Çështja e largimit të mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë ka qenë një prej pikave të diskutuara sot në Berlin me kancelarin gjerman.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri shqiptar tha se ka diskutuar me homologun e tij për të gjetur një zgjidhje që Shqipëria të balancojë atë që humbet pas ikjes së mjekëve nga sistemi shëndetësor shqiptar.
“Kemi diskutuar edhe këtë çështje. Ne nuk mund ti kërkojmë Gjermanisë dhe asnjë vendi të BE-së, që të ndalojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor dhe të ndalojë lëvizjen e lirë të atyre që nga Shqipëria duan të provojnë jetën në profesionin e tyre. Kemi diskutuar me Kancelarin se si duhet të gjejmë mënyra që faktikisht Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. i kam shpjeguar Kancelarit që studentët tanë të mjekësisë paguajnë 1/16 të kostos, ndërkohë që pjesën tjetër e paguan Qeveria. Është shumë e rëndësishme që të gjejmë një rrugë, që të jetë një rrugë europiane për të balancuar atë që Shqipëria humbet në këtë fazë kaq të rëndësishme”, tha Rama.
Ndërsa kancelari gjerman u shpreh se “ne folëm për këtë çështje. Është një sfidë e madhe. Lëvizja e lirë është arritje shumë e madhe e BE-së. U ka dhënë ndjesinë qytetarëve që nuk mund të udhëtosh vetëm si turist, por që në çdo kohë mund ti hipësh avionit dhe të punosh aty ku ke dëshirë. Më kujtohen shumë mirë kohët kur kjo ishte shumë e vështirë të bëhej. Ishte një sfidë e madhe kur doje të hapje një restorant në një vend tjetër, tani kjo nuk është më. Me këtë liri sot janë lidhur edhe shumë sfida. Është shumë e rëndësishme që vendi ynë ndihet përgjegjës që nevojën e tij të madhe për vende pune të mos e mbulojë vetëm nga vendet e BE-së, por edhe përtej saj. Ne po përpunojmë legjislacionin për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani dhe me këtë hapet tregu i Gjermanisë dhe i Europës. Kjo është diçka që e bën më të menaxhueshme situatën edhe në Europë”.