Home Kulture Ekspozita “Errësirë” , me punimet e artistit Oltsen Gripshi në muzeun “Shtëpia...

Ekspozita “Errësirë” , me punimet e artistit Oltsen Gripshi në muzeun “Shtëpia me gjethe”

Ekspozita  “Errësirë” hapet sot në muzeun “Shtëpia me gjethe”. Artisti Olsten Gripshi prezantohet për publikun me një tjetër ekspozitë të tij personale, që vjen e kuruar nga Etleva Demollari. Oltsen Gripshi është artist i artit bashkëkohor, kurator, historian arti, i cili ka një aktivitet të vlerësuar. Herë pas here është prezantuar për publikun me punimet e tij, duke marrë dhe vlerësimin e kritikës, por sot ai prezantohet me ekspozitën vetjake titulluar “Errësirë”. Në tekstin e saj kuratorja Etleva Demollari shprehet se barazvlera e errësirës është ankthi, i cili ??merr tone të larmishme: të blusë në filozofinë e artit, të së kuqes në filozofinë e dashurisë dhe të politikës, të së verdhës së praruar në filozofi, e cila më pas rebelohet kundër Zotit, duke u shndërruar kësisoj në një semiotikë mistike. “Në këtë pikëpamje errësira, si një qasje imanente, arrin të bëhet (ndoshta pavarësisht vetvetes) ndryshimi ontologjik midis njeriut dhe natyrës, subjektit dhe objektit, formës dhe materies, mendimit dhe qenies. Në errësirë qenia pëson një katarsis, një riorientim për t’u bërë pjesë e një sistemi të ri, kur errësira fillon të qartësohet gradualisht nga drita e njohjes me të vërtetën e mohuar, lirinë. Në fund të fundit, e zeza është ngjyra më e ndritshme”, shprehet kuratorja Etleva Demollari ndër të tjera.

Punët ekspozitës

Ekspozita e artistit Oltsen Gripshi përmban fotografi dhe instalacion në bardhë e zi, vetëm vepra e fundit që mbyll ekspozitën është me ngjyra. “Errësirë” vjen në vijim edhe të aktiviteteve të tjera që janë zhvilluar në muzeun kombëtar të përgjimeve “Shtëpia me gjethe” në Tiranë dhe do të qëndrojë për publikun deri më datë 17 qershor. Në aktivitetin artistik të artistit Oltsen Gripshi, qasja e tij filozofike-artistike është ajo e gjuhës surreale-konceptuale, duke e konkretizuar atë me mediume të ndryshme si: pikturë në kanavacë, video art, instalacion dhe fotografi. Në vitin 2010, karriera e Gripshit pasurohet me futjen e emrit të tij në Enciklopedinë Italiane të Artit. Ai ka hapur disa ekspozita vetjake si: Galeria Kombëtare e Arteve (2016), Qendra për Hapjen dhe Dialog (COD) kryeministria (2017 ), Teatri Kombëtar Shqiptar (2020), Pavioni në Ministrinë e Kulturës (2021), etj, si dhe në ekspozita të përbashkëta përmendim: Çmimi i Fotografisë Bashkëkohore PH Neutro Gallery, Verona (2010), Beinnale Internazionale dell’Arte Contemporanea di Palermo (2012), “Onufri” (2015), Koleksioni Ndërkombëtar Imago Mundi (2016), Museo Casa del Mantegna Mantova (2018), Canova Prize Pop Up Space Gallery, New York (2018), Tirana International Self-Portrait Biennale (2019), Asian International Biennale of Bangladesh (2021) , Tirana International Watercolor Biennale (2021). Ai gjithashtu është fitues i disa çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare si: 2016- mirënjohje për karrierën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor Riviera del Brenta, Padova, Itali; 2014 Mirënjohje e lartë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut “Nelson Mandela” në fushën e artit, Leçe, Itali; 2013- Artist i merituar i qytetit Sogliano Cavour 2013, Sogliano Cavour, Itali, etj.