Home Kulture Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Historik Kombëtar, portretet e 40 firmëtarëve...

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Historik Kombëtar, portretet e 40 firmëtarëve të pavarësisë

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë”, që përmban portretet e 40 firmëtarëve të aktit të pavarësisë së Shqipërisë u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Në kuadër të festave të nëntorit, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me piktorin Arben Morina çelën sot ekspozitën që përmban portretet  e 40 firmëtarëve. I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, piktori Arben Morina u shpreh mes të tjerave se “Etërit e Pavarësisë” ka një rëndësi të veçantë për atë si autor i saj. “Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë, pasi vetë gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë. Uroj edhe një herë Muzeun Historik Kombëtar për këtë organizim”, tha mes të tjerave piktori Arben Morina. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, u shpreh se në “Nëntorin e Lirisë” për të përkujtuar ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar u organizua edhe ekspozita “Etërit e pavarësisë” realizuar nga piktori Arben Morina. “Ajo që dëshiroj sot është të falenderoj Arben Morinën edhe stafin që e ka ideuar këtë ekspozitë në emër të Muzeut Historik Kombëtar, pasi për herë të parë hapet në shtëpinë më të madhe të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale, që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar”, tha drejtori Koçi në fjalën e tij dje gjatë hapjes së kësaj ekspozite. Sipas tij, në këtë ekspozitë që u hap për publikun, ka të ekspozuar edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina. “Nuk mund të mos mungonin Isa Boletini dhe Ismail Qemali të dy këta kolosë të pavarësisë së Shqipërisë”, tha drejtori Dorian Koçi.

Informacioni i ekspozitës

Për drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi në këtë ekspozitë edhe brezi i ri mund të marrë një informacion të gjerë për aktivitetin patriotik të figurave të shquara. “Ekspozita me foto me pikturat përkatëse të gjithë atyre, që kanë nënshkruar aktin e pavarësisë dhe me një informacion të gjerë mbi aktivitetin e tyre patriotik përbën një informacion të munguar prej kohësh sidomos për brezin e ri. Ju ftoj të gjithëve ta vizitoni në këto ditë që do të jetë e hapur, pasi do të keni mundësinë të njiheni me një pjesë të trashëgimisë kulturore të ndërgjegjes së kombit tonë për tu prezantuar me këto figura të shquara të cilët në atë nëntor të 1912 themeluan Shqipërinë tonë të përhershme”, u shpreh dr. Dorian Koçi. Piktori Arben Morina ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë (1978-1982) dhe ka punuar në Galerinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Tiranë. Lëvizi dhe qëndroi në Firence të Italisë (dhjetor 1990-1998). Gjatë qëndrimit të tij në Firence pikturoi në mënyre intensive. Pikturat e tij ndodhen në koleksionet private të familjeve shumë të famshme Italiane, veçanërisht të atyre Fiorentine. Në aktivitetin e tij me krijimtarinë në pikturë artisti Arben Morina ka marrë çmime të ndryshme. /J.V

SOURCEbulevard news
Previous articleKryemadhi bën deklaratën e papritur, zbulon se kush do jetë politikani që do ta zëvendësojë Ramën në krye të PS-së
Next articleSpartak Braho: Sali Berisha agjent i trefishtë, ja si u rekrutua nga UDB dhe shërbimi francez, pseudonimet që mbante dhe shitja e informacioneve