Ekspozita “All the light we cannot see” u çel me veprat e piktorit të njohur shqiptar Ali Oseku, në hapësirën e ekspozimit Harabel në Tiranë. Ekspozita “E gjithë drita që nuk mund të shohim” u çel mbrëmjen e së enjtes në praninë e piktorit Oseku, kuratores Ajola Xoxa, artistëve të ndryshëm, etj. Hapja e një ekspozite me vepra arti është një ngjarje e bukur për kryeqytetin dhe ajo e një piktori të rëndësishëm si Ali Oseku merr një vlerë të madhe, ku këto ditë publiku mund të gjejë punët e tij në hapësirën Harabel. Me punët e ekspozuara, piktori Ali Oseku tregon bukurinë që arrin të shohë thuajse në gjithçka, edhe në momentet më të errëta të jetës. Kuratorja Ajola Xoxa shprehet ndër të tjera se Ali Oseku ka këtë aftësi të rrallë: ai e sheh dritën; kur shikon qiejt, kur shikon gjethet që lëvizin prej erës, kur perëndon dielli. Në sytë e gruas së tij ose në gjestet e saj të përditshme të dashurisë. “Ai madje e sheh atë në ditët më të errëta të jetës së tij, në anën tjetër të murit të një burgu. Në dhimbje. Në atë që është e thjeshtë. Në të zakonshmen. Në atë që ndodh çdo ditë. Dhe në gjërat që kanë qenë të njëjta për mijëvjeçarë të tërë. Dhe pastaj ai e pikturon atë. Në të gjitha ngjyrat e mundshme që sytë tanë mund të shohin. Nuk ka nevojë për një emër, nuk ka nevojë për një shpjegim. Dhe më pas, edhe ne arrijmë ta shohim atë”, shprehet kuratorja Xoxa ndër të tjera në tekstin kuratorial për ekspozitën. Ali Oseku, një artist i shquar është i njohur për eksplorimin e tij të natyrës, ngjyrave dhe pafundësisë së saj. Me ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri pas viteve ‘90, Ali Oseku është një ndër “aktorët” e rëndësishëm në artin pamor shqiptar. Ali Oseku pas viteve ’90 ka ekspozuar në vende të ndryshme, si Bruksel, Vjenë, Gjermani, Zagreb, Padova, Varshavë, Boston, Nju York, Paris, etj.