dramës shqipe, i cili mbetet thjesht një lexim. E quaj të realizuar dramën shqipe në momentin që realizohet edhe në skenën teatrore”, thotë regjisorja Doresi.

Një festival për dramën shqipe

Regjisorja Elma Doresi, e cila herë pas here ka sjellë në skenë vepra të autorëve shqiptarë dhe ishte më parë në garë për postin drejtues të Teatrit Kombëtar thotë se drama shqipe ishte ndër pikat kryesore të platformës, që ajo prezantoi dhe në Ministri të Kulturës. “Në platformën time në drejtim kam dhënë një ide. Çdo teatër një vepër shqiptare në vit, në fund të vitit përfitojmë festivalin e dramës shqipe. Në vitin 2023 uroj që të ketë më shumë vëmendje për dramën shqipe nga institucionet”, shprehet regjisorja. Komedia “Pas vdekjes” e Andon Zako Çajupit ishte dhe vepra e fundit që solli në një skenë teatrore si regjisore Elma Doresi. Vepra në vitin që lamë pas ishte premierë në teatrin e Podujevës, Kosovë. Kjo vepër do të rikthehet sërish në skenën e teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë. Regjisorja Doresi më herët ka shprehur se qëllimi i saj është të gjejë elementet e duhur për ta sjellë temën dhe mesazhin e veprës sa më pranë publikut.  Komedia “Pas vdekjes” është shkruar nga rilindasi i madh Andon Zako Cajupi, dhe si personazh kryesor është doktor Adhmudhi, që e mban veten për njeri të zgjuar. Komedia ka temë politike-shoqërore luftën e ashpër në lëvizjen tonë politike të fillimit të shekullit XX kundër oportunistëve, konformistëve, demagogëve, që i shitnin interesat kombëtare për përfitime personale.

Previous articleSi i targetonte Andrew Tate vajzat rumune nëpër rrjete sociale për t’i rekrutuar në industrinë e pornos
Next articleAldo Bare kërkon ulje dënimi, avokati i tij padit në SPAK Gjykatën e Lartë: Ka shkelmuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese